Monday, April 1, 2013

TË Ç’NDERUAR POLITIKANË, GËZUAR 1 PRILLIN


Dikur në një shtëpi publike kur dikush sapo mbaron atë që donte, nxjerr paratë dhe paguan. – Hej po këto paratë e tua janë false, i thotë vajza. Ndërsa ai: – Pse seksi yt nuk ishte fals? Është po e njëjta lëvizje karakteri edhe tek ne, më jep, të të jap dhe në fund të dyja anët, populli dhe politikanët, nuk meritojnë asgjë për ata që e kuptojnë se kur vjen koha të votosh, ti nuk do asnjërin! Ose do edhe të grisësh votën, ta shpallësh atë të pavlerë, sepse kërkon një mënyrë për të mos u vënë me asnjërën palë! Në festën e mashtrimit, dora nga sipër tashmë më e madhe se ata vetë është lëvizësi i palëvizshëm, është ndreqësi i ndreqjeve, dhe mbi të gjitha, gabuesi i pagabueshëm në një lodhje zhgënjyese që meriton të ndërrohet jo për arsyen se të heqësh njërin duhet të votosh tjetrin. Nëse duhet të votojmë njërin që të heqim tjetrin, atëherë kjo do të thotë se unë dhe ti jemi përsëri të dënuar për të bërë një gjoja zgjedhje e për të kuptuar pasojën me premtimet që rifillojnë.

Në të vërtetë ata sot duhen uruar, të nderuar politikanë rigëzuar 1 Prillin, festën që mashtrimi juaj nuk është se na bën shumë përshtypje me rutinën. Ata i kanë të gjitha vitet prandaj sikur nuk u shkon të mos lihet një festë, sepse këta tanët, ashtu si edhe të tjerët e sërës së tyre, vuajnë nga kompleksi i pinokëllokut. Pinokët tanë, pasi janë fabrikuar nga një kohë e hershme që përkëdhelen nga të gjitha sistemet janë bërë tashmë marioneta dhe lëvizen edhe nga më lartë: ose janë paravendosur. Ashtu të punuara nga një dorë, që janë kaq të shpifur, afrohen dhe na lypin votën sa herë duan, ndërsa ne kuptojmë se edhe në këto zgjedhje ata do të na hipin sipër edhe për katër vite të tjera. Mos o Zot të jemi përsëri kaq idiotë sa të dinë të na mashtrojnë bukur për të na e marrë votën edhe këtë herë! Eh tashmë nuk dinë se çfarë mashtrojnë. Emmm, kanë festën sot. Le të ç’festojnë, se nuk u bë asgjë e keqe për një ditë të caktuar. Pse ç’festën në Kuvend do ta bëni, po edhe gotat atje do t’i ç’trokisni?! Eh kur trokasin ata votat edhe gotat, përcaktimin e ditëve tona në të gjitha ndikimet dhe mendimet e kanë marrë njerëzit mediokër, me një hijeshi perëndish për të marrë vota nga ne më të thjeshtët, e deri te varfëria që ata të shtojnë peshën e pasurisë, me arsye mburojën nga njëri-tjetri.

Të lincecuarit për mashtrime kombëtare por edhe ndërkombëtare duhet ta shkruajnë sa më shpejtë në kalendar se kjo është dita e tyre. Ose në arsyen se janë në mendje me këtë gjë dhe nuk i përkushtohen kësaj dite! Më kujtohet një natë janari, kur kaloja në bulevard para zyrave të Kuvendit, dhe nuk po i besoja figurës që pashë se disa nga dritat e zyrave ishin ende ndezur. Më saktë ora ime shënonte 3:00 e natës. Të punojnë vallë kaq shumë! Në tri njësi matëse, reflektim, rebelim dhe rikrijim këta njerëz na e shpifën sepse ne mendojmë më shumë për gjërat tona dhe gjashtë muaj para datës së votimit rebelohemi vetëm në ditën e zgjedhjeve dhe rikrijojmë vetëm punët tona. Në orën e tyre tashmë duan të marrin më shumë. Dhe çudia urbane është se në këtë ditë, ata nuk gënjejnë fare! Mos vallë e doni pushim se me siguri ju pëlqen kjo ditë. Sa u shkon! Propozimi i radhës vjen për kryeulëritësen dhe traumatikët brenda perandorisë por edhe të tjerë që bëjnë të kundërtën në Kuvend që 1 Prilli të vendoset në kalendar si festa e politikanëve tanë aty ku as më pak e as më shumë, as një mendim i ri me më shumë klounë se burra e ato pak gra, që nuk janë më larg se burrat tanë të shumtë në politikë. Një ç’gëzuar për ju! Na u qelb ekrani nga fjalë të kota e premtime plotboshe me njolla. Sepse në shqiptarostanasit do të mbetemi përsëri të marrosur nga fjalët e tyre dhe vështirë të themi që ka një shoqëri protestash që di të reflektojë.

Të nderuar politikanë që visheni me kravata, më shumë se në shtëpinë e klounëve të Kuvendit, pikërisht aty në botën tuaj tashmë më të lartë se kjo e jona, përpiquni të thoni ndonjë mashtrim edhe në këtë ditë, se jo për gjë po ju shkon shumë. Pastaj edhe qetësia mediatike nuk do quhej pa ju. Të nderuar politikanë gëzuar 1 Prillin, le të jetoni ju më mirë, le të jenë fytyrat tuaja më të ushqyera, le të jenë fëmijët tuaj më të përkëdhelur, le të keni ju makina e shofer edhe kur shkoni për vizita e pushime e shumë si këto në etj… Sa kënaqësi keni, kur e merrni votën e më pas përmjerrni dhe përhumbni imazhin e shqiptarit të thjeshtë duke kujtuar se njëri por edhe të gjithë bëjnë të jenë perënditë. Kot nuk e ka ai shoku im shofer që vazhdon e thotë: Sot vallaj është turp të merresh me politikë. Shikoni se ç’bëhet me ata që drejtojnë stanin. Janë ulur përballë njëri-tjetrit. Kanë marrë një tryezë të madhe me këmbë të larta, dhe qytetarët qëndrojnë poshtë për të kapur çfarë të gjejnë, por edhe atë që u bie nga sipër. Nuk ndihem qytetar i këtij shteti, unë i jap shtetit, po shteti çfarë më jep mua? Mos gëzuar festën! Për të gjithë llojet që festojnë sot, është vështirë që plehrat të pastrojnë plehrat, prandaj këto të fundit pastrohen pothuajse nga njerëz të pastër. Për llojet që gjenden kudo, anës një lumi apo në mal, nuk ka rëndësi, plehrat janë kudo si anembanë Shqipërisë por edhe në të gjithë Parlamentin.

Në një fundmbrëmje kur të gjitha ndodhitë më kishin mbaruar, ulem në një nga kafetë afër punës sime. Me vjen afër një deputete me shumë role të tjera bashkë me të shoqin. Duke mos më parë sepse unë isha në një si kthinë, prej moralit të asaj dite kuptova se gjërat nuk po shkonin mirë edhe nga biseda e një nate më parë në TV. Pasi ndanë bashkë çfarë duhej bërë, ajo i thotë të shoqit: – Nuk i kemi fare mirë detyrat, edhe nëse i humbim ato mut zgjedhjesh, duhet të gjejmë gënjeshtrën më të saktë për datën 24.

Gazeta Shqip
1 Prill 2013