Tuesday, February 16, 2010

“Memorial-Muze” Për Nënë Terezën?!

.
Ka kaq shumë halle ky vend, sa dikush mund të mendojë, ç’na duhet Nënë Tereza tani! Po, nuk e ka keq. Por, ama duhet bërë një gjë e saktë në këtë vend, ashtu siç duhet të jetë kjo vepër arti. Dhe të gjithë e dimë, se këta njerëz që na drejtojnë, nuk është se e duan shumë artin. Prandaj ky shkrim le të jetë, në emër të atyre gjërave të kulturës që të paktën duhet të bëhen mirë, jo vetëm për sot por edhe për mot. Dihet për nga vlera, se imazhi i Nënës Terezë edhe në sytë e botës është tepër i rëndësishëm. Si mund të bëhet një muze, që të shfaq të gjitha dhuntitë e Nënës Terezë? Kjo është e pakuptueshme, sepse nuk mund të sajohen objekte apo imazhe për të bërë një qendër të tillë. Sepse, nuk është se ka një shtëpi tjetër të po kësaj figure ku objektet të jenë në atë vend, dhe ti marrësh e ti ekspozosh në këtë vend. Apo fakti se edhe ajo shtëpi muze që është në Shkodër, është tepër e sajuar. Po kështu, nuk dinë mirë se çfarë do bëjnë me shtëpinë në Tiranë. Që edhe muzeu apo edhe memoriali të kishin të njëjtin kuptim, këtë nuk e ka dëgjuar askush. Por edhe, që një hapësirë ndërmjet Muzeut Arkeologjik dhe Rektoratit të Tiranës apo vendi ku para viteve 90-të bëhej patinazh; pra sot vendi ku ka shërbime ushqimi të shpejtë, ose më saktë aty ku janë kollonat e bardha, do të ngrihet “memoriali-muzeum” i Nënës Terezë. Të heqësh shërbimin e ushqimit të shpejtë, pra aty ku janë sot Kolonat, për idetë politike të kundërshtarit dhe ta zëvendësosh me Nënë Terezën nuk ka ndonjë problem. Por ta bësh këtë veprim vetëm për arsye politike, dhe më pas ta lësh bosh, është tjetër gjë.

Mua si qytetar i këtij vendi më intereson se çfarë do të bëhet me Nënë Terezën dhe me imazhin e saj. Dhe kësaj vepre duhet ti jepet shumë rëndësi. Sepse bëhet fjalë për një 100 vjetor. Ku është komuniteti katolik, pse nuk po reagon? Mos janë edhe ata pro me këtë hiçgjë të shëmtuar? Apo, mjaftohen me kaq?! Pra, memorial sipas atyre zëvendëseva që drejtojnë Ministrinë e Kulturës quhet një muze i krijuar. Po mirë! Dhe jo një statujë prej bronzi. Anëtarët e komisionit që do merren me këtë punë, bëjnë sikur nuk e dinë mirë që ajo zonë aty, është monument kulture dhe mbrohet nga shteti. Dhe të ndërhysh në një vend të tillë, që ka një hapësirë, që është bërë pikërisht për këtë gjë, pra për të qenë hapësirë që nuk shkon e zënë nga gjëra të tjera, sikur e mbuluar edhe me xham; këta specialistet tanë, duan ta bëjnë një“memorial-muze”. Duket më shumë, se këta i gëzohen projektit të bërë falas, përballë një shtatoreje tepër e rëndësishme edhe në imazhin e vendit tonë. Por disa ditë më parë, foli edhe Berisha; që më në fund e paska kuptuar mirë që atë “Terezën e shëmtuar në cepin e majtë të Universitetit Politeknik” duhet ta heqim se nuk është fortë e bukur. Dhe të paktën qeveritarët tanë, paskan pak shije estetike. Do të duhej të linde ky projekt, që ta hiqnin atë Terezën e cepave, e më në fund të kujtoheshin. Se të qe për ta, atje në cep do ta linin. Duket fare mirë, që estetika, është një mungesë për ata që na drejtojnë sot.

