Tuesday, March 8, 2011

Festëprotesta e 8 Marsit, dhe gratë gojëkyçura



Ç’fatkeqësi të jesh grua! E megjithatë, fatkeqësia më e madhe kur je grua, është në thelb të mos e kuptosh me të vërtetë se ç’do të thotë të jesh e tillë. Është një kohë që feminizmi tek ne ende po luhatet, por nuk e vë në dyshim që në këtë shprehje të Kierkegaard çdo grua e di mirë se çfarë ndjen nga lindja e saj e deri në të bërit grua! Ikja është kur gruaja ndjen dhe nuk reagon. Ose nuk e ka kuptuar ende të shfaqurin e forcës së saj. Pavarësisht se ajo e di shumë mirë këtë gjë, pyetja ime është e thjeshtë: Për çfarë protestojnë gratë tek ne? A protestojnë ndonjëherë?!
Në të gjitha komplekset e shoqërisë sonë, nuk duhet ta mohojmë se edhe gratë duhet të mblidhen për ato çka u mohohet. Por, ndoshta edhe gratë kanë një problem më shumë këtu? E kam fjalën që edhe ato nuk dinë mirë se çfarë kërkojnë, dhe xhanën si mund ti kërkojnë ato që duan pa burrat? Çfarë është kjo antropologji feministe që vjen nga lartë poshtë, për tu mbledhur të gjitha bashkë, e për ta shfaqur se ja, jemi edhe ne. Në një festë që ngatërrohet më shumë me ditën e nënës, grupimet e grave duket më shumë se duan të ndryshojnë ditën, apo të ikin nga burrat vetëm për një ditë. Në fakt, ajo që kam vënë re më shumë në ditët tona, është se gruaja dhe vajza, po shfaqin gjithmonë e më shumë një fuqi që po vjen dhe fuqizohet pa praninë e meshkujve. Kjo gjë duket edhe e frikshme!Ndoshta është koha që gruaja të marrë një pavarësi më të tepruar. Këtu nuk ka asgjë të keqe, por ajo po anashkalon më shumë burrin. Dhe për këtë e kemi fajin ne meshkujt. Nga dhuna e grave tona, prej dhunës në stadiume, apo dhunës se politikanëve injorantë që nuk lënë asgjë pa thënë për gratë e botës, ne nuk dimë dhe nuk duam të reagojmë, duke shtuar këtu edhe ato gratë që dalin çdo datë 8 Mars për të drejtat e tyre, dhe që bëjnë po të njëjtat gjëra çdo vit. Është e bukur që në një vend si ky i yni, revolucioni të vij nga gruaja. E që në fakt, ajo është e tillë, por herë shfaqet, herë ikën, e herë gratë burrosen më keq se burrat.
Është e kuptueshme se në këtë datë, gratë kanë edhe ndasitë e tyre. Do shohim të dalin ato gjoja të majtat për të protestuar, do dalin këto që bëjnë po të njëjtat gjëra çdo vit, për të mos harruar këtu edhe ato që përkrahin super të djathtën duke u takuar dhe grupuar; folur, stërfolur, gjykuar, feminizuar më keq dhe duke u bërë kështu më të shëmtuara se meshkujt. Harrojmë se këta burrat injorantë që na drejtojnë, nuk lënë gjë pa thënë për gratë e botës, jo vetëm për to, por edhe për gratë e familjeve të njëri-tjetrit. E pra, këtu qëndron problemi, sepse edhe në një ditë që dalin, hedhin po ato fjalë që kanë thënë dhe thonë gjithmonë. Duke mos reaguar edhe në kohën kur fyerjet politike janë më të freskëta në terren. Gjithkush i ditka shumë mirë problemet e seksit të secilit prej tyre. Si mund ta lejojnë gratë e këtij vendi, kur njeriu i plakur me pushtetin, fillon e flet për gratë e botës, që nga lavirja, e deri tek ato të tjerat për tu thënë çdo gjë që mendon në moment, ashtu si për të shpëtuar kohës që flet! Strategji e shëmtuar! Dhe gratë tona, këto gjoja të shoqërisë civile, nuk reagojnë! Pastaj, nuk mund të harrohet për 8 Marsin, dhuna që na jep politika çdo ditë, dhe gratë e këtij vendi, jo vetëm që nuk thonë asgjë për këtë, por merren me të përsëriturat.
Kur Berlusconi kërkonte ndonjë vajzë të bukur para Beros tjetër, u hodhën të gjitha për fyerje të madhe. Ndërsa kur këtu, Beroja me shokë, të majtë e të djathtë injorantë, flasin për gratë e botës, askush nga këto gra dhe vajza nuk reaguan para zyrës së tij. U bënë dy arsye: BER-BER. Dhe?!
