Monday, February 10, 2014

ÇFARË ËSHTË NISMA MBILL PEMËN TËNDE




Abies borisii-regis

Ideja lindi te një bllok shënimesh i shkruar nga të dyja anët, para dhe pas. Në fillim rendnim me Arbrin për të bërë një fidanishte të vogël nga liqeni. Pasi do t’i mbillnim pemët vetë, ato do të merreshin për t’u vendosur diku tjetër.Të fiksuar pas akacieve, të cilat nuk kërkojnë ndihmën e njeriut për rritje, bëmë asgjë. Nuk u harrua. Vazhdimi sërish mbeti në bllok, ku në njërën anë u shkrua vetëm për të mbjellë pak pemë te Parku Rinia si mirënjohje ndaj Firmëtarëve të Pavarësisë.Disa takime me zysh Ina Kasimatin ku koha lëvizte, dhe vendet ndryshonin vazhdimisht. Nga Lana, Parku Rinia, Liqeni, ndonjë minilulishte në qytet etj… Qëndruam edhe me fjalët e Inës për vajzat që ishin bërë nëna kohët e fundit, për të mbjellë pemë në emër të bebushave të tyre, e për të krijuar me pemën që në hapat e parë të jetës e në vazhdim, këtë lidhje të njëjtë mes pemës dhe fëmijës. Eralda kish kohë që donte të afronte njerëz për të bërë diçka me pemët në qytet, sidomos në lagje.Por andej nga fletët e bllokut mbaruan rinisi një fillim tjetër për të mbjellë ca pemë në një hapësirë tek Rruga e Paqes në Liqenin Artificial. Aty ku kapet një degë gjetheje ishim edhe ne, sepse nuk e dinim për bredhat, e as nuk kishim për ta mësuar se një zyrtar, pas disa kontakteve të shumta tek pemtarët me pretendime na tha se diku në Llogora është Xha Zemani me një fidanishte.Këtu ndalëm, tani do të bëhemi pak Bredharakë. Një kontakt i shpejtë me të, dhe i gjetëm bredhat për 400 lekë të reja sepse fidanishtja është në lëvizje e sipër, një mundësi më e mirë për ne dhe pemët tona.Po atë ditë hapëm eventin në Facebook me Samin.
Blendi gjeti një kuti vere nga ato të lëmuarat mirë, u gozhdua me një të çarë tek marangozi dhe kështu u bë arka e donacioneve.Brisi do të merret me shkrimin e emrave të njerëzve që pemët do të mbajnë me etiketat e tyre. Ditën tjetër gjysmë ore pas kërkesës sime, Rez Gurashi bëri një logo të mrekullueshme që e pëlqejnë të gjithë.Shumë njerëz pyesin pse e keni vënë kutinë tuaj të donacioneve te një bar kafe? Pyetja është e drejtë, por nuk e di pse nuk e kuptojnë se arka rri në një vend ku ne qëndrojmë çdo ditë. Atje ku kemi njerëzit tanë që njohim dhe dëshirat e tyre për malin dhe pemët. Por është edhe vendi, një bar kafe ku masa jonë e ka hedhur këtë ide për ta bërë qëllim, sepse në asnjë vend tjetër nuk do të kisha besim.Disa pemë do të mbillen nëpër shkolla, një tjetër për Mandelën, për Vaçe Zelën, Laver Bariun dhe Ibrahim Madhin. Do të ketë edhe pemë për shkrimtarët tanë që në këtë vit kanë një përvjetor.Ky angazhim këtë vit po nis në qytet, për ta vazhduar si ecje vitin tjetër dhe si fushatë pyllëzimi në të gjithë Shqipërinë. Për këtë herë Bredhi Abies borisii-regis është pema e mundshme që gjetëm në këtë fidanishte larg Tiranës, e përshtatshme dhe e gjendur në masë për klimën e Ballkanit.Kam besuar shpesh se ndërgjegjësimi qytetar nuk ka vdekur dhe se njerëzit që e lëvizin Shqipërinë për të dhënë ritëm në tokën tonë e duan vendin ku shkelin dhe jetojnë. Sepse edhe ne e mbajmë botën që ajo të bëhet më e rrumbullakët, kur punët dhe dëshirat janë angazhime. Duhet forcë për të bërë çdo angazhim, nismë dhe lëvizje.
