Kanë harruar të flasin për punën e tij 60-vjeçare. Sa keq më vjen për ne! Në vend që të krijojmë gjendje shpirtërore dhe të mbrojmë kujtesën e përbashkët nga ata që flasin për çdo gjë e deri te mjeshtrit e heshtjes, ne harrojmë të mendojmë përfitimin pozitiv prej asaj që është e jona: piktura e tij. E zhvarrosën Ibrahim Kodrën për teka tipash me dhe pa taka. Kjo tregon aspak respektin që ne kemi ndaj vdekjes! Ndoshta kështu kemi qenë gjithmonë! Tani po i krijojnë një varr krenar të Kodrat e Liqenit Artificial për të respektuar mbase një përfitim prej atij që nuk është më. Se nuk mjafton ajo që na ka lënë pas, por duhet të merren edhe me lëvizjen e eshtrave. Mbase me varrin e ri të Ibrahim Kodrës po përfitojnë ata që mbajnë veprat e trashëguara prej mjeshtrit. Si fillim po bëjnë në publik një debat të madh, dhe ne fund të ditës pa natë, emri i tij është folur kaq shumë, sa atyre u rritet vlera e veprave dhe veprimi i radhës mes një grupi të ngushtë. Shihni kur të shpallin një ankand të madh, pas gjithë kësaj situate qe u krijua duke lartësuar me dhunë respektin e tanishëm intelektualist ndaj Ibrahim Kodrës.
Edhe në muze po tregohet shumë keq Ibrahim Kodra. Të paktën mjeshtri
nuk është vetëm në sjelljet tona të shëmtuara si ndaj Skënderbeut,
Ismail Qemalit, Nënë Terezës etj… Kushedi se çfarë do të bënte mbase
edhe me dhunë ndonjë shtet fqinj pranë nesh, po të kishin një artist si
Kodra. Mbase ata do të krijonin një super fasadë aspak të vërtetë me një
shërbim perfekt ndaj figurës së tij. Ndërsa ne që i kemi faktet dhe
dedikimet, bëjmë asgjë! Eshtrat e Ibrahim Kodrës nuk janë ankand politik
që të jepen me koncesion! Kthej kokën nga një hapësirë varrezash aspak
interesante! Debati për maestron ngjan i shëmtuar, merren me kodra,
fshatra apo merita dhe jo me vepra të plota ndaj nesh dhe tij. Mund edhe
të themi që tani: Parku i Liqenit dhe i Varrezave. Pse po kthehet
Liqeni Artificial në një varrezë me njerëz të rëndësishëm? Pse duhet të
mblidhen ata që ikën nga kjo botë në një vend pranë qendrës? Po, ka edhe
shumë të tjerë që janë të dëgjuar në historinë tonë, por ne nuk i kemi
varrosur atje. Mbase kanë një plan të shtohen etërit tanë në atë kodër!
Të zhvarrosen, çfarë presim ende?!
Ne mund ta kishim bërë mjeshtrin e madh simbol kombëtar. Duke filluar
nga zyrat e shtetit e deri te dyqanet që mund të tregtonin në forma të
ndryshme imazhet kombëtare të Kodrës përmes një marke të vetme. Mbase
vetë qeveria e tanishme mund ta kthente pikturën e Ibrahim Kodrës në
dhurata ndërkombëtarësh. Nuk thashë në joshje artistike apo turistike!
Ishmi u shua përfundimisht si një vend shpirtëror, ashtu siç edhe varri i
Konicës pranë vëllezërve Frashëri, duke na dhënë rëndësi totalisht të
kundërta. Ne nuk bëmë asnjë muze për të, në mos muze, diçka që jetohet
nga të gjithë në lidhje me artin pamor. Ibrahim Kodrës i vendosëm në
qendër të Tiranës një vepër të kopjuar keq! Si gjithmonë, ne nuk marrim
vesh nga veprat artit në park. E kam vizituar për herë të parë Ishmin
vetëm prej piktorit. Kisha interes të shihja diçka tjetër në atë varr
mbi kodër. A u bë ndonjë gjë më shumë përveç një betoni pak interesant?
Jo, sepse Kryeministri ynë i tanishëm është piktor, ai do vetëm artin e
tij.
Nuk bën më aspak habi fakti i nënshtrimit të shtetit me rregullat
tona. Një ditë çohen dy njerëz dhe kërkojnë një zhvarrim! Mos vallë e
kanë kërcënuar shtetin tonë dy njerëz me pasurinë e trashëguar të
Ibrahim Kodrës? Brenda të gjitha amaneteve eshtrat e mjeshtrit varrosen
atje ku duan të gjallët. Por a do të bëhet diçka më shumë pas këtij
kompromisi publik? Mjeshtër, shpirti yt jeton në cepat e ngjyrave.
Eljan Tanini
Gazeta Shqio 11 Shkurt 2016