Unë uroj që, shëmtia mos të vazhdojë më shumë. Sepse ka mundësi që, pikërisht atë Terezën e pabukur që është tani në atë cep, ta marrin dhe ta vënë ose në hyrje të këtij “memoriali-muze” ose në pjesën ku është sot shatërvani i tharë, përballë me Universitetin Politeknik të Tiranës. Por edhe kjo është thyerje e rregullave që e mbrojnë atë shesh si monument kulture, por jo aq e shëmtuar sa pjesën ku janë sot kollonat e bardha; qe ti mbyllin dhe ta bëjnë “memorial-muze”. Kush e shpiku këtë?! Si një i ri i këtij vendi, apo si një qytetar që ka votuar, e bëra këtë shkrim, për këta njerëz të cilët e drejtojnë këtë vend, që të përpiqen të bëjnë diçka më të bukur për këtë grua. Të gjithë e dimë se çfarë ka bërë ajo, nuk është nevoja ti përmendim këtu. Sepse jo vetëm fakti, që një shtatore e lartë për Nënë Terezën duhet të bëhet e saktë, por të paktën mos të bëhet dyfish ai gabim i parë; që atë të pabukurën e cepave ta vënë mes sheshit ose në hyrje të kollonave të bardha.. Nuk mund të pranohet një skulpturë e tillë, me dorën më të madhe se sa fytyra, apo edhe me këmbë më të mëdha. Skulpturë, që herë të duket si nënat e forta të realizmit socialist e herë më shumë si me gabime anatomike. Në këtë grup pune, nuk ka asnjë përfaqësues nga artet pamore. E si mund të bëhet një vepër e tillë me mungesën e përfaqësuesve nga artet pamore?! Gjë që mua më shqetëson se përsëri shëmtia do të zgjasë. Madje, që një “memorial-muze”, ta bësh qendër kulture, kinema, kafe, apo edhe librari sikur nuk shkon më duket! Po mirë, ja e bënë edhe këtë, po ku do ti gjejnë sendet personale të Nënës Terezë? Nga ku dihet se në Shqipëri nuk ka pothuaj fare sende personale nga kjo grua. Idea e “memorialit-muze” është shumë interesante, sepse është tepër joshëse për të huajt. Por këtu lind pyetja: -Çfarë do bëj një turist i huaj për ta parë këtë qendër aspak joshëse? Të kaferohet në qendrën e memorialit? Por e mbushur me të tilla gjëra, nuk është se të bën të mendosh shumë për të. Prandaj më mirë ta lënë këtë qendër muze, sepse më shumë duket si një qendër fetare, sesa një “memorial-muze”. Kështu i bie ti themi, se edhe memorial edhe muze, edhe qendër kulturore po ti bashkosh bashkë del një gjë e bërë sa për të thënë që nuk ka fare kuptim. Ah po, nëse stimulohet që të bëhet një shtatore e bukur në shesh tek shatërvani, atëherë këtu kemi një projekt tepër të mirë. Po përse të mos mendojnë që, aty në shatërvanin e tharë, të vënë një shtatore të lartë moderne, jo klasike, por, që të japë figurën e Terezës; dhe të jetë në përmasat domethënëse të artit modern. Gjë, që shkon shumë në atë vend, me harmoninë e pasme të bardhë të ndërtesave.

Ky “memorial-muze”, është një gjë që do të mbetet, prandaj pse nuk ja lënë një herë në dorë edhe qytetarëve! Pse nuk nxjerrin disa makete para 26 Gushtit të këtij viti, dhe ti lënë qytetarët që të vendosin e që të votojnë publikisht për të! A e kuptojnë këta njerëz, që ngritja e një “memoriali” të tillë nuk mund të jetë vetëm sot për sot… Përse nuk pyeten, të paktën artistët e figurativit, nëse duan që ky projekt të kalojë në disa filtra komunikim. Ose të paktën, të zbulojnë projektin për shtatoren e kësaj figure, dhe ta heqin mendërisht idenë për të bërë një “memorial-muze”. Sepse nuk është iderisht e menduar mirë. Këta njerëz që mendojnë dhe hartojnë gjëra të tilla janë si ky veprim: Lëpij një ditë dhe lëpij një ditë tjetër, më shijonte shumë, ngaqë isha shumë injorant, nuk e kisha menduar se banania duhej kafshuar. Ose do të qëndronte më mirë, sikur shtatorja e Nënë Terezës të vihet pikërisht në pjesën midis Rektoratit, pamjes së mesit të kollonave të bardha, dhe Qendrës Albanologjike; pra, në mes të kësaj ndërtese. E imagjinoni dot se sa bukur, qëndron kjo shtatore e ndriçuar natën në po këtë vend?

Nga Eljan Tanini për Gazetën TIRANA OBSERVER 16 Shkurt 2010.

No comments:

Post a Comment