Friday, September 18, 2015

ÇFARË JAKASH TË BARDHA KEMI?!


Kohët e fundit janë përhapur fjalë të vërteta se doktorët tanë nuk janë të zotë dhe mbi të gjitha shumë të paaftë për veprimet e tyre. Sindroma e “Doktor Aguridhit” është si të thuash ajo dëshirë për t’iu futur një pune që pak rëndësi ka nëse ke lidhje me të. Është sindroma e atyre njerëzve që duan t’i bëjnë fëmijët me zor doktorë, që ata të quhen fëmijë mburrjesh apo edhe parash të shpejta.
Dinë apo nuk dinë ata të shkruajnë recetat, kjo pak rëndësi ka. Doktorë aguridhët janë po ajo masë pa higjienë mendore që të lënë të vuash, jo nga dëshira, por nga mosdija. Në fakt, po ta vini re, ne jemi një shoqëri që herë vuan dhe herë lartësohet mediatikisht nga kjo farë doktor aguridhësh. Ata janë po të njëjtët me doktorët popullorë lehtësisht të manipuluar mirë e me dëshirë për trutë tanë. Po si i bëhet halli kur nuk e pret edhe nga jakat e bardha?! Si të mos mjaftonte e gjitha kjo, me nxirje të figurës së mjekut, lista e kësaj race vijon si më poshtë: 1. Një burrë në spitalin e madh “Nënë Tereza” plagosi mjekun që kishte marrë në patronazh xhaxhain e tij, të cilin e la të vdiste, pasi më parë i kishte marrë ryshfet dhe i kishte premtuar shpëtimin e të sëmurit.
  1. Një vajzë nga Pogradeci vdes, pasi kryen operacionin në një klinikë private, gjoja nga më të mirat në Pogradec; pasi mjeku i kishte kryer operacionin gabim, duke i prerë disa nga damarët që i shkaktuan hemorragji vajzës dhe, si pasojë, vdekjen.
  2. Një foshnjë në kryeqytet vdes, pasi operacioni iu krye me narkozë…
  3. Një fëmijë rreth 7 vjeç në Elbasan humbet përgjithmonë shikimin nga gabimi në mjekimin e dhënë nga mjeku.
  4. Në Tiranë, një baba shkon të marrë ilaçe në një nga farmacitë e Laprakës për vajzën e tij vetëm një vjeçe, sepse ishte me të ftohur dhe farmacistja i jep ilaç për të sëmurë psikikë…
  5. Historia e Suzana Skejës, gruaja që 5 vite të shkuara kreu një ndërhyrje kirurgjikale në tiroide, por doli nga salla e operacionit pa zë.
Kjo e fundit ishte arsyeja pse u ula të shkruaja diçka të tillë. Është e gjitha një pakujdesi jonjerëzore, por injorante. Një pakujdesi injorante që po mbyt njerëzit po aq e barabartë me farmacitë e natës. A e keni vënë re, që nuk ka farmaci nate dhe kur ti shkon për të marrë një ilaç në katër të mëngjesit, e gjen mbyllur? Po, është vetëm një e tillë në bulevardin “Zogu i Parë”, por nuk mjafton, sepse ka orar të kushtëzuar. A e patë llojin e aguridhëve të tjerë si u ngritën për të mbrojtur doktorin e tyre teksa e plagosën? E, në fakt, kishin të drejtë, por pse nuk ngrihen përsëri të protestojnë për raste të tilla që edhe ata mos të identifikohen me llojin aguridh? Po pra, se e ndiejnë që janë të tillë, prandaj. Ose të rrinë aty të gjithë bashkë që kjo farë aguridhësh të mos reagojnë, e nëse më pas i plagosin le të flasin. Po çfarë duhet bërë? A duhet plagosur një doktor që të kërkon para?! Qahemi shpesh ndër njerëz, që sa herë shkojmë për të parë të afërmin tonë të shtruar në spital se aty nuk ka shërbim të mirë, apo se na shërbejnë njerëz periferikë, apo se doktori është shumë periferik dhe ne jemi më qytetarë. Kjo nuk është e tepërt! Madje, po aq normale sa të gjitha ndryshimet për këtë vend. Nëse dikur jakat e bardha qytetare u kanë shërbyer njerëzve periferikë, pra nëse në kohën e komunizmit shërbimi ofrohej disi nga të qytetëruarit, sot është krejt e kundërta; periferikët kanë zëvendësuar çdo gjë dhe madje kjo duket si një hakmarrje e tyre për të marrë çdo situatë. Fundja, mjekësia është qytetari. Dhe këtë duhet ta dijë çdo bluzë e bardhë tashmë e bërë e zezë! Të ruajttë Zoti natën nga këta doktorë. Është po i njëjti krahasim, nëse do të kemi mësues të dobët për fëmijët tanë pas 5 vitesh, do të kemi edhe mjekë të dobët. Pirateria e bluzave të bardha është bërë si pjergulla në lis të thatë. Në një nga katër skicat e Sartrit, hasa me rrushin aguridhe, që shkruhet: Zgjas dorën për të kapur një bistak rrushi. Nuk e arrij dot, e kam të pamundur. Ngre supet, ul sërish dorën, mërmëris: “janë shumë aguridhe” dhe largohem. Të gjitha këto gjeste, këto fjalë, kjo sjellje nuk janë rrokur aspak në vetvete. Bëhet fjalë për një anë komedisë që unë luaj poshtë bistakut për t’i përcjellë me anë të saj rrushit këtë karakteristikë “shumë aguridhe”, e cila mund të shërbejë si zëvendësim i sjelljes që unë nuk munda të përmbush. Sefte, rrushi paraqitej si “i arrirë për t’u këputur”. Mirëpo kjo cilësi urgjente u bë sakaq e padurueshme, sepse potencialiteti nuk mund të përmbushej. Kjo tendosje e padurueshme, nga ana e vet, bëhet një motiv për të rrokur te rrushi një cilësi të re “të qenët aguridhe”, që do ta zgjidhë konfliktin dhe shuajë tensionin. E pra, edhe rrush, edhe aguridhe në një kohë të menjëhershme, nëse ke etje apo dëshirë, do ta hash apo të veprosh mbi të. 
Me keqardhje e them, mos ndoshta do të vijë një ditë, që edhe po nuk pate lek në xhep, që kur i afërmi yt të bëhet keq për në spital do ta flesh mendjen se doktorët janë copë-copë dhe ndoshta e ke të sigurt antijetën karshi tyre? Ku mund ta gjeni Doktor Aguridhin? Adresa: Në çdo qendër shëndetësore, spital apo edhe farmaci. Por çfarë roli ka ky doktor? Është shumë e thjeshtë: Ne jemi kthyer në kafshë, ata në veterinerë.
Eljan Tanini, 18 Shtator 2015. Gazeta Shqip 

No comments:

Post a Comment