Tuesday, March 8, 2011

Festëprotesta e 8 Marsit, dhe gratë gojëkyçura



Ç’fatkeqësi të jesh grua! E megjithatë, fatkeqësia më e madhe kur je grua, është në thelb të mos e kuptosh me të vërtetë se ç’do të thotë të jesh e tillë. Është një kohë që feminizmi tek ne ende po luhatet, por nuk e vë në dyshim që në këtë shprehje të Kierkegaard çdo grua e di mirë se çfarë ndjen nga lindja e saj e deri në të bërit grua! Ikja është kur gruaja ndjen dhe nuk reagon. Ose nuk e ka kuptuar ende të shfaqurin e forcës së saj. Pavarësisht se ajo e di shumë mirë këtë gjë, pyetja ime është e thjeshtë: Për çfarë protestojnë gratë tek ne? A protestojnë ndonjëherë?!
Në të gjitha komplekset e shoqërisë sonë, nuk duhet ta mohojmë se edhe gratë duhet të mblidhen për ato çka u mohohet. Por, ndoshta edhe gratë kanë një problem më shumë këtu? E kam fjalën që edhe ato nuk dinë mirë se çfarë kërkojnë, dhe xhanën si mund ti kërkojnë ato që duan pa burrat? Çfarë është kjo antropologji feministe që vjen nga lartë poshtë, për tu mbledhur të gjitha bashkë, e për ta shfaqur se ja, jemi edhe ne. Në një festë që ngatërrohet më shumë me ditën e nënës, grupimet e grave duket më shumë se duan të ndryshojnë ditën, apo të ikin nga burrat vetëm për një ditë. Në fakt, ajo që kam vënë re më shumë në ditët tona, është se gruaja dhe vajza, po shfaqin gjithmonë e më shumë një fuqi që po vjen dhe fuqizohet pa praninë e meshkujve. Kjo gjë duket edhe e frikshme!Ndoshta është koha që gruaja të marrë një pavarësi më të tepruar. Këtu nuk ka asgjë të keqe, por ajo po anashkalon më shumë burrin. Dhe për këtë e kemi fajin ne meshkujt. Nga dhuna e grave tona, prej dhunës në stadiume, apo dhunës se politikanëve injorantë që nuk lënë asgjë pa thënë për gratë e botës, ne nuk dimë dhe nuk duam të reagojmë, duke shtuar këtu edhe ato gratë që dalin çdo datë 8 Mars për të drejtat e tyre, dhe që bëjnë po të njëjtat gjëra çdo vit. Është e bukur që në një vend si ky i yni, revolucioni të vij nga gruaja. E që në fakt, ajo është e tillë, por herë shfaqet, herë ikën, e herë gratë burrosen më keq se burrat.
Është e kuptueshme se në këtë datë, gratë kanë edhe ndasitë e tyre. Do shohim të dalin ato gjoja të majtat për të protestuar, do dalin këto që bëjnë po të njëjtat gjëra çdo vit, për të mos harruar këtu edhe ato që përkrahin super të djathtën duke u takuar dhe grupuar; folur, stërfolur, gjykuar, feminizuar më keq dhe duke u bërë kështu më të shëmtuara se meshkujt. Harrojmë se këta burrat injorantë që na drejtojnë, nuk lënë gjë pa thënë për gratë e botës, jo vetëm për to, por edhe për gratë e familjeve të njëri-tjetrit. E pra, këtu qëndron problemi, sepse edhe në një ditë që dalin, hedhin po ato fjalë që kanë thënë dhe thonë gjithmonë. Duke mos reaguar edhe në kohën kur fyerjet politike janë më të freskëta në terren. Gjithkush i ditka shumë mirë problemet e seksit të secilit prej tyre. Si mund ta lejojnë gratë e këtij vendi, kur njeriu i plakur me pushtetin, fillon e flet për gratë e botës, që nga lavirja, e deri tek ato të tjerat për tu thënë çdo gjë që mendon në moment, ashtu si për të shpëtuar kohës që flet! Strategji e shëmtuar! Dhe gratë tona, këto gjoja të shoqërisë civile, nuk reagojnë! Pastaj, nuk mund të harrohet për 8 Marsin, dhuna që na jep politika çdo ditë, dhe gratë e këtij vendi, jo vetëm që nuk thonë asgjë për këtë, por merren me të përsëriturat.
Kur Berlusconi kërkonte ndonjë vajzë të bukur para Beros tjetër, u hodhën të gjitha për fyerje të madhe. Ndërsa kur këtu, Beroja me shokë, të majtë e të djathtë injorantë, flasin për gratë e botës, askush nga këto gra dhe vajza nuk reaguan para zyrës së tij. U bënë dy arsye: BER-BER. Dhe?!
