Rilindja Kombëtare Shqiptare ishte rezultat i lëvizjes politiko-shoqërore dhe kulturore për çlirimin e vendit nga zgjedhja e huaj. Kjo lëvizje, nisi nga mesi i shekullit XIX dhe përfundon në vitin 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Sot nuk jetojmë më në frymën e Rilindjes Kombëtare! Zgjedhja e huaj na janë bërë mendimet e atyre që na qeverisin, bashkë me ata,edhe korporatat e tyre. Por pushtimi i huaj është bërë ëndrra e shqiptarit për shqiptarin, të hedhurit e mendimeve më negative në oborr të mendimeve të fqinjit! E thënë pak më ndryshe, ne jemi hedhur për të votuar dhe qeverisur nga ata që çdo gjë e bëjnë për interesat e vendit që kanë krijuar shitur e blerë, por ama për xhepin e tyre. Janë pikërisht ata që Tiranën e mbushin pak a shumë kuq e zi, e prapa saj, çdo pëllëmbë toke e blejnë dhe e shesin po ata.
Humbja e dinjitet personal të shqiptarëve lidhet edhe me rrjedhën e informacionit. Madje, askush nuk e ka në mendje se vendi yt dhe dëshirat e tua mbi të, janë ato që trashëgohen nga Rilindja Kombëtare!
Pothuaj çdo gjë është bërë komerciale në lidhje me dashurinë e vendit tënd, po ashtu edhe dëshira e ABC-së! Sa shpejt e harrojmë se atë që shkruajmë sot, e kemi fryt të një pune që nuk duam ta njohim! Nuk kamë DINJITET KOMBËTAR, sepse jemi bërë si furça që duhet të pastrojmë mendimet e politikës dhe dëshirave të saj! Ka shumë vende në botë por edhe në Evropë, qenë kohën kur kanë patur rilindjet e tyre, kanë vazhduar në po atë frymë. Ne JO!
Ne ende vuajmë dhe nuk duam të kuptojmë faktin se të protestuarit apo të dalurit në rrugë për protesta, është ndërgjegjësim qytetar, është si gjaku për trupin.
Është ushqim për krijim mendimesh të pavarura. Ka ardhur dita të kuptojmë se në rrugë duhet vërshuar, sepse ne nuk jemi dele që të udhëhiqemi apo të ushqehemi në barin ku na çojnë! Ose të na thërrasin, se dhurata më e mirë për vendin tonë në përkujtim të pavarësisë është hapja e një qendre të madhe tregtare…! Komercializma pa emërtim, që na bëjnë të harrojmë mundin plot vlere të Rilindasve tanë, apo të një kohe që e kemi të vështirë ta mendojmë se ajo e sotmja është lindje e së shkuarës! Prandaj është bërë e udhës, se ata që bëjnë ecjen e politikës çdo ditë, të mos mendojnë fare për ne!
Dhe ashtu siç ndodh gjithmonë e kundërta, ne si qytetarë duhet të kthejmë sytë nga udha e gjatë e Rilindjes sonë Kombëtare. Pushteti po lufton çdo ditë e më shumë për interesat e veta, ndërsa ne, edhe kur duam të kujtojmë Rilindasit tanë, i harrojmë si të hedhur në lecka të vjetra të historisë. Ne na i manipulojnë ditët si kapsllëk dëgjimi dhe shikimi! Ne nuk duhet të heshtim sepse ata gëzohen! Zotërinj, njerëzit e këtij vendi, nuk janë kafshë sintetike!
Nuk e dija, dhe as që nuk kisha për ta kuptuar se Pavarësia e Shqipërisë ka lidhje me një krijim tjetër udhëheqjeje! Tani që po shkruaja shkrimin, një miku im, më tha se harresa më e madhe që i bëhet Shqipërisë për Festën e Pavarësisë por edhe në studime, citime etj, është harresa e një ndër atyre që e filluan këtë nismë: Jeronim De Radës. Sipas burimit të hasur farerastësisht nga unë, dhe fjalëve të mikut tim, ishte De Rada një ndër ata që e hapi Rrugën e Pavarësisë, se po të ishte për brekushet, apo groshët e festet e Turqisë do ishim pak më keq se ç’jemi sot.
Sakaq,është llumi politik i cili nuk të bën të mendosh ndryshe. Por të rinjtë, të zënë keq nga globalizmi dhe teknologjia, nuk është se mendojnë shumë për çështjet një Shqipërie Natyrale ose asaj Reale. Dhe më shumë kjo gjë duket tek të rinjtë e trojeve shqiptare, të cilët mbeten ende me sytë nga Shqipëria dhe Tirana, e të marrë të gjithë së bashku, nuk të mbartin as ndonjë guxim për të vepruar, por,as edhe guxim për të shpresuar.
Kemi edhe festa kombëtare. Për to nuk jemi fort të sigurt, në i festojmë sa për tu dukur së bashku me politikanët tanë, apo na pëlqen të mblidhemi me të vërtetë! Ne nuk e varim flamurin tonë kombëtar çdo të diel në dritaret tona, ashtu siç e bëjnë shtete të tjera. Ose rrallë herë e vendosim në një cep të shtëpisë sonë! Edhe atë copë karte të Aktit të Pavarësisë,të kopjuar dhe botuar nga Lef Nosi, nuk duam të mundohemi ta printojmë, e më pas ta kornizojmë për vendin më të bukur të dhomës!
Kohët e fundit diçka ka ndryshuar rreth vënies së flamurit në çdo dritare, por edhe kjo është shumë pak, nuk është flamuri ai që tregon dashurinë për vendin ku jeton. Rrallë herë e shoh flamurin kombëtar të vendosur diku në ndonjë dhomë të këtyre dinjiteteve, sado i vogël të jetë ky flamur.
Ne në fakt bëhemi të dashur për vendin vetëm një herë në vit. Harrova, e duam vendin tonë kur e vendosim flamurin kombëtar në foton e profilit në Facebook! Sigurisht, atë që nuk mund ta bëjmë realisht dhe me shpirt, e tejçojmë në rrjetet sociale!
Por ç’të keqe ka, të dalësh në rrugë e të protestosh në një ditë feste me një idealizëm të paqtë, me figurat e Rilindasve të harruar, me harmonikë, flamur kombëtar, kitarë, lexim Migjenianësh, Konice, De Rade, apo edhe çdo gjë tjetër që i përket kësaj dite. Ka ardhur dita të ndërgjegjësohemi, se fajin më të madh e ka populli, jo ata që na hipin sipër për çdo katër vjet. Ndërsa për ty Shqipëri e dashur, Gëzuar festën tënde, por Jo atë të të gjithë shqiptarëve.
Për Gazeten Shqip, 5 Dhjetor 2011.
No comments:
Post a Comment