Prandaj seksualiteti tek ne, shihet si dhunë me një propagandë të keqe. Ne nuk e kuptojmë, ose më mirë bëjmë sikur duam të kuptojmë se problemet seksuale nga e pushtetshmja janë edhe të vërteta kur shiten si të ndërgjegjshme, apo sa mirë bëri që e tha. Lidhur me këtë, Foucault (faqe 97) shkruan: … seksit i kërkojmë të na shpreh të vërtetën (por, përderisa ai është sekreti që pa reshtur i shket vetvetes, na takon neve t’ia shpalosim vërtetësinë e kulluar, vërtetësinë e deshifruar më në fund të së vërtetës së tij të turbullt); i kërkojmë atij të na shpalosë të vërtetën tonë, ose më saktë, i kërkojmë të na shpalosë vërtetësinë e fshehtë, vërtetësinë e thellë të së vërtetës sonë sipërfaqësore, që na duket se e zotërojmë në format e ndërgjegjësimit intim (conscience immediate). Ama, të gjitha lëvizjet e grave reagojnë gjithmonë kur dhuna e fjalës se shprehur është e barabartë me dhunën e seksit. Po tek ne? Këtu, moria e madhe që e karakterizon pushtetin e dhunës, vjen nga sipër e më pas hapet poshtë në familjet tona. E nëse vjen nga sipër, e nëse dhuna që na jep pushteti i fjalës është kaq i mirëmenduar, kjo do të thotë se këtu ka diçka më shumë që nuk funksionon. Protestat e 8 Marsit tek ne duhet të jenë edhe për ato gra dhe vajza që janë vrarë jo vetëm ndër vite, por edhe ditët e fundit. Që nga njëra me 60 thika në trup dhe deri tek ajo e të tërhequrit zvarrë. E në fakt, lista është shumë më shumë se kaq. Këtu përgjegjësia është edhe e medias, por edhe e reagimeve të grave, të cilat reagojnë një herë në vit.
Prandaj ajo që thotë Sartri vlen ende për ne: Gjysmë viktimë, gjysmë bashkëfajtore si të gjithë. Por gratë, nuk po dinë të marrin ende edhe atë që duhet. Sepse duke qenë një qendër kaq e madhe, ato mund të fitojnë atë që duan, shumë më mirë se sa burrat. Tek Seksi i dytë, në pjesën Gjendja dhe karakteri i gruas (faqe 322) Simone de Beauvoir shkruan: Nganjëherë i kundërvëmë universit mashkullor “botën femërore”, por duhet nënvizuar edhe një herë se gratë nuk kanë përbërë kurrë një shoqëri të pavarur dhe të mbyllur; ato janë përfshirë në shoqërinë e qeverisur nga meshkujt, ku kanë zënë një vend vartës; ato janë bashkuar, si të ngjashme që janë, me një solidaritet mekanik: mes tyre nuk kemi atë solidaritet organik mbi të cilën ngrihet çdo bashkësi e njëjtësuar; ato janë përpjekur gjithmonë – që në kohën e mistereve të Eleuisit ashtu edhe tani në klube, sallone, oda – që të bashkohen për të afirmuar një “kundër univers” por përsëri edhe këtë gjë ato e vendosin në gjirin e universit mashkullor. Gruaja tek ne, ka shansin të bëjë një lëvizje të madhe, për çdo anë të jetës. Më thoni, çfarë bëjnë gratë e shoqërisë së televizionit, artit, fesë, drejtësisë, politikës, biznesit, katedrave akademike e shumë të tjera, përveçse punës së tyre; ku thonë se brenda kësaj pune përkrahin dhe edukojnë të gjithë por edhe gjininë e tyre, dhe nuk bëjnë asgjë për tu mbledhur bashkë e për të reaguar si një lëvizje qytetare?!
Si në çdo kohë festash, në shoqërinë e klientelizmit, përveç mbledhjes së grave bashkë dhe shijeve të moshës, gratë apo vajzat për 8 Mars kanë edhe një mundësi tjetër: T’ia u shpifin burrave, duke shkuar në një feste striptizë ku kërcejnë meshkuj, ose të përgatisin një dhurate të tillë vetëm për dëshirat e tyre.
Hëna është e gruas, dielli i burrit, por gruaja nuk mund të bëjë histori çdo ditë pa burrin. Ashtu siç edhe ky i fundit, nuk ka ku te shkoje pa gruan!
-----
1. Michel Foucault: Historia e Seksualitetit – 1 Vullneti per Dije, Shtëpia botuese “Dukagjini” Peje-Dukagjin 2008.
2. Simone de Beauvoir: Seksi i dyte(Përvoja e jetuar), Shtëpia botuese “Çabej”, Tirane 2002.

