Monday, March 19, 2012

Bia e Rrugës “Myslym Shyri”



E shoh nëpër ecje. Më vjen ti flas. E bëj këtë gjë disa herë por ajo nuk më njeh. Është mëngjes marsi i ngrohtë me kaçurrela. Dola të fotografoj dhe të shkruaj diçka për të. Ndoshta jo për rastësinë e çasteve, por njerëzit rrugicave të këtij qyteti belbëzojnë ndër vete fjalë, ata edhe flasin me Veten. Këtë nuk e kuptojnë kur buzët u ecin dhe flasin. Kafen e mëngjesit po e pi te bartorja përballë këtij kati të parë, ndoshta më i famshmi në Tiranën e viteve të demokracisë. Tek ecurinat e mia në këtë qytet, ajo është njeriu me i çuditshëm që më ka bërë më shumë përshtypje. Po pres. Nuk të ngacmon.

Aty më kujtohet se një ditë po kalonim me Samin për punë xhirimesh pranë hapjes së ballkonit të saj, ajo po fshinte. Ai i shkeli fare pak pa dashje një katror te vogël nga e gjithë vija e bardhë e stërlyer prej resh. – Maloku i mutit, ke ardh nga ke ardh ik n’shpinë tate, kështu bërtiti Bia. Ndërsa unë qesha me të madhe pas saj se ajo e gjeti që Sami është malok. Edhe ai vetë qeshi. Bia! Të gjithë e njohim, e flasim, të gjithë e kemi parë se kush është, të gjithë nuk e njohim, por edhe të shumtë jemi ne që e paragjykojmë atë! Ajo është një personazh urban i kateve të para, që sa herë kur bëhet fjalë nëpër kafene, apo në çdo vend te të botës sonë që fjalosin njerëzit për pastërtinë apo gëlqeren, merret si shembull! Seç ka një dëshirë të zellshme për pastrim, dhe gjithmonë e ndrin atë hënën e katit të saj të parë, e përkulur me fshesat e vjetra prej kashte. Ndoshta ky është një konkurrim i zellshëm mes shitëseve të dyqaneve që lajnë e pastrojnë pragun e tyre dhe Bies… Flokët gështenjë kaçurreli, e kur fshihet rruga ato janë gjithmonë të lagura sepse e thatë është vetëm fshesa prej kashte ari. Siç është edhe ajo vetë, një “gjithmonë”. Seç më duket që flokët e saj lahen vetem me sapun Rrogozhine, mundësisht me sodë nga ato 20 lekëshet e kohës së fishkëllimës. Ritualet e Bies janë të përhershme, vetëm pastrimi dhe të bërtiturat për ata që bëjnë pis. Më shumë se çdo herë, mes dyqaneve të shkëlqimit në Rrugën “Myslym Shyri”, kati i parë i Bies lyhet pothuaj çdo ditë! Është Hënë dhe re, madje as ato nuk janë kaq të bardha. As e bardha vetë nuk është më kaq e bardhë.

 Mes llaçit të ngrirë në fasadë i ngjeshur fortë, tashmë i ngjyer me shkëlqim gëlqereje dhe xhamave të dyqaneve konturuar me një lloj mermeri të njëjtë, kati i parë i Bies, duket edhe oborr në trotuar! E shihja shpesh nga liqeni, por këto kohët e fundit sikur duket edhe më rrallë. Të folurën e mban gjithmonë me Veten. Nëse i afrohesh afër, edhe mund të kapësh ndonjë fjali, e gjitha kjo e thënë ndër fjalë me pak zë. Nëse në verë i ka këmbët e zbathura me pantofla, në dimër e sheh vetëm me pantofla: por me çorape të bardha ama! Në të mundurën e Nona Bies, ajo duket se ka një fiksim të gjithmontë për të bardhën. Më mjaftojnë të shoh gëlqeren, çorapet, qeset trajsta, funde, ndonjë bluzë të bardhë etj, dhe duket sikur në të, ka diçka që duhet pastruar për në jetën e saj…! Nga jashtë shfaqet se brendia e shtëpisë së Bies, duket e gjitha e bardhë! Për Bien, njerëzit flasin shumë, por nuk dinë asgjë! Ajo banon në atë katin e parë, që po bëhet në çdo ditë i bardhë. Pyes aty rrotull për të, por njerëzit flasin me cingërima! U fryhen rrylat, a thua se shqetësohen nga prania e saj, madje duke qeshur edhe me ironi. Bia ecën lëkundurazi, e përkulur, e shkurtër, gjithë kaçurrela gështenjë që më duket se janë të lyera direket nga gështenjtat! Ose me këna, ose ajo eshte Bio-Bia. Ka një ish kujdes në fytyrën e saj, por edhe një të tashme moshe për aq sa mundet.

Në qytet mund të dallohen vajzat kaçurrelse që kanë trupin e saj, por edhe ajo mund të dallohet tek ato se si ka qenë e re. Shfaqet se jeton vetëm: me disa armiq që kurdoherë i ka në katin e dytë apo në atë të tretë, por këta mund të jenë edhe kalimtarë të rastit të cilëve u bërtet për mos pastërti. Nëse ti kalon në kohën kur ajo fshin trotuarin të mbushur me gjethe apo hedhjesh të tjera që mund të mbajë një vend për të qenë pak më i pastër, edhe nëse ti hedh ndonjë bisht cigareje, ajo përsëri armikun e ka në katet e sipërme bashkë me ty. Por kjo nuk do të thotë që nuk të bërtet! Mban edhe një merak, nëse i shkel gëlqeren e saj të lyer mes ballkonit dhe pllakave të trotuarit i cili ka një rrip të trashë të bardhë, apo edhe kudo aty rrotull ku ka konture të trasha të bardha! Kur ajo fshin trotuarin, d.m.th oborrin, bërtet! Pasi lyen ato pemët që ka para katit të parë, së fundmi ka filluar të lyejë edhe pllakat e vendit që nuk e kanë më pemën. Madje e lyer, është edhe një shtyllë betoni. Pastërtia e saj, është bërë një ritual i zakonshëm për ata që e shohin aty çdo ditë…

