Sunday, May 18, 2014

Quhem Yll

Fjalët e një miku të dashur që nuk jeton më me dëshirën e tij

-       Unë nuk jam psikopat! Kapi lulen me një dërgesë tek vajza aty pranë duke thënë: - Sot lule nuk dhurohen më, e përse?! Ai që i jep lule dashurisë së tij qenka i dalë jashtë mode? I kanë lënë lulet vetëm në përkujtim të atij që shkoi, e përse mos të lënë një guriçkë kur të shkojnë ta vizitojnë në pllakën e mermertë të varrrit! Më mbytën me ilaçe... Më në fund nuk më duronin në shtëpi dhe më çuan në mëhallën e të gjithëve. Ça kanë me mua vallë? Përse nuk më lanë në dhomën time. Unë jam normal, ti jo? Unë e shoh Zotin e flasë me të çdo natë, ti jo?! Shoh edhe xhindët. Përse qënkemi të çmendur ne, se shohim ato që nuk mund ti shohin e te prekin këta gjoja normalët! Këtu është tmerr, më japin ilaçe por nuk i përtyp. Përse disa janë shumë mbi normalë e të lumtur, e të tjerë sakatë e të vuajtur? Si mund ta kalosh tërë jetën ashtu, patjetër edhe këta të vuajturit do të kenë një shpërblim, është e pamundur të mos shpërblehem. E në mos qoftë kështu do ti prishim të gjitha moralet e ndërtuara të fesë, nuk do të ketë më vlerë të egzistojë mes nesh.
Përse mua më shohin kështu, mos u jam bërë barrrë të tjerëve? Shkuan e më mbyllën atje në çmendinën "YLL" me pesë cepa sepse ne jemi yje. Unë jam në dhomën pesë. Jam edhe nga lagjja pesë, madje shtëpinë e kam patur në kat të pestë, por e shitën për mua së hipja në ballkon. Flisja, flisja, flisja dhe fluturoja me Zotin. Por në shkollë nuk kam qënë me pesa.  E vetmja pesë që kam marrë që nga klasa e parë deri në vit të tretë në Akademinë e Arteve  ishte ajo e ...nuk e mbaj mend.
Di vetëm se kam qenë me dhjeta. Këtu më pisët se kurrë, këtu na rrahin. Na lënë ashtu me urinë e nevojë kafe që të mbajmë erë me dëshirë. Mua me pëlqen. Një ditë erdhi ajo e bardha e ushqimit, ajo pështyn shpesh në pjatën time, e unë ça bëra?! E hodha gjithë uturakun tim në surrat. Qe mos të lahem dhe më pas mezi pres ta përqafoj fshehurazi. Hahaha, ajo e ka inat këtë gjë. Mua më pëlqen. Prandaj më urren dhe pështyn në pjatën time. Për këtë shpërblim të bukur, më mbajtën një muaj në izolim, i lidhur në duar, me atë pak dritë. Edhe aty u qelba në erë. Në verë na qethin, nuk njoh femrat nga meshkujt. Marrin zorën e na freskojnë në oborr. Ja Yllka shoqja ime, ajo po fluturon. E dua atë. Sa për kujtim edhe unë quhem Yll. Jo Ylli,  prandaj e dua shumë atë vajzë. Rri këtu në stol duke pirë ndonjë cigare që më japin infermieret. Të shohësh çfarë vithesh dhe gjoksi të bukur ka. Vetëm se është tullace. Edhe atë e zunë morrat e xhindeve. Thonë që kam shumë shok, edhe unë i kam parë. Unë të gjithë shok i kam. Ata në verë vishen me të trasha, e në dimër dalin lakuriq. Nuk më ka ardhur askush të më vizitojë, u bënë tashmë dhjetë muaj. Nuk di ça bëhet me bibliotekën, me pikturat e mia në studio! Me siguri, do i kenë shitur gruaja dhe fëmijët e mi. Tërë ato libra që i mblodha me mundim, kur prindërit nuk kishin më jepnin lek për të blerë edhe librin edhe telajon. Tërë ato piktura të frymëzuara natën. Të paktën ti shesin, vetëm mos i digjni! Quhem Yll, apo e thashë një herë këtë. Pse nuk më çuan më mirë në azile? Tani kam një të dashur, dua të bëj fëmijët e mi kur të dal që këtej, po dola ndonjëherë! S'ka gjë, do të martohemi këtu. Kemi edhe një prft, atë të shkretin e kanë harruar që nga koha e atij komunizmit. E kush tha që ne jemi të çmendur, edhe unë fluturoj. Të jeni të sigurt se ne të çmendurit shohim atë që nuk mund ta shihni ju gjoja normalët. Pikërisht, normalët janë më të çmednur nga ne, se hiqen sikur janë. As tek rrenat nuk janë. Ne shohim çdo gjë, edhe atë që lëviz mbi ne, prandaj na mbyllin këtu. S'duan të dalin sekretet. Çfarë kanë me ne artistët, ne jemi liçensuar për çmenduri ndërkombëtare. A jemi të paqtë, bëhemi të egër se ju nuk na doni. Unë kam edhe shumë shokë në parlament, të gjithë shokë i kam. Nuk e ke vënë re sa ngjajnë me mua!
Aty për aq pak sa qëndrova unë, ishte tmerr. Gjithkush të kërkonte ndihmë. Madje pashë edhe një fqinjin tim që merrte ilaçe dhe fliste me të bardhën e murit. Çdo gjë jo edhe aq e fshehur. Shpesh shoqëria jonë të vret, njerëz që bërtasin kudo, prindër esterikë që rrahin në rrugë fëmijët e tyre për gjënë më të vogël. Dhunë e vetëm dhunë, të tjerë që zihen e përsëri bërtasin për antenën në tarracë, kush e fiku e kush e hapi pompën. Tani që na falën lirinë, nuk dimë të duam që ta përdorim atë! Prandaj do të jetë i vrarë  në liri për t'u rikthyer në guackën e parë: që mendimi të jetë më i plotë. Sepse sipas saj dhuna bën njeriun. Dhunë për monumentin e një kohe, me moshën, djem që rrahin prindër, por edhe burra të dhunshëm për gratë dhe fëmijët. Se nuk ka problem është gjë e tjetrit, se je ti tjetri dhe unë dua të heq tërë nervin tim. Në një shqoqëri si kjo e e jona ku ngacmimi është bërë si dëshirë për t'u ndjerë më mirë, është një arsye më shumë përse populli nuk ngrihet të protestojë në festën e mizës që edhe me atë që gjen mbi çdo gjë të pisët, e pranon dhe lepin surratin. Disa të etur për grykësi, e disa kënaqen me pak...  

Shkëputur nga Libri Tregu i Zeros, faqe 52, et


No comments:

Post a Comment