Foto: Nga Armand Sallabanda.

Për Gazetën TIRANA OBSERVER 8 Mars, 2010.

Sunday, March 6, 2011

7 Mars-Çfarë dhurate t’i çojmë zyshës?

.
Çfarë dhurate do t’i çojmë zyshës për 7 Marsin? Gati të gjithë e dimë që shkolla e parë shqipe është hapur në Korçë, më 7 Mars 1887. Në kujtim të kësaj ngjarjeje, 7 Marsi është shpallur Dita Kombëtare e Mësuesit. Nga gjithë kjo histori e gjatë e arsimit, çështja që shtrohet e të bën të mendosh, është se a ishin edhe mësuesit e parë kaq të babëzitur sa këta të sotmit? Apo nxënësit e tyre, nga që donin ta kishin mirë me mësuesit, u bënin edhe dhurata… Ndoshta e kemi traditë që, brenda sistemit të meritokracisë, asgjë nuk mund të meritohet. Por, edhe nga babëzia, këto mamatë e ditëve tona bëjnë çmos që fëmijët e tyre të kenë dhuratën më të bukur për këtë festë të kthyer në shëmti. Në fakt, po nuk i bëre dhuratë zyshës, ajo do të të marrë inat (jo se do të ta thotë), pasi e ndjen mungesën e dhuratës, e shkreta. “Po pra, o ma, do shtijmë lek me klasën, dhe do blejmë një dhuratë për zyshën.”
Çudi, si është krijuar një kult preference i theksuar, se zyshës atë ditë i duhet bërë patjetër një dhuratë! Rrjedhimisht, i bie që shtëpitë e zyshave të jenë të mbushura me dhurata, më saktë, “shtëpi zyshe-suvenire”. “E mi zyshe, po lule do? Apo nuk të pëlqejnë më ato? Po sikur klasa të të bënte një buqetë të madhe me trëndafila të kuq dhe të ishin aq trëndafila sa ka edhe nxënës, a do të të pëlqente?” Çfarë kompleksi, t’i bësh zyshës dhuratë për 7 Marsin! “O zyshe, po ku i çon ti gjithë ato dhurata, apo i shpërndan andej-këndej, kur ke për të shkuar në ndonjë ditëlindje?” Po të jetë zysha e re, emmm, duhet ndonjë dhuratë e bukur, ndonjë varëse, ndoshta. Po të jetë zysha më në moshë, ndonjë gjë më e thjeshtë. Po të jetë profesor, pra mësues, ku e di unë se çfarë dhurate mund t’i bësh një mësuesi? Celular? Jo, kravatë ndoshta. Lum si këta që marrin dhurata çdo vit, por se mos u intereson shumë se kush i ka sjellë! Në fakt, pse duhet të interesohet se kush e solli dhuratën, rëndësi ka që e solli apo e sollën. Dhe, si bëjnë, sikur nuk duan! Kjo është thjesht dhe vetëm një festë biznesi; këto ditë dyqanet e dhuratave i shikon plot me fëmijë. Zakonisht, është një, pra njëra ajo që i mbledh lekët për gjithë klasën, ndërsa disa të tjerë shkojnë e blejnë dhuratën. Atë ditë zysha bën festë në klasën kujdestare. Te dhurata e sjellë është edhe një letër, ku shkruhet se kush i ka dhënë lekët, më saktë, emrat. Kalamaja, mos harroni zyshën tuaj! Zysha ka dy festa, edhe 7 Marsin, edhe 8 Marsin.
