Saturday, July 2, 2011

Heshtja jonë është ëmbëlsia e tyre


Të martën kisha dy provime të mbartura, të cilat duhet t'i merrja me patjetër. Lër pastaj temën e diplomës, të cilën duhet ta dorëzoja këto ditë. Në fakt, as nuk dua t'i bëj fare karshi një rëndësie tjetër! I lashë duke lexuar vetëm pak... Pse? Sepse dje, në datë 10 qershor ora 16:00 dola para zyrave të Kuvendit për një Indinjatë që duhet të bashkojë gjithë qytetarët, duke afruar më shumë edhe brezin e ri. Kam një duf brenda meje që nuk mund ta mbaj kot vetëm duke shkruar letra... "Rinia në Indinjatë" është një grup, i cili u krijua fare rastësisht në "Facebook" duke zgjuar kështu egon e lëvizjeve qytetare tek të gjithë ne. Njerëzit që po e njohin pak nga pak këtë frymë të re, po fillojnë të kuptojnë se edhe ata ndihen më mirë nëse dalin të protestojnë pastër.


Dje ne dolëm në rrugë kundër komplekseve të shoqërisë sonë, humbjes dhe djegies së brezave, indiferencës, dhunës së pushtetit, mendimeve të kalbura se këtu nuk ka rini, sfidës ndaj të gjithë kuvendsave që mendojnë se mund të bëjnë si të duan, mos largimit nga ky vend, kapsllëkut mendor, zgjedhjes, votës, kartës së studentit, shëndetësisë aguridhe, idiotësive të politikanëve, të cilët nuk duam t'i votojmë më, injorancës së pushtetit, tharjes së mendjes e shumë të tjera...


Në këtë vend Indinjata ka filluar sepse morali ka humbur, pushtetshmëria është bërë dhunë, ai që humb zgjedhjet nuk pranon humbjen. Në fakt, një pjesë e mirë e politikanëve në vendin ku jetoj as që nuk dua t'i shoh me sy! Hap televizorin, shoh gjithmonë e më shumë fytyra të ngjashme, e mbyll atë, dhe përsëri fytyra e tyre mbetet e njollët mbi ekran!


Njerëzit po fillojnë jo vetëm të shtrojnë, por edhe të ushtrojnë një pyetje: Ata po na lodhin... Ne duam të jetojmë më mirë! Çfarë duhet të bëjmë? Perandoria duhet të bjerë, perandoria po shkel çdo ditë angazhimet që ka marrë. Unë dua të dal në rrugë me gjithë dufin që kam. Prandaj dola këtë 10 qershor, bashkë me idenë se 10 qershori mbartet nga Lidhja e Prizrenit 1878-2011, dhe në të gjitha 10 qershoret e tjerë që do të vijojnë. Nuk mund të rri kot e të nuhas erën e sistemit...


Ata na kanë frikë. Ata e dinë shumë mirë se çfarë aftësish kanë të rinjtë nëse bëhen bashkë kundër tyre. Ata përfitojnë nga mos-reagimet tona! Ata e dinë shumë mirë që në Shqipëri rinia nuk flet. Heshtja jonë është ëmbëlsia e tyre. Le të jemi pak në fillim. Shumë të tjerë mendojnë si ne, por ende nuk kanë besimin e duhur te vetja. Grupi i Rinisë në Indinjatë, të takuar fare rastësisht me mendime të njëjta do të arrijë ta mbajë gjatë këtë frymë të pastër! Askush nuk na jep lekë për ato gjëra që duam të bëjmë, i kemi shtirë vetë lekët për të blerë materialet që duhen; pardje dolëm për të blerë kartonë, spraj, flamuj e bilbila...

Gazeta Shekulli 11 Qershor 2011

No comments:

Post a Comment