Saturday, July 3, 2010

Për botërorin dhe jo për të drejtat qytetare!

.
Një publik i pa zhvilluar është i aftë të organizohet vetëm kur pasojat jo të drejtpërdrejta perceptohen dhe kur është e mundur të projektohen agjenci që rregullojnë rrjedhën e këtyre pasojave. Në kohën e sotme shumë pasoja, ndjehen më shumë se sa perceptohen; ato mbahen mbi shpinë por nuk mund të thuhet se njihen sepse ata që i vuajnë nuk ua dinë origjinën…. Prandaj, publiku është amorf i pavetëdijshëm*. (Dewey, John: Publiku dhe problemet e tij, faqe 130). Jo më kot e nisa me diçka të tillë sepse, Dewey shkruan edhe për një masë popullsie që në të vërtetë nuk është se ndryshon. Dhe tek ne, kështu është shumica, prej së cilës vazhdojmë të presim dhe të bërtasim ulurazi. Prandaj, po nis të bëj një krahasim kompleksi të të ulurit.Sikur të kisha gjysmën e njerëzve që shohin botërorin nëpër kafet e Tiranës, “do e kishim hedhur poshtë qeverinë”. Këtë qeveri, apo edhe ndonjë tjetër e majtë apo e djathtë qoftë, pak rëndësi ka për mua. Ne koherencë do që ai veprim për mbledhjen në pjesët e turmave. Për çështje futbolli ulemi në kafe, ndërsa për çështje të së drejtave qytetare nuk bëhemi bashkë asnjëherë.Nuk është se nuk dua ta pranoj botërorin, dhe as që nuk duhet ta bëj këtë, por më bën më shumë përshtypje mënyra e ulur “bythazi” për të parë disa ndeshje. Nuk po them që është një gjë e keqe dhe jo e pranuar, por dua të theksoj këtë dëshirë për tu bërë bashkë KUR KA NDESHJE NDËRKOMBËTARE DHE JO KUR KA HALLE QYTETARE!

Si ka mundësi që kjo dëshira për tu mbledhur në kafe, është me kaq shumë masë jo për të zgjidhur hallet bashkë?Nëse do kishim një ulje të tillë, pra nëse do kishim të paktën gjysmën e njerëzve që kanë këtë dëshirë për të parë ndeshjet, do qe fare më lehtë për të bërë plane më shumë për të drejtat qytetare. Dhe imagjinoni se ne as edhe këtë gjë nuk e kemi ende.Më bëjnë kaq shumë përshtypje disa njerëz që kanë një dëshirë të ethshme për të menduar se disa halle duhet ti zgjidhin të tjerët. Nuk e shoh dhe nuk kam asnjë dëshirë të keqe të mendoj se ky botëror nuk duhet parë, dhe këtë nuk mund ta përcaktoj unë.Nëse ne të rinjtë do të duhet të dalim jashtë mendimeve dhe komplekseve të prindërve tanë, atëherë duhet ti bëjmë gjërat më ndryshe. Për të thelluar më shumë mendimin, më duhet të them se kjo ulje për të parë disa ndeshje, është një qasje kolektive, dhe jo e rastësishme!Njerëzit arrijnë të kapen mirë mendërisht, dhe kjo nuk ndodh fare rastësisht sepse këtu ka një mendim të imponuar nga kolektivi dhe nga vetë vetët: se duhet të ulemi për të parë diçka më shumë. Këtu, justifikohen edhe hallet! Përsëri në përsëri, nuk dua të them se jam kundër të parit të ndeshjeve, por më shumë kundër kësaj dëshire të përbashkët dhe të shtënit masivisht për tu bashkuar.Është koha më e mirë për ti parë njerëzit e këtij vendi bashkë, jo për ata vetë, jo për gjëra që u interesojnë atyre, por për stërollepsje kolektive. Në një vend ku shumë gjëra bëhen shume më mirë bashkë dhe merren përsëri në bashkësi, nuk mund të mendohet kurrsesi se ky vend ka kaq shumë halle.E nëse kemi halle, atëherë duhen zgjidhur ato më parë, e më pas futbolli. Nuk jam kundër uljes masive të qytetarëve dhe mos qytetarëve.

Si mund të ndodhë që ne bëjmë kaq shumë tifozllëk kur fiton Interi, dhe nuk mblidhemi për të qarë hallet tona? Nuk do të më shkonte kurrë ndërmend që do të bërtisnim pa masë për një skuadër që është larg nesh e për të mos u mbledhur për ato gjëra që na takojnë më shumë. Si mund të bërtasim kaq shumë bareve kur fiton një skuadër? Pra, si mund të bërtasim kaq masivisht bareve, sa kur je në shtëpi dhe shikon punën tënde, njerëz që janë të ulur marrin një bërtitje gëzimi se një filan skuadër bëri gol! Por, si nuk mund të bërtasim për të drejtat tona, të paktën jo njëzëri por as pjesë-pjesë!Nuk mund të harrohen kaq lehtë disa gjëra që njeriu duhet ti bëjë patjetër në jetë, ashtu siç edhe qytetarët nuk duhet të harrojnë se ka disa gjëra të tjera tepër më të rëndësishme. Dhe kur them se do kisha hedhur poshtë “QEVE-RRINË” me njerëzit e mbledhur në baret e Tiranës, nuk e di se nëse janë apo jo po ata qytetarë që do kishim ngritur “komplotin”…

Pyetja tjetër është se, a janë apo jo ata që duhet ta bëjnë këtë gjë? Po, edhe mund të jenë! Mua më shqetëson mangësia. Përsëri e them se, të hedhësh poshtë qeverinë e kam me idenë e përhumbur tek ne; thjesht dhe vetëm për më shumë, për një revoltë qytetare. Për uljen e turmës, dhe jo për mbledhjen e saj.Nuk mund të quhesh kurrë qytetar, që mund të bësh çdo gjë për vendin tënd, po nuk protestove bindshëm për të drejtat e tua. Prandaj ne vuajmë çdo ditë, në kompleksin e kundërt të mbledhjes së turmës. Dikush e pyeti Diogjenin nëse kishte shumë njerëz në Lojërat Olimpike. - Kishte shumë shikues dhe pak njerëz - u përgjigj filozofi.
*Dewey, John: Publiku dhe problemet e tij, Shtëpia botuese “Dita 2000”, Tiranë 2009.

Nga Eljan Tanini për Gazetën TIRANA OBSERVER 2 Korrik 2010.

2 comments:

  1. Pse ka rreshtur se shkruari Eljan Tanini ?!
    Libri juaj qe i vlefshem epr mua.

    Olsi Dervishi
    dervishi_olsi@yahoo.it

    ReplyDelete
  2. Olsi, jam duke u marre me pune te tjera, nuk eshte se nuk dua te shkruaj, por me duhet te mendoj me gjate per gjera te tjera me te cilat po merrem...

    Shume shpejt do rikthehem...

    Te falenderoj qe me shkruajte,

    E.

    ReplyDelete