Saturday, November 12, 2011

Të Indinjuarit e Tiranës: Reflektim, Rebelim, Rikrijim



Duke marrë shkas në mundësinë që të jep shtypi, vendosa të shkruaj ca fjalë edhe për një OCCUPY TIRANA, ose ZAPTO TIRANËN. Kur Shqipëria të bëhet kazan plehrash e kapitalit të huaj dhe oligarkisë vendore në bashkëpunim me mafien e huaj, ne do bëhemi të punësuarit e shtetit tonë në mbeturinat e botës. Jo më mbeturina, por ndryshim prodhimi dhe vendim-marrjeje! Ne ende nuk duam të kuptojmë faktin se të protestuarit apo të dalurit në rrugë për protesta, është ndërgjegje qytetare, është si gjaku për trupin. Dje, më datë 11.11.2011 nga ora 12/00, një grup të rinjsh vendosën të zaptojnë Pedonalen, Rrugën Murat Toptani. Me shumë probleme të policisë, e cila e kufizoj orarin, protesta ashtu-kështu u bë.

Një protestë e cila ishte më shumë vizuale, por që në thelb mbart reflektimin apo edhe te folurin në grup kundrejt të gjithë qytetarëve që afroheshin; duke treguar për njerëzit që kalonin atje ato reflektime që u folën por edhe ato që qytetarët kishin interes të dëgjonin prej të indinjuarve. Pak kush e di, që edhe në Shqipëri ka një grup të rinjsh të indinjuar. Madje, që dalin në rrugë me kitara qe recitohet Migjeni, por edhe që lexohet Konica. Një stil proteste që tregon se edhe romancat e revolucionarëve romantikë nuk kanë humbur. Të indinjuarit dolën në rrugë se njerëzit nuk e kanë kuptuar ende që liria kërkon kushte.

Perandoria duket se po bie, por njëherësh ka edhe një lënie me qëllim, që të rinjtë apo studentët të mos forcohen. Nëse nuk ka asnjë mënyrë për të dalë pastër në rrugë, kjo është e mira që mund të bëjmë për më të mirën tonë, pavarësisht se këto janë gjëra të vogla.

Nëse ata luftojnë për interesat e tyre, po ne, pse mos luftojmë për interesat tona? Duhet menjëherë të mos harrojmë: Sa më shumë dikush flet për demokraci dhe liri, aq më pak ajo është pranishme (Berisha, Qeveria, e majta dhe korrupsioni, fjala vjen).

Shpesh herë, kur të thonë se çfarë do bësh nesër, nuk di të japësh një përgjigje, ose të paktën diçka ke planifikuar. Po këtu tek ne, çfarë duhet të bësh nesër? Në shoqërinë tonë dumdumiste, të kundërtat bashkëjetojnë gjithmonë. Mos ndoshta janë ftohur dhe shqiptarët? Jo aspak. E pse të jemi të kënaqur me kaq! Si qytetar i këtij shteti, në të cilin nuk ndihem aspak, ndiej që në shtëpitë SALISTANASE, ka kapur një ngërē i madh parash. Edhe ata që mbledhin kanoçe, lypsfitimi, banane në shitje me farërat e zeza, hajde llustra apo paketa cigare, peshore që peshon kohën e vet, kambist apo shitës kartash e numrash telefoni, shitës librash, apo edhe shitës që rrinë anës anave; qytetar protestash, kafesh apo hallesh, besoj se asnjëherë nuk mendojnë se duhet të vërshojnë në rruge! Pse? Sepse ne vuajmë nga frika e të protestuarit.

Nuk ndihem qytetar i këtij shteti, unë i jap shtetit, po shteti çfarë më jep mua? Asgjë, asgjënë që përpiqen ta bëjnë gjë. Dhe kur imagjinoj se në shtetin e SALISTANIT, gjërat po shkojnë mirë vetëm mediatikisht. Ka dalë e modës tani, vetëm 30 sekonda fushatë, shpikje zërash parlamentare, dhe qytetarët do gënjehen. Mos është kjo një indiferentizëm i qëllimshëm? Aspak jo, nuk janë salistanasit, apo edhe bashalimanët kaq intelektualë sa të bëhen indiferentë me qëllim. Ende jo, duhen shumë kohë, për indiferencën intelektuale.

Se fëmijët e këtij vendi, nuk kanë “Kënd Lojrash”, atë e sjellin një herë në vit dhe ja u lëne mu në qendër. Por ky vend ka figura të mëdha, pastaj udhëhiqet shumë mire, udhëheqësin e rëndësishëm e ka doktor njerëzish, ndërsa tjetrin doktor kafshësh. Shikoni se ç’bëhet me ata që drejtojnë SALISTANIN dhe BASHALIMANIN. Janë ulur përballë njëri-tjetrit. Kanë marrë një tryezë të madhe me këmbë të larta, dhe qytetarët rrinë poshtë për të kapur çfarë të gjejnë, por edhe atë që u bie nga sipër.

KRYENGRITJE STUDENTORE TANI! Pushteti lufton për interesat e veta, po ne, pse mos luftojmë për interesat tona?!
Zaptoni Tiranën!

Për Tirana Observer 12.11.2011

No comments:

Post a Comment