Friday, October 22, 2010

A jemi në terezi me Nënë Terezën?!


Nisa ta shkruaj këtë shkrim pak vonë, sepse doja te shikoja më parë se çfarë do të thuhej për Nënë Terezën pasi të kalonte përvjetori i famshëm politik për të. Qe, dhe vazhdon të jetë 100 vjetori i saj, e u duk sikur çdo gjë u bë. Sipas atyre që bënë të pabërat, çdo lëvizje për Terezinën shkoi ashtu siç duan ata që po e drejtojnë këtë vend. Të jetë 100 vjetori i një personi kaq të dëgjuar në botë si Nënë Tereza dhe ne këtu të bëjmë budallallëqe me afisha, që të duket më shumë sikur janë zgjedhjet e ndonjë kandidati partie!

Nuk mund të përjetohet një ditë kaq shumë e shënuar si një ditë zgjedhjesh qoftë edhe të kota! Nuk mund të merren kaq lehtë ngjyrat e lehta blu të politikës për ngjyrat blu të mantelit të saj! Nuk mund të merret kaq shumë si thjeshtë e bardha e mantelit të saj me të bardhën jo dhe aq pikante të disa ngjyrave thjesht dekorative të politikës… Duket shume qartë se i gjithi qe vetëm një aktivitet sa për të thënë, sa për të treguar me letra dhe afisha se ata bënë diçka… Nuk është se edhe vetë Terezina do të donte që gjërat të bëheshin më madhështore… Nuk më intereson për të tjerët, por të paktën gjërat duhen rregulluar që të mbetet diçka për Nënën Terezë! Çfarë do të mbajmë mend nga ky 100 - vjetor i saj?! Asgjë. Nuk mbahet mend asgjë veç disa parave të kota të hedhura për afisha me emrin e babait të madh të kombit! E dimë se kush e mbështet shumë mirë këtë aktivitet.

Një shkëlqesi i nderuar pa të cilin nuk do të mund të bëhej asgjë. Edhe nëse është viti i Nënë Terezës, kujt po i intereson që po e mbështet një emër që mund të rrijë gjithë vitin me afishën mbi fasadën e Muzeut Historik Kombëtar! Lëre pastaj, që ka hierarki emrash dhe mënyre vendosjeje, pra nuk është emër më i madh ai që është tani se sa Tereza. Po stili? Harrohet që stili ka mënyrë vendosjeje tejet të ndryshme?! Po të shikoni afishen e madhe mbi fasadën hyrëse të Muzeut Historik Kombëtar, aty çdo gjë u thuhet me gërma kapitale dhe jo normale. E gjithë kjo megalomani tregon se asgjë nuk është bërë për këtë grua më të dëgjuar se vetë Shqipëria dhe shqiptarët bashkë… Ku përfundoi projekti i famshëm për të bërë një skulpturë më të madhe se sa ajo që është sot në cep të cepave të Korpusit? Ku përfundoi ideja e madhe për të bërë një memorial ideal për të ku të gjithë liderët botërorë të vinin dhe të vendosnin kurora në emër të saj? Përse të mos bëjmë për Nënë Terezën një qendër pelegrinazhi si për politikën ashtu edhe për njerëzit që do të vinin nga të gjitha vendet…

E gjitha kjo tregon se sa pak e duam Nënë Terezën, sa për sy e faqe dhe në të mos bërit asgjë për të… Nuk ka asnjë vend tjetër që do tregonte kaq shumë manifestim për të se sa ne…Ne fakt, nuk mund të ketë asnjë vend tjetër që do t'i shkonte kaq shumë të bërit të gjërave admiruese për Nënë Terezën… Le të bëhen me xhelozë myslimanët se një figurë e tillë ka një rendiment më të madh se figura të tjera të tyret. Absolutisht që PO, edhe figurat e tyre duhen nderuar po aq sa ato të krishterëve, u duhet bërë po e njëjta gjë si nderimet për të… LE T'I POROSISIN EDHE ATA FIGURAT E TYRE… Për një Nënë të tillë (jo vetëm të shqiptarëve), çështja është se çfarë duhet të bëjmë që ne të tregojmë se ajo çka nuk dhamë të merret më ndryshe: qe do të thotë se kush më pak e kush më shumë duam ta përdorim emrin e saj lartë e poshtë sa herë lypet nevoja. Puna është se gjërat për Nënë Terezën duhen bërë sa më natyrale dhe jo të shtirura… E çfarë u duhet thënë turistëve apo delegacioneve qeveritare, se qe vetëm një grua me origjinë shqiptare? Vetëm kaq?! Sa herë mendojmë se çdo gjë që do të përdoret për emrin e Terezës do të jepet pa u vënë re, sepse çdo gjë do të bëhet vetëm për të përfituar nga emri i saj.

Këtu na shfaqen dy veprime: I pari është që ne nuk e duam Nënë Terezën, dhe i dyti, nga mosdashja për të, duam të përfitojmë për arsye të ndryshme pasi Nënë Terezën e lidh diçka me shqiptarët. Por edhe, që një hapësirë ndërmjet Muzeut Arkeologjik dhe Rektoratit të Tiranës apo vendi ku para viteve 90-të bëhej patinazh; pra sot vendi ku ka shërbime ushqimi të shpejtë, ose më saktë aty ku janë kollonat e bardha, do të ngrihet “memoriali-muzeum” i Nënës Terezë. Të heqësh shërbimin e ushqimit të shpejtë, pra aty ku janë sot Kolonat, për idetë politike të kundërshtarit dhe ta zëvendësosh me Nënë Terezën nuk ka ndonjë problem. Por ta bësh këtë veprim vetëm për arsye politike, dhe më pas ta lësh bosh, është tjetër gjë. Mua si qytetar i këtij vendi më intereson se çfarë do të bëhet me Nënë Terezën dhe me imazhin e saj. Dhe kësaj vepre duhet ti jepet shumë rëndësi.

Sepse bëhet fjalë për një 100 vjetor. Ku është komuniteti katolik, pse nuk po reagon? Mos janë edhe ata pro me këtë hiçgjë të shëmtuar? Apo, mjaftohen me kaq?! Përfitime ose jo, dëshmi të rreme ose të paqta, sajesa të bukura ose të larta, fetare blu ose "politikëterezinë" blu, ose hapje pafund mendimesh të paqena… E kush tha më pas që ajo që është shkruar edhe duhet thënë për Nënë Terezën?

Dhe ne fund, normalisht që ne themi me injorancë se çfarë bëri ajo për ne…

Tirana Observer: 22 Tetor 2010

No comments:

Post a Comment