Prandaj seksualiteti tek ne, shihet si dhunë me një propagandë të keqe. Ne nuk e kuptojmë, ose më mirë bëjmë sikur duam të kuptojmë se problemet seksuale nga e pushtetshmja janë edhe të vërteta kur shiten si të ndërgjegjshme, apo sa mirë bëri që e tha. Lidhur me këtë, Foucault (faqe 97) shkruan: … seksit i kërkojmë të na shpreh të vërtetën (por, përderisa ai është sekreti që pa reshtur i shket vetvetes, na takon neve t’ia shpalosim vërtetësinë e kulluar, vërtetësinë e deshifruar më në fund të së vërtetës së tij të turbullt); i kërkojmë atij të na shpalosë të vërtetën tonë, ose më saktë, i kërkojmë të na shpalosë vërtetësinë e fshehtë, vërtetësinë e thellë të së vërtetës sonë sipërfaqësore, që na duket se e zotërojmë në format e ndërgjegjësimit intim (conscience immediate). Ama, të gjitha lëvizjet e grave reagojnë gjithmonë kur dhuna e fjalës se shprehur është e barabartë me dhunën e seksit. Po tek ne? Këtu, moria e madhe që e karakterizon pushtetin e dhunës, vjen nga sipër e më pas hapet poshtë në familjet tona. E nëse vjen nga sipër, e nëse dhuna që na jep pushteti i fjalës është kaq i mirëmenduar, kjo do të thotë se këtu ka diçka më shumë që nuk funksionon. Protestat e 8 Marsit tek ne duhet të jenë edhe për ato gra dhe vajza që janë vrarë jo vetëm ndër vite, por edhe ditët e fundit. Që nga njëra me 60 thika në trup dhe deri tek ajo e të tërhequrit zvarrë. E në fakt, lista është shumë më shumë se kaq. Këtu përgjegjësia është edhe e medias, por edhe e reagimeve të grave, të cilat reagojnë një herë në vit.
Prandaj ajo që thotë Sartri vlen ende për ne: Gjysmë viktimë, gjysmë bashkëfajtore si të gjithë. Por gratë, nuk po dinë të marrin ende edhe atë që duhet. Sepse duke qenë një qendër kaq e madhe, ato mund të fitojnë atë që duan, shumë më mirë se sa burrat. Tek Seksi i dytë, në pjesën Gjendja dhe karakteri i gruas (faqe 322) Simone de Beauvoir shkruan: Nganjëherë i kundërvëmë universit mashkullor “botën femërore”, por duhet nënvizuar edhe një herë se gratë nuk kanë përbërë kurrë një shoqëri të pavarur dhe të mbyllur; ato janë përfshirë në shoqërinë e qeverisur nga meshkujt, ku kanë zënë një vend vartës; ato janë bashkuar, si të ngjashme që janë, me një solidaritet mekanik: mes tyre nuk kemi atë solidaritet organik mbi të cilën ngrihet çdo bashkësi e njëjtësuar; ato janë përpjekur gjithmonë – që në kohën e mistereve të Eleuisit ashtu edhe tani në klube, sallone, oda – që të bashkohen për të afirmuar një “kundër univers” por përsëri edhe këtë gjë ato e vendosin në gjirin e universit mashkullor. Gruaja tek ne, ka shansin të bëjë një lëvizje të madhe, për çdo anë të jetës. Më thoni, çfarë bëjnë gratë e shoqërisë së televizionit, artit, fesë, drejtësisë, politikës, biznesit, katedrave akademike e shumë të tjera, përveçse punës së tyre; ku thonë se brenda kësaj pune përkrahin dhe edukojnë të gjithë por edhe gjininë e tyre, dhe nuk bëjnë asgjë për tu mbledhur bashkë e për të reaguar si një lëvizje qytetare?!
Si në çdo kohë festash, në shoqërinë e klientelizmit, përveç mbledhjes së grave bashkë dhe shijeve të moshës, gratë apo vajzat për 8 Mars kanë edhe një mundësi tjetër: T’ia u shpifin burrave, duke shkuar në një feste striptizë ku kërcejnë meshkuj, ose të përgatisin një dhurate të tillë vetëm për dëshirat e tyre.
Hëna është e gruas, dielli i burrit, por gruaja nuk mund të bëjë histori çdo ditë pa burrin. Ashtu siç edhe ky i fundit, nuk ka ku te shkoje pa gruan!
-----
1. Michel Foucault: Historia e Seksualitetit – 1 Vullneti per Dije, Shtëpia botuese “Dukagjini” Peje-Dukagjin 2008.
2. Simone de Beauvoir: Seksi i dyte(Përvoja e jetuar), Shtëpia botuese “Çabej”, Tirane 2002.

Foto: Nga Armand Sallabanda.

Për Gazetën TIRANA OBSERVER 8 Mars, 2010.

No comments:

Post a Comment