Monday, July 25, 2011

Të jetosh në një sistem pa estetikë!


Më kujtohet koha kur filluan të zhvishnin nga pllakat e mermerit Piramidën dhe mendoja se çfarë po bëjnë! Pse duhet veshur përsëri me mermer?! Po pse duhen hequr? Në fakt, ata që na rrinë mbi kokë kështu kanë vepruar gjithmonë. Pothuaj të gjitha ndërtesat që kanë pasur një emër të madh dikur kështu janë zhveshur! Kujt dreqin i vajti në mendje se duhen prishur simbolet?

Komunizmi a prishi simbole? Po çfarë dreqin i duhet kësaj demokracie që prish simbolet e një kohe që nuk na takon më?! Në fakt, sistemi ku jetojmë është bërë një çështje e turbullt. Duhet të lëvizim, nuk mund të rihet gjatë kështu! Është krijuar një individualitet i shëmtuar që nga lartë poshtë sa njerëzit kujtojnë se duke i bërë gjërat vetëm masa rritet më shumë.

Ka kohë që brezit të ri kanë filluar t’i ngjeshin disa mendime imagjinare se janë bërë prishës sistemesh! Por në të vërtetë kush po i prish simbolet dhe historinë? Brezi i djegur nuk po na lë asgjë, as edhe një vend që të jete simbol për rininë! A duan të bëjnë një dhuratë për shqiptaret në 100 vjetorin e Pavarësisë?

Shumë mirë, le të bëjnë stadiumin e ri, dhe si dhuratë për shqiptarët të restaurojnë atë ndërtesë dhe të merren më shumë me trashëgiminë kulturore. Pse të mos bëjnë një spital të ri? Por u dashka bërë dhuratë një prishje e shpenzuar kot për rindërtim?! Lër një herë që projekti i Parlamentit të ri ngjan më shumë si aeroport, apo si fabrikë e vogël ku rregullohen helikopterë dhe avionë! Pse të mos u shkojë në mendje xhanëm për të ndërtuar një teatër të ri! Personalisht kam shumë kujtime buzë Piramidës.

Aty më çonin prindërit e mi kur isha i vogël veshur me paliçeta, aty haja në verë bukë me gjalpë, aty kam mësuar edhe biçikletën, kam rrëshqitur buzë saj dhe sa e sa herë kam ndrydhur këmbën, aty bëja edhe patina, aty shkoja edhe kur isha në Lice për të lënë orët e mësimit. Nëse prishja e “varrit të Piramidës” është lëvizje e radhës në këtë REPUBLIKË GJITHËSHKATËRRIMESH, atëherë edhe fati i veprave të tjera historike nuk është i garantuar! Çfarë duhet të tregohet me prishjen e Piramidës? As që nuk e kuptoj, por edhe nuk arrij të mendoj se me shembjen e saj pushteti do të thotë se po bën një vepër tjetër.

Çfarë është gjithë ky kompleks për betonin, mos është një ndrydhje seksuale? Kur ta hedhin në erë Piramidën, ose kur ta shkatërrojnë me mënyrat e tyre, do të na shkojë ndërmend prishja e ish-Bashkisë së Tiranës! Është më i bukur veprimi, që kur një ndërtesë që ka një funksion alla-varri monumental të kthehet në shumë veprime për artin dhe rininë. Më shumë po e shkruaj këtë shkrim, si një i ri i këtij vendi, si me dëshirën ndaj atyre pak gjërave të bukura të mbetura në këtë qytet.

Si metoda të vjetra të këtyre vendimeve, apo si një heqje larg mendimeve të përditshme politike, njerëzit duhet ta marrin seriozisht trashëgiminë e qytetit të tyre që vendi ku shkelim çdo ditë mos të jetë i pa emër! Si ka mundësi që e kemi me kaq shumë dëshirë këtë idenë se çfarë kanë bërë të tjerët para nesh, edhe ne duhet ta prishim? Ta heqim qafe, ta zhdukim, të mos ketë më asgjë. Në vend që Tiranës t’i shtohen vepra të rëndësishme, ato më shumë i pakësohen!

Në të vërtetë Piramida, është vetë piramidalja e prishjeve në Shqipëri. Meqë i shembëm me qëllim të gjitha simbolet tona, edhe vetë kjo Piramidë po merr fundin e saj për të treguar që është simboli i fundit për tu shkatërruar! Çështja është tjetër kund! Në këtë Republikë Shkarravinash, ju zotërinj që merrni vendime për ideologji të reja nuk është se ne kemi nevojë që ju të na sundoni, por as nuk kemi nevojë për frymën tuaj!

Sepse kurrë nuk mësuat vetë se çfarë është liria, dhe nuk habitemi aspak qe ju nuk bëni politikë, por habere oborrtarësh duke ndryshuar bindjet, mendimet dhe fjalët për hatër të përfitimeve te ngushta egoiste! Mjerë ne që jetojmë në një sistem PA ESTETIKË!

Gazeta Shekulli, 23/07/2011

No comments:

Post a Comment