Friday, June 1, 2012

Qyteti ku fëmijët kanë harruar të luajnë!


Çfarë nuk bënim për të luajtur kopac ndër lagje! Çfarë nuk bëja për të shqyer kopsat e veshjeve në dollape! Si dënim, disa ditë pa dalë nga shtëpia! Pastaj fiksimi me rrumbullaksinë duket më i hershëm, që me petat për të luajtur sërish me lagje dhe për të qenë më i miri me të cakiturat e tyre! Shtrimi i ndonjë rruge me zhavorr, ishte shtimi i thesarit të petave! Më e shpifura? Kaladibrançe, të duroje tjetrin mbi ty! Po futboll? Portier si gjithmonë!


Nuk shoh më fëmijë të luajnë. Kanë harruar lojrat apo nuk ka më fëmijë në lagjet tona? Ndoshta nuk ka më topa apo litarë për të kërcyer!


Duket sikur nuk ka më fëmijë që luajnë bashkë: djem dhe vajza që pastrojnë oborrin e pallatit! Çuna që gjuajnë me llastiqe për të ngrënë kumuri (dhe ndonjë gjyshe që i pjek ato në sobë) apo për të thyer xhamat e zonjës Va. Vajza që luajnë shtëpirash, mamash apo babash, të tjerë që luajnë komand-komand, syllambylla e topadjegsi! A ndahen përsëri për të shtirë teksobiçi apo edhe doçekanoçe? Po me tapaçka nga shkalla në shkallë me kapak kavanozi? A ulen përsëri në shkallët e pallatit, dhe të dalë ndonjë zonjë Pa për t'i larguar, duke i hedhur ujë ose me fshesë në dorë se gjoja po del për të pastruar shkallën? Ku janë vajzat e vogla që mblidhen për të bërë ushqimin e kukullës? Përse brezi im ka luajtur dhe tani jo më? 


A e bëjnë ende vajzat "MISS-in" e pallatit e të lagjes? Ende shtijnë lekë për të blerë dhuratën e "MISS-it"? Po juria ku është? Gratë e pallatit, përse nuk dalin në dritaret e shkallëve a ballkone për të parë sfilatën?! Djemtë, a zihen më me fjalë të pista, a çahen nëpër këmbë, duke hipur në garazhe poshtë lagjes a në pisha, a shkojnë nga liqeni për të kapur peshk e për t'u larë? (Se mu kujtua); të gjithë laheshin në liqen, unë jo, se më vinte ndot nga era e ujit, por ndonjëherë me dhunë edhe jam larë per hatër te grupit! Nuk ka më liqen, por as pemë me pisha poshte pallateve! 


Po ata që bëjnë karroca me kuzhineta! A gjen ndonjë burrë moshe që shet gjela dhe mollë të pjekura me sheqer? Ka lëpirëse, por a ka fëmijë, të cilët kur shohin njëri-tjetrin që po ha fara luledielli shkojnë të blejnë edhe ata! Ndoshta unë nuk shoh të ketë, por të gjithë po kthehen në legjendë urbane. Harrova, të paktën festojnë edhe 1 Qershorin. Flas si një fëmijë për qytetin e tij, atje ku gjunjët gërvisheshin dhe çaheshin mbi garazhet e rreshtuara para pallatit, aq sa urinoja mbi gjunjë që të piqej lëkura, aty ku pëlqeja të hidhesha prej tyre në rërë; apo të luanim në trotuare, duke vënë në lojë këdo. 


Nuk harroj edhe atë shprehjen time: "Shteta, më fal sa është ora?" Unë nuk dua aspak të them se ishim ne fëmijët që luanim, duke bërë qejf, por të nënvizoj se s'po shoh aspak fëmijë të tjerë të luajnë poshtë pallateve! Për çfarë mendojnë fëmijët e sotëm? Ku janë? A luajnë me dhe? Ose hedhja në loje e kalimtarëve të trotuarit kundrejt kalimit të një teli imagjinar, këtë të fundit e zëvendësonte shumë mirë hija e shtyllës së ndriçimit! Apo hedhje sendesh të leshta në këmbët e kalimtareve si minj imagjinar… Sa andej këtej syllambyllësi me doçekanoçe, dallëndyshe të zeza nga ato të mëdhatë, që fluturojnë vegimthi në ikje drejt perëndimit! 



P.S. Qëllimi i këtij shkrimi është të kujtoj tek ne lojën e fëmijërisë.
Shqiptarja.com1 Qershor 2012



Foto nga Erion Kumuria