Modeli i pemëve është një shembull i mbrojtjes së mjedisit nga vetë NE, por ka edhe shumë më tepër tendenca politike të gabuara, të cilat nuk mund të luftohen vetëm nga një grup i vogël që merr mundin e përpjekjeve për të përmirësuar atë që nuk ndodh.MBILL PEMËN TËNDE është një aksion qytetar ku të gjithë njerëzit përfshihen në të vullnetarisht përmes dëshirës dhe kontributit modest, duke menduar një person të dashur me kujtime, për të mbrojtur të gjelbër qytetin dhe mbjelljen e një ose shumë pemëve.Ftesa është e thjeshtë për të kryer një punë vullnetare me qëllimin e vetëm që të shërbejmë në këtë qytet, e për të dhënë një mësim qytetarie tek ata që sot përtojnë të ndiejnë atdhetari në zemrën e tyre. Angazhimi për të Mbjellë Pemën Tënde në qytet do të thotë jo ta ndryshosh por ta shndërrosh vendin, lagjen, hapësirën e gjelbër përmes kujdesit në distancë të pemës tënde.
Nganjëherë, kur mendoj se ç’pasoja të mëdha rrjedhin nga gjëra të vogla, bindem se nuk ka gjëra të vogla. Kjo shprehje e Bruce Fairchild Barton më bëhet të mendoj se nuk ka gjëra të vogla, por varet nga i sheh, si bëhen dhe sa të madh e kërkon mundin për një përpjekje si kjo e Mbill Pemën Tënde.
Nuk ka gjëra të vogla, sheh fëmijët e kolegëve kur vijnë tek arka e dhurimeve vullnetare dhe hedhin aty kursimet e tyre. Ata e dinë mirë se duan të rriten bashkë me pemën. Edhe unë dua.I vogël bëja mësime katekizmi, kam pasur frikën kur mendoja se ikja nga Ferri në Parajsë shkonte përmes pemësh të mëdha e të gjata. Ato i shihja gjithmonë si ndërmjetëse mes tokës së thellë dhe qiellit të largët, aspak të zbrazur! Një ëndërr e shkruar brenda meje për ca pemë më shumë në qytet do të mbillet më 15 shkurt. Janë 300 e ca pemë bredha, për në pllajën e gjelbër pranë Rrugës së Paqes në Liqenin Artificial. Deri tani bëhen 300 njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre. E rëndësishme është se ata që i duan dhe i respektojnë pemët bëhen më shumë pranë për ndodhi të tilla se për gjëra politike. Ashtu siç ka edhe nga ata që hedhin shpenzimin e tyre pa shkruar emrin tek lista, e cila shërben më pas për të shënuar emrin e kapur në pemë.Aksioni për të mbledhur të ardhurat e domosdoshme do të zgjasë për rreth një muaj, duke filluar që me hapjen e datës së eventit. 11 janar-15 shkurt 2014. Për këtë nismë është kërkuar ndihma e Bashkisë Tiranë e cila e ka mirëpritur angazhimin tonë.Ju mund të kontaktoni në Facebook tek ky link https://www.facebook.com/events/274235896067760/Fillimi është sa gjethet, sa sythat e parë të pranverës që po çelen në këtë stinë. Rrugës, koha e gjatë e datës 15 shkurt për pemëzën tënde po vjen. Kam harruar me qëllim një paketë cigaresh që kushton 250 lekë, një kafe 100 lekë dhe një kriko birre të vogël 250 lekëshe duke i kursyer për në arkën e dhurimeve vullnetare. Shihemi në datën 15 shkurt në Rrugën e Paqes, Mbill Pemën Tënde

Për Gazetën Shqip10 Shkurt 2014




No comments:

Post a Comment