Friday, June 10, 2011
Kam Indinjatë, më 10 qershor do vërshoj para Kuvendit
Rinia e një qyteti pa dritare
Të martën kam dy provime të mbartura të cilat duhet ti mar me patjetër. Lër pastaj temën e diplomës të cilën duhet ta dorëzoj këto ditë. Në fakt, as nuk dua ti bëj fare karshi një rëndësie tjetër! I lashë duke lexuar vetëm pak… Pse? Sepse në datë 10 Qershor ora 16:00 do dal para zyrave të Kuvendit në Tiranë për një Indinjatë që duhet të bashkojë gjithë qytetarët, duke afruar më shumë edhe brezin e ri. Kam një duf brenda meje që nuk mund ta mbaj kot vetëm duke shkruar në letra… Rinia në Indinjatë është një grup i cili u krijua fare rastësisht në facebook duke zgjuar kështu egon e levizjeve qytetare tek të gjithë ne. Ja pse është i mirë virtualizmi, vlen edhe për të ngritur mendimet; por edhe pse atje kam një pjesë të shtëpisë sime… Në të vërtetë nuk është vetëm kaq, është revolucion për aq sa i përket të protestuarit anshëm dhe të protestuarit kundër mendimeve të lodhshme politike. Njerëzit që po e njohin pak nga pak këtë frymë të re, po fillojnë të kuptojnë se edhe ata ndihen më mirë nëse dalin të protestojnë pastër.
Në datën 10 Qershor, do dalim në rrugë kundër komplekseve të shoqërisë sonë, humbjes dhe djegies së brezave, indiferencës, dhunës së pushtetit, mendimeve të kalbura se këtu nuk ka rini, sfidës ndaj të gjithë kuvendsave që mendojnë se mund të bëjnë si të duan, mos largimit nga ky vend, kapsllëkut mendor, zgjedhjes, votës, kartës së studentit, shëndetësisë aguridhe, idiotësive të politikanëvë të cilët nuk duam t’i votojmë më, injorancës së pushtetit, tharjes së mendjes e shumë të tjera…
Në këtë vend Indinjata fillon kur morali ka humbur, pushtetshmëria është bërë dhunë, ai që humb zgjedhjet nuk mund ta pranojë sepse gënjeshtrën dhe spekulimin e kanë bëre idhtari të forcës së tyre. Ne fakt, një pjesë e mirë e politikanëve në vendin ku jetoj as që nuk dua ti shoh me sy! Hap televizorin, shoh gjithmonë e më shumë fytyra të ngjashme, e mbyll atë, dhe përsëri fytyra e tyre mbetet e njollët mbi ekran!
Sistemi ka filluar të mëndojë shumë pak për të bukurën, prandaj nuk dua ti gjuaj me gurë, por me tortë! Jo zotërinj, ditët e mia nuk mund të jenë të njëjta, prandaj të mendosh për Indinjatën e përbashkët në një vend si zyrat e Kuvendit të Shqipërisë afër kafeve të Bllokut me nja dy rrugë të tangerllikut të madh, afër ish qeverisjes shumë vjeçare, është njësoj që frymën e të ndjerit për tu ulur të gjithë bashkë në kafe ta kthesh në një sistem kundër këtij sistemi.
Në këtë qytet pa dritare çdo gjë po bëhet thuajse normale, ndërsa vendi është bërë i zakonshëm, thuajse rutine, duke na pëlqyer gjithmonë e më shumë gënjeshtra dhe vetëbesimi se të tjerë nuk ka pas meje (nesh)! Njerëzit po fillojnë jo vetëm të shtrojnë por edhe të ushtrojnë një pyetje: Ata po na lodhin, ne duhet të jetojmë më mirë, po hamë çdo ditë pesticide! Çfarë duhet të bëjmë? Perandoria duhet të bjerë, spektakli është bërë modë, perandoria po shkel çdo ditë angazhimet që ka marrë dhe unë përsëri nuk di kujt ti zë besë? Ligjet e ndërtuara janë shumë të mira, sistemi dehet vetëm para ekranit, por unë nuk di kujt duhet t’i ankohem sepse çdo gjë nuk më duket më e ndjeshme!
Ne të rinjtë e këtij vendi, e dimë shumë mirë se gjithmonë na thonë se jemi e ardhmja! Por nuk është kështu! Është bërë fjali kaq e shpifur, sa duket sikur nuk ka asnjë zgjidhje. Une jam vetë e ri, dhe e di shumë mirë se dua të dal në rrugë me gjithë dufin që kam. Prandaj do dal në këtë 10 Qershor, bashkë me idenë se 10 Qershori mbartet nga Lidhja e Prizrenit 1878-2011, dhe në të gjitha 10 Qershorët e tjerë qe do të vijojnë sepse nuk mund të rri kot e të nuhas erën e sistemit... A e dini që asnjë nga këta qeveritarët tanë nuk i duan të rinjtë?! Sepse ata na kanë frikë, ata e dinë shumë mirë se çfarë aftësish kanë të rinjtë që të bëhen kundër tyre. Ata përfitojnë nga mos reagimet tona! Ata e dinë shumë mirë që në Shqipëri rinia nuk flet, dhe heshtja jonë është ëmbëlsia e tyre. Prandaj në datë 10 Qershor duhet të dalim e të thyjmë heshtjet. Mekatet e etërve tanë na kanë INDINJUAR! Nuk ka punë por edhe deshirë për të punuar, televizioni mendon për tjetër jetë, njerëzit jetojnë vetëm sipas një bote qe u jepet, dhe personalisht jam i lodhur nga fjalët se rinia nuk jeton më në këtë vend!
Grupi i Rinisë në Indinjatë, të takuar fare rastësisht me mendime të njëjta do arrijë ta mbajë gjatë këtë frymë të pastër! Askush nuk na jep lek për ato gjëra që duam të bëjmë, i kemi shtirë vetë lekët për të blerë materialet që duhen; dje dolëm për të marrë kartona tek disa magazina në periferi të Tiranës. Mbledhje në një zyrë të sajuar, apo edhe çarçafë të bardhë të vjetër për të shkruar sipër me sprai, çdo kush me një flamur me vete por edhe një bilbil për zhurmë duke ndërtuar kështu një frymë ku askush nuk do të bëjë liderin. I kam lënë të gjitha, të premten pasdite do dal në rrugë…
Tirana Observer 10.06.2011
Foto LSA
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment