Thursday, February 19, 2015

Mos ndërtoni te Diga e Liqenit Artificial




Eljan Tanini*

Është e thjeshtë dhe e dukshme: Janë marrë vesh të gjithë duke e kthyer atë në vulën e fundit të krimit urbanistik dhe njerëzor, apo duke u ribërë dhuna e asaj që dhemb më shumë në hapësirën më me gjelbërim të Tiranës. Këto pretekstet me përralla se do ta prishim Parkun e Liqenit për të ndërtuar një, dy apo tri liqene të reja nuk pinë e as nuk thajnë më asnjë tokë, sepse i patëm provuar me dogma bashkiake që kurrë nuk u bënë ashtu siç u thanë. As nuk thahen dot në diell, e as nuk harrohen. Unë nuk e dua Liqenin apo Parkun e Tiranës si politika.
Është më mirë kështu siç duket sot, se pushtimi i gramit të betonit që po e ha çdo ditë e nga pak. Nuk dua më ndryshime. Më pyeti kush? Madje nuk dua asnjë pretendim tjetër për të ndërtuar edhe atje ku lavazhet lajnë veten dhe bosat që nuk janë as mjaftas e “djothtas”. E kam fjalën për ata me partinë e lekut që kanë paketuar lejet për pallate me mbi 30 kate. Na patën lajmëruar dikur një projekt me një biçim studio nga Holanda, me disa kulla të ngujuara që shihnin dhe pushtonin Liqenin afër digës.
Leja, fjala, dukja, dhe zhdukja nisën në kohën kur vendi qeverisej në njërën anë nga Salistani dhe kryeqendra nga Ramallau. Ndërsa sot, kemi një Bashaliman kaq të thatë sa as gjynahet e veta nuk i krahason dot me Liqenin e vyshkur të Tiranës, pasojat e dhunës së ndërtimit po i protestojmë sot. Në të vërtetë po ndërtohet vetëm ajo që na u paralajmërua vite më parë.
Ku janë PS-istat me tangërllëqe qyteti? Ata që sa ishin në opoZitë bënin gam  dhe prisnin  bam për çdo gjë, tani që janë në qeveri me “q” të vogël apo me “q” të madhe, as nuk u shkon në mendje të reagojnë për Parkun! Ku është Opozita që nuk është?! Ku është drejtuesi i qeverisë?! Vota e Bardhë, je dënimi i vetëm, ndryshe askush nuk zë mend në këto qeverisje. Pas një ndërprerje punimesh nga EUNUKU INUK, seç patëm ca shkëndija dhe harruam me gëzim se këta do e nisin sërish punën atje.
Tirana nuk ka më asnjë fat për të qenë kryeqytet nëse pranë Digës së Liqenit Artificial do të ndërtohet një kompleks pallatesh i çuditshëm, të cilët kanë vetëm një qëllim: të thajnë dhe të zhdukin përfundimisht edhe atë pak liqen që na ka mbetur. “PallAti” ose allatet e tjera që do të na lënë peng, tregon se Tirana është vetëm një vend për punë, sepse shtëpitë e tyre i kanë të gjithë jashtë saj.
Puna e tyre është vuajtja jonë. Unë nuk dua që kjo udhë të nisë me protesta dhe zhurmë, të hidhen dy kate e më pas kryeministri me “k” të madhe ose “k” të vogël të nisë drejt e për atje fadromat dhe tritolet për ta shembur. Ndryshe quhet shfrytëzim njerëzor. Nuk është i njëjti rast me populizmat e armëve kimike. Qytetarët për Parkun duan që ajo të ndalohet tani.
Nesër, as vetë fjalia më vonë nuk do të këtë kohë. Nëse ndodh e gjitha kjo, dëmi është bërë. Sepse atje nuk mund të lënë as të thellohet. E kanë rastin e të gjitha fateve që të krijojnë një pyll të ri për qytetin, duke u futur edhe vetë në histori. Janë mësuar duke na thënë shpeshherë se gjelbërimi shtohet më shumë kur ka pallate, dhe se ky projekt injorant shfrytëzon vetëm 40 për qind të territorit privat, e ku në përfundim të tij do të kemi një përfitim prej 20 mijë metra katror hapësirë publike dhe gjelbërim.
Nuk i kam besim asnjë projekti që është në foto me gjelbërim, ato janë shfrytëzime për të maskuar atë që nuk na thonë. Njësoj me këto hedhurinat e dikurshme kur na mësonin se këtu në X vend, siç ishte psh Kinema “17 Nëntori”, do të ndërtojmë 5-fishin e asaj që prishëm. Qytetarët për Parkun. Leja e parë për këtë betonizim është marrë që në vitin 2011, e mos më herët. Përse të mos ketë një zgjerim të zonës së Parkut të Liqenit?!
Në asnjë vend të botës nuk mund të ndërtohet pranë digave dhe sidomos përballë tyre në asnjë rast, në vende të ndryshme të botës nuk ka ndërtime nën hapësirën e rrjedhjes së ujit me shtrirje sa vetë diga, ku Artikulli 56 i Ligjit, “International Humanitary Low”, mbështetur mbi Konventën e Gjenevës dhe të Hagës (1899), përcakton parimin e rrezikut të ndërtimit të Digave në zonat e banuara dhe parashikon dëmtimin e objekteve dhe rrezikut që mbartin këto për jetën e popullatës civile. Ky artikull zbatohet në vendet që nuk janë në konflikte apo luftëra apo rrethana të tjera të rrezikshme. (Ref. – International Humanitary Low).
Edhe nëse zona si kjo që nuk duhet të ndërtohen kanë siguri për shitjen e apartamenteve, blerësit janë njerëz që janë marrë me pisllëqe, të cilët preferojnë më shumë që këto para t’i bëjnë shtëpi, sepse ndryshe këto para nëpër banka mund të sekuestrohen. Tirana apo Shqipëria nuk janë pronë e asnjë qeverie apo bashkie, dëshira të marra prej Vendimeve nga Këshillat e Minjve. Ku këta të fundit kanë bërë të njëjtat krime që bëri sistemi komunist drejt natyrës njerëzore. Ndërsa këta po e bëjnë krimin e tyre me Natyra Natyrën. Si është llogaritur siguria e kësaj dige, dhe përse nuk u intereson aspak liqeni? Të ndalojmë këtë betonishte të re, ku nesër do të afrohet edhe më pranë bregut të Liqenit. Në fakt dikur na e kanë parashikuar dhe thënë se çdo pllajë Tirane e hapur do të bëhet një ngricë betoni. Shtëpitë e tyre i ndërtuan në male, liqenin e kthyen në halLe.

Autori është pjesë e një grupi qytetarësh që kërkojnë ndalimin e ndërtimit në zonën e Digës së Liqenit të Tiranës

Gazeta MAPO, 18 Shkurt 2015 





Monday, February 9, 2015

Kërkohet një Onufër në Galerinë Kombëtare



Çfarë misioni ka arti në Shqipëri? Po debati mbi çështjet e tij, po provokimi, ndjesia, hija që të lë shijimi i veprës së artit, ku kanë humbur? A është arti në Shqipëri i pushtetshëm? Nëse arti te ne do ta shihte veten në pasqyrë, do të kuptonte se gjysma e artistëve tanë flasin me vete dhe gjysma për veten. Jemi ende konservatorë, ku shija artistike ushqehet me konserva!

Emri i konkursit, ekspozitës apo i çmimit “Onufri” të Galerisë Kombëtare është një domosdoshmëri për artin pamor në Shqipëri, për një thellim të mëtejshëm mbi një paraqitje ndërkombëtare. Në gjendjen që është sot, ka pak përgjigje për artistët tanë, sepse aty janë përmbledhur ajo që nuk bëjnë artistët dhe ajo që nuk ndryshohet nga sipër. Kjo ka gjasa të ndodhë … Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të marrë pjesë në të çdo vit, madje këtu duhen parë edhe arsyet: ku nuk kanë pse të marrin pjesë vetëm ata që janë artistë, që kanë mbaruar artet, por edhe që janë të njohur në ditët tona. Po aq sa është e vështirë të thërrasësh njerëz që marrin pjesë në një organizim të tillë, e për më shumë të paguajnë për të. Por kjo mbetet e diskutueshme. Galeria Kombëtare e Arteve e ka tejet të nevojshme vetadministrimin e ngjarjeve me përmasa të tilla. Duke u kapur në njërën dorë nga Ministria e Kulturës, kjo galeri në dorën tjetër duhet të ketë rrotull saj edhe bizneset. Galeria e Arteve e ka shansin të punojë për këtë gjë, sepse është zemra e Tiranës. Periudha e dimrit është koha më e mirë ku shqiptarët mund të shkojnë të shohin disa vepra arti. Por një joshje turistike gjatë pranverës dhe verës, na thërret se duhet hapur patjetër një ekspozitë mbi artin pamor bashkëkohor shqiptar, ku mbase mund të ketë edhe punë nga Onufri i viteve të fundit etj. Prandaj ju lutem, mos i bëni Galerisë Kombëtare një shtesë për këtë arsye, duke u kthyer edhe ajo si shoqet e saja: ndërtime që i vlejnë shtetit me shtesa mbi arsyen e mangët se nuk ka vend. Është i vështirë fakti i kritereve, sepse në Onufër duhet të konkurrojnë të gjithë, gjë që e tejçon seleksionimi i saktë. Çmimi më i përshtatshëm mund të jetë një rezidencë në Tiranë, stampuar mbi një katalog të thjeshtë, dhe shoqëruar me një ekspozitë në GKA. Fituesit mund të përzgjidhen nga populli online, ashtu siç edhe artistët mund të vlerësojnë njëri–tjetrin, por edhe nga ata që e shohin ekspozitën nga afër. Këta të fundit mund të votojnë edhe online brenda GKA-së. Çmimet e kanë të nevojshme të kenë një ndarje shqiptare në trojet tona, për të rinjtë, por edhe ndërkombëtare. Gjithmonë nëse pjesëmarrja nuk është sa për të thënë. Dhe nëse bëhen ndryshime të tilla, të paktën ato që nuk mund t’i jepen Onufrit për nga mundësitë ose të ndahen mes Marubit të harruar. E mbani mend Marubin, pse nuk bëhet? Ose Marubi të jetë thellësisht shqiptar, për të rinj e të njohur ose Onufri të bëhet një çmim, ku kanë të drejtë të marrin pjesë gjysma shqiptarë dhe gjysma të huaj. Sepse ky çmim e ka tejet të nevojshëm shansin për të qenë më i njohur ndërkombëtarisht.
Sot. Artistët shqiptarë janë një specie pak e vendosur për gjërat e tyre, ku keqkuptojnë faktin se botë ka vetëm në studiot e tyre. Nuk po i them të gjitha se çfarë race gjendet në shijet e tyre njerëzore dhe artistike, por të paktën duhet të kishin bërë një reagim më të madh se përse është i nevojshëm riorganizimi i Onufrit në Muzeun Galerisë Kombëtare. Por jo! Fare. Sepse një pjesë e mirë prej tyre janë njerëz thellësisht politikë, ku ndryshimet ndodhin vetëm gjoja pas nesh, por edhe sepse jetojnë aty ku tradita u ha shijet. Onufri i Galerisë Kombëtare është konkursi, ekspozita dhe çmimi më i rëndësishëm në vend për atë që ndodh rreth arteve pamore në Shqipëri, duke qenë pikënisja mes asaj që ishte dikur dhe rendit të horizontit artistik sot. A e dini ju se çfarë bëhet me artistët e rinj? Hidhen në treg pa mbajtur