Monday, May 19, 2014

ÇMENDURINA SHOKËSH

(Një kujtim që sot endet me pasoja)
Ishte një vjeshtë e qelbur e 1990-s. Më shumë se kaq, çdo gjë më dukej se duhet të ndryshonte.
Nuk isha, as djali i çmendur, as mejhanexhiu i radhës, por një student me një adoleshencë të qetë. Dhe pikërisht kjo më pëlqente tek unë. E dija se Vetja, po më kërkonte shumë.
Fillova fiksimin e koleksionimit, edhe çfarë: fosile. Asnjëherë nuk u thoja të tjerëve se çfarë bëja dhe çfarë isha. E kuptova që shoqëria po ndryshonte. Pasi kjo vjeshtë e qelbur nisi, e si e tillë, në shtator filluam shkollën në Universitetin e Tiranës, dega matematikë. Unë vija nga një shkollë fshati, ndërsa Ar Pushka, vinte nga Shkolla Skënderbeg, një quks, por njëkohësisht edhe nga Qukësi i Librazhdit. Hëhëhë, edhe quks, por edhe nga Qukësi. Për jetën e tij më tregonte se kur ishte fëmijë e përdornin si hamall për të transportuar valixhet nga Qukësi te stacioni i trenit.
Rastësia e keqe e deshi që qëlluam në një dhomë. Pinte shumë duhan, rreth 40 cigare në ditë dhe kollitej në orët 4:00-6:00 të mëngjesit. E thashë pra, ishte një vjeshtë e qelbur…
Tani meqë erdha në Tiranë, duhet “të zë një të dashur”. Duhet të ishte e para për mua, nuk është se nuk desha të kisha një të tillë më parë, por kisha menduar ndryshe.
Duhet të kisha vetëm një të dashur në jetën time e asaj t’i falja çdo gjë, sepse kur ta bëja me të në herën e parë, duhet të mendoja vetëm për të. Seç më kishte kapur, se duhet të gjeja një dashur, madje teoria e fiksimit tim qe, se po më ikte mosha… Pra ishte koha më e mirë për mua që doja të bija në dashuri, aq shumë sa muzika më bënte sikur isha i tillë. Madje, pas kësaj m’u shtua edhe një “edhe” se duhet t’u jepja fund masturbimeve. Sa ma pështirosën edhe shokët e dhomës, teksa qejflilloheshin gati çdo natë. Stina ime e fiksimeve filloi. Me Ar Pushkën, u grinda se pinte duhan në dhomë e më bezdiste shumë. Unë mendova “një zënkë e vogël midis shokësh dhome”. Pushka, e mendoi ndryshe. Megjithëse ishim shokë dhome, tinëz ai filloi të mbushte muret e godinës 4 me lajmërime mbi koncertet që unë do të jepja me Michael Jackson dhe Luciano Pavarotti. Kur u ktheva në shtëpi babai më tha se kishte marrë vesh se kanë mbushur Tiranën me letra për ty. Duket që shokët e mi, ishin më se të lumtur të hapnin thashetheme apo më mirë “fjalëmuti” për mua… Ai ishte i turpëruar për mua, me figurën idiote që po bënte në fshat, për të birin e tij fare normal. (Ishte mësues). Aq sa Zeqinea fqinja jonë, e shikonte kur vinte nga puna në drekë, dilte në oborr për të varur gjoja rrobat dhe e pyeste për mua. Gjithmonë i kam urryer të tillë, madje edhe veçohesha prej tyre, por ja që stina e tyre filloi. Patëm një muaj pune prodhuese në korrjen e misrit. Pasi u kthyem, dhomat u riorganizuan dhe ndërruam godinë, vajtëm te Godina numër. 5. Këtu filloi tmerri i stinës së vërtetë. Ai kishte shumë shokë të tjerë skënderbegas. Më kujtohet vetëm emri i Selthos. Me origjinë nga Burreli, tani jeton në Elbasan, lagjja “Haxhias”, diçka e tillë. Filluan të mbushnin muret e Godinës numër 5 dhe të Fakultetit të Shkencave të Natyrës me lajmërime të tilla. S’e dija as nga më vinin. Për mëshirë, tre shokë nga Shkodra, Ar Savaja, Ar Dollapçiu, dhe Bar Kolla, më ndihmuan ta gjej se kush ishte. Ky qe një lehtësim i madh për mua. S’pushuan, por të paktën e dija nga vinin. Nuk ndihesha mirë shpirtërisht. S’u mjaftuan me kaq. Një ditë më panë teksa shkoja në shkollë te 15-katëshi dhe m’u bënë rresht për një prapa. Ç’të bëja? Ishin shumë dhe të dhunshëm. Ndenjën ashtu deri në hyrje të godinës C në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Të gjithë qeshnin me mua. S’u kisha bërë asgjë. Për mëshirë prapë ata tre djemtë gjetën një stampist që iu paraqit Selthos sikur ishte çuni i tezes sime. Biseduan me të dhe i futi pak frikën. Kështu ndaluan. Dëmi ishte bërë.

Edhe në kohën që desha të gjeja një të dashur, tashmë isha unë shenja e integralit që më kishte kapur kjo shenjë e keqe në stinën time. Filluan rrëmujat në dhjetor. Unë mora pjesë që më 8 dhjetor. Atë natë dikush ndaloi makinën e policisë në Rrugën Budi. Isha unë që i dola para makinës së policisë. Rreth çështjes sime gjithçka tjetër është e parëndësishme. Degjenerova nga mësimet, sepse isha shumë i turbullt në mendje nga tronditja që pësova. Ato më lart vazhduan për disa muaj. Pushka, ishte kumarxhi i madh dhe i suksesshëm. Jetonte në të njëjtën dhomë me Nas Valën dhe Tak Ndalën. Të dy minoritarë. Nas Vala shkoi më pas në Greqi dhe lozte bixhoz. Pushka e rropi në bixhoz. Pushka u merrte atyre gjithçka dhe e përdorte pa leje. Ata s’ia varnin shumë, varja mo. Studentët mblidheshin në ndonjë dhomë të gjithë për të luajtur bixhoz. Aty ishte një herë Tak Ndala me të tjerë. Pushka i afrohet dhe i thotë në vesh “m’i jep pak brekët se do shkoj te e fejuara?” Taku u turbullua shumë nga kjo dhe murmuriti me zë të mjaftueshëm që të gjithë e dëgjuan “s’i mjafton këtij që më merr shampo dhe gjithçka tjetër. Tani më kërkon dhe brekët”. Pushka vuante nga fiksimi i gjërave të tjetrit, ato i shijonin shumë. Më parë i merrte edhe pantofla, peshqir, dilte edhe me pulovrat e Takut. Tani Pushka ka një restorant që e bëri me paratë që ia vodhi Nas Valës. Vala është ndarë nga gruaja dhe bën një jetë të vështirë.

Shkëputur nga Libri Tregu i Zeros me Titullin: Më jep pak brekët se do shkoj tek e fejuara
eT
Për Gazetën Shqip, 19 Maj 2014

No comments:

Post a Comment