Po mirë mi zyshe, puna jote. E kam fjalën që 8 Marsi, sikur është zbehur pak, as zyshat nuk duan më mimoza tani. O zyshe, po dërrasën e zezë a ta vizatuan për këtë festë? Dhe ti, ça bëre, u çudite kur hyre në klasë? Sa mirë, çdo 7 Mars çuditeni ju, ndërsa prindërit, edhe po, edhe jo. Mund të ndodhë ndonjëherë që ndonjëri nuk shtin fare lekë. Shprehja që dëgjon këtë herë është: A do shtini lek për zushën, apo jo? Eh, mi zyshe…! Stres i madh në shtëpi, duhet blerë dhurata për zyshën. Sa e ngarkuar do jetë atë ditë ajo! Në fakt, në këtë ditë, po të shohësh gra të veshura mirë dhe të ngarkuara rëndë, e kuptohen menjëherë që janë zysha. Më kujtohet dikur, nga 8-vjeçarja, se gjithmonë e kam pasur jo me ndonjë dëshirë të madhe t’i bëja dhuratë zyshës, apo të shtija lekë për të. Ndonjë zyshe, që nuk e kisha mirë muhabetin, do t’i bëja edhe ndonjë dhuratë. Gjithmonë thosha: po Çimi, profesori i punës me dru, a merr dhurata ai! Në këtë ditë, këta mësonjësit apo arsimtarët shkojnë në një festë të përbashkët, po mirë bëjnë. Nga dhuratat më të çuditshme, për të cilat grindesha gjithmonë me time më, mbaj mend më të habitshmen festë. Zyshës i kishim bërë gati që të gjithë dhurata: geta, parfum, sapun dhe një lule artificiale. Sa të shëmtuara ishin ato lulet artificiale!
Sa popull arsimdashës jemi ne shqiptarët; duam si e si t’i shkollojmë fëmijët tanë, por, se si, pak rëndësi ka! E, në fakt, problemi i të bërit dhuratë sa për të thënë, i luksit të tyre, apo edhe i dhuratës më të veçantë, sigurisht që do ta lumturojë zyshën. Por brenda këtij kompleksi të të bërit dhuratë qëndron edhe meritokracia. Sa keq, po nuk i bëre zyshës dhuratë në këtë festë, seç ndjen shqiptari! Ose fëmija i tij do të ndihet i ndarë nga shokët, ose duhet të bashkohet me turmën. E vetmja zgjidhje, e cila e bën njeriun të reflektojë para këtij kompleksi, nuk do të jetë koha kur të gjithë do të kenë lekë në xhepat e tyre, por kur prindërit të dinë mirë të mendojnë se, të frysh një mësues me dhurata, nuk është gjë tjetër, veçse një servilizëm sa për të thënë. Një çast komod për një dhuratë kineze, apo e blerë te linja… Jo, jo, këto të fundit nuk bëjnë, se i njeh zysha mirë, janë të lira.

“Të keqen mami, çfarë dhurate do t’i çojmë zyshës për 7 Marsin?”
Pasi dilema në shtëpi u zgjidh, Qerosi vendosi t’i bënte zyshës një dhuratë të bukur për këtë festë. Ai i shihte të tjerët përreth dhe mendohej. Një djalë, që i punonte babai në një dyqan lulesh, i kishte sjellë një tufë me lule mësueses. Një vajzë, mamaja e së cilës punonte në një bonboneri, i kishte sjellë një pako me çokollata. Qerosit, që i punonte i ati në një dyqan pijesh, i kishte sjellë mësueses një kuti të rëndë. Mësuesja e ngriti lart dhe pa se diçka po pikonte. E provoi me gisht dhe tha: “Është verë?”. “Jo”, ia kthen Qerosi. Provoi edhe një pikë tjetër. “Shampanjë?’ “Jo”, i përgjigjet përsëri ai. “Nuk e di, dorëzohem! - i thotë mësuesja. - Ç’farë është?” Qerosi i përgjigjet: “Është një qenush”.