.
Sunday, May 8, 2011
Saturday, May 7, 2011
Voto, por vëri kryq votës në 8 Maj
Më kujtohet kur kam votuar për herë të parë, më dukej si një ndër gjërat më të rëndësishme që duhet ta fusja në baulen e kujtimeve. Prindërit e mi kanë kohë që nuk votojnë. Po kështu edhe një pjesë tjetër e familjes sime. I çuditur prej kohësh nga kjo gjendje që nuk më ka pëlqyer kurrë vendosa që në datën 8 Maj të votoj, duke shkuar me shumë dëshirë për t'i futur një kryq të madh votës sime. E gjitha kjo vjen nga një pakënaqësi e shpifur ndër vite, e cila na e ka sjellë në majë të hundës me këta njerëz të cilët duhet ti votojmë që ata të mbushin thesat e tyre. Madje, isha edhe pak i luhatur, të votoja njërin për të hequr tjetrin?! Jo, të dy janë njësoj.
Duke parë premtimet më boshe që kam dëgjuar ndonjëherë si majtas dhe djathtas, duke parë intelektualët dhe artistët tanë (prej të cilëve jam shumë i zhgënjyer) që mbështesin pa fund politikën, duke parë edhe qytetarët që janë të etur pa fund për trutë e reja të kandidatëve që duhet të zgjidhen për Bashkinë e Tiranës, por edhe për një moslëvizje të egos qytetare, dua të bëj një thirrje: Të shkojmë të votojmë, të mos e lëmë votën bosh, por t'i vëmë një kryq të madh letrës së votimit. Aty ku njerëzit janë të pakënaqur, aty ku njerëzit kanë kohë që nuk votojnë, vlerësimi më i mirë për veten e tyre është që të shkojnë të votojnë por t'i refuzojnë duke i vënë një kryq të madh votës së tyre! Kështu i kemi refuzuar të gjithë, dhe tregojmë se jemi të pakënaqur me ta.
Si qytetarë që nuk kemi ndërgjegje dhe që nuk interesohemi fare për atë që na takon jashtë derës sonë të shtëpisë, ne të gjithë mbajmë ende shpresë tek këta njerëz që edhe në sloganet e tyre shkruajnë marrëzira. Në këtë Tiranën tonë ku gjërat duken më shumë si të pamundura, por që mirësisht janë të mundura, nëse në datën 8 Maj, të gjithë ata që nuk duan të votojnë, që janë të zhgënjyer prej mesazheve të kota, apo aty ku gjatoshët duan të zënë erën e shtrenjtë të parasë, le të vendosin një kryq të madh në votën e tyre, se kështu ata do ta kuptojnë më mirë se çfarë kërkohet prej tyre.
Sa shumë PA kam thënë deri tani! Sepse jam tej mase i zhgënjyer si nga ndërgjegjja qytetare ashtu edhe nga premtimet e kota. Duke i vënë kryq votës tënde, ti shqiptar kudo që mund të jesh nëpër Shqipëri, i thua këtyre njerëzve që flasin lartë e poshtë se pas 8 Majit do të bëhet gjoja më mirë siç duan ata, dhe jo siç duam ti dhe unë.
Më e bukura është se edhe këta intelektualët tanë që janë kaq shumë të zotë, në vend që të ankohen se nuk kanë një Opera apo Teatër Kombëtar për të qenë, ankohen që të prishet Piramida. Jo që në vend të saj të ndërtohet imazhi i një gjëje që ka lidhje me artin dhe kulturën, por duhet të jetë patjetër një Kuvend që ka më shumë formën e një aeroporti të viteve 80-të. Na duhet të mendohemi mirë sesa e shtrenjtë është vota jonë.
Si është e mundur që një fuqi e tillë nuk ka atë që meriton, e bëhet ajo që Niçe e quan: Fuqi pa fitore. Njohja më e fortë (ajo e mungesës se plotë të lirisë së vullnetit njerëzor) është gjithsesi më i varfëri i sukseseve, sepse ka gjithnjë kundërshtarin më të fortë, krenarinë njerëzore. Në këtë unazë, vota shkon për atë lider partie që ka prapa tij një tufë me militantë më periferikë që më shumë është djathtas, dhe me një tufë tjetër që është majtas. Votën duhet ta japësh që ai të mbrojë qytetarinë (!?) Atëherë idealizmi dhe ndershmëria prej naivësh apo budallenjsh, shërbejnë për t'i dhënë partisë më shumë sesa përfitonin në ndershmëri, për t'u kuptuar edhe nga ata vetë se ca politikanë i vlerësojnë dhe i duan si emra, fytyra, fleta votimi, shifra, zëra në mitingje dhe ditë votimesh.
Nuk ka për t'u rregulluar asgjë për sa kohë duhet të dalim në shesh se na dhemb koka ne dhe jo liderit të partisë, se ne të gjithë duhet të lëvizim sepse duhet ta ndjejmë në ndërgjegjen tonë… Do dalim në sheshe vetëm kur të kemi një shoqëri të fortë, që do shqetësohet madje edhe për atë llojin e pemës së mbjellë ndanë rrugës.
Në datën 8 Maj do shkoj të votoj, madje, mezi po e pres atë ditë, do i bëj edhe një foto votës sime, do ta hedh edhe në Facebook me një kryq të madh të zi mbi të.
Mirë më tha një ditë një shoku im shofer: Sot vallaj është turp të merresh me politikë.
Ndërsa ajo që po më shtohet më shumë në mendje, është se pothuajse të gjithë politikanët shqiptarë një mut janë, dhe nuk kam ndërmend të nuhas më erën e tyre.
Gazeta Tirana Observer 7 Maj, 2011
Subscribe to:
Posts (Atom)