Bërtet shpeshherë me armiqtë e saj, dhe për këtë ata që janë aty afër fillojnë e qeshin. Ajo nevrikoset. Njerëzit duket sikur nuk duan të flasin për të, por sepse ajo është koha më me famë e Rrugës “Myslym Shyri”. Pyeta të tjerë aty rrotull, por askush nuk më tha ca gjëra të sakta! Bia, JareBia, Barbia, Muhamebia, apo çdo gjë lloji emri tjetër, ajo do mbetet Bia e Rrugës “Myslym Shyri”. Jam kureshtar të di si jeton Bia! Më thanë që ajo ka kushërinj, motra e vëllezër, njerëz me pozitë, por askush nuk vjen ta takojë! Presin qe ajo të vdesë dhe legjenda e gëlqeres të kthehet e zakonshme për sytë dhe blerjet tona. Të dhëna para viteve tona nëntëdhjetë janë parfumuar duke thënë se Bia ka pasur për një kohë nën rradhë një histori dashurie me një person ambasade. Pak flasin se ai, pra ish i dashuri i Bies ishte nga Ambasada Polake, më shumë thonë se ishte nga Ambasada Franceze. Po normal, shumë mirë ka bërë, nëse i ka pëlqyer! Nga kjo dashni, fjalët e syve të atij sistemi i vunë vulën edhe Bies. Dhe sigurisht, që kjo histori dashurie nuk i bënte mirë moralit të asaj kohe! Kështu që Bien, e dënuan me internim. Të gjitha katet e para të Rrugës “Myslym Shyri” janë hapur për dyqane, mund të ketë mbetur edhe ndonjë tjetër. Po jo si ajo, se Bia e ka hyrjen nga rruga. Veç ta shohësh, në ato të shtatëdhjetë e mos me shume vite qe ka, hipën në dritaren e katit të saj për të rregulluar një copë prej dandelle, me afërsi rrjete të bardhë si mbulonjëse për pluhurin dhe pickonjat. Jam shumë kureshtar ta shoh Bien në ndonjë foto, si mund të ketë qenë e re! Me se jeton? A ka pension?! Nuk e kam parë të mbajë mace, së fundmi e ka një. Nuk është e bardhë, por gri me viza të zeza. Madje është nga ato macet e rralla si tigra të vegjël gri, nga ato që janë zhdukur në pullazet dhe lagjet tona. Ata që pyeta, më thanë se asaj ia kanë kërkuar shumë shtrenjtë atë shtëpi, por nuk e shet. Ajo që mendoj gjithmonë është: - Pse e përdor Bia kaq shumë pastrimin nga ngjyra e bardhë? Pse do të pastrojë, por edhe nga se dëshiron të pastrohet? Çfarë mëkati pastërtie ka ndodhur?! Afrohem te kati i parë jo për një kalim të shpejtë për në parajasë dhe e menjëhershme është ndjesia e erës së gëlqeres! Është kaq e pastër sa më duket pambukRe! Ishte ora 17:30, kur i rashë derës në shtëpinë e saj për ta pyetur ose për të dëgjuar ndonjë fjalë. Në të vërtetë unë jam aty për të pyetur kot për shtëpinë, se dua ta ble. Sa trokita në derën brenda ballkonit, ajo m’u përgjigj kështu: Hë, edhe ti ke ardhur për shtëpinë? - Çfarë do? - I thashë më fal, jo jo ngatërrova derë… E më pas doli të kontrollonte pastërtinë e zakonshme! Fjalët thonë se Bia është halla e një personi të rëndësishëm në një lloj qeverisjeje të Tiranës e më gjerë.





Gazeta Shqip 19 Mars 2012
eljan Tanini

3 comments:

  1. kjo eshte halla e nenkryetares se bashkise tiranes

    ReplyDelete
  2. Po, eshte thene dicka e tille edhe me siper! Nuk e kam shkruar per çeshtje etike. Emrin e saj e permend gjithmone.

    ReplyDelete
  3. Përshëndetje djema, 3 muaj më parë i dashuri im u nda me mua. Gjithçka filloi kur shkova në kampin veror dhe po përpiqesha të kontaktoja me të, por nuk po kalonte. Kështu që kur u ktheva nga kampi, e pashë atë me një vajzë të re duke u puthur në dhomën e tij të shtratit, isha i frustruar dhe më dha një natë pa gjumë. Mendova se ai do të kthehej për të kërkuar falje, por ai nuk erdhi për gati 3 muaj, u lëndova vërtet, por faleminderit Dr.Dawn për gjithçka që bëri, takova Dr.Dawn gjatë kërkimit tim në internet, vendosa ta kontaktoj sepse unë pashë mijëra dëshmi për të, por tani duhet të rrëfej se ai është me të vërtetë një person i mirë dhe i sinqertë, ai ma ktheu të dashurin tim vetëm brenda 48 orëve, jam shumë i lumtur. Kontaktoni atë në Whatsapp nëse keni nevojë për ndihmë në jetën tuaj: +2349046229159
    Email: dawnacuna314@gmail.com

    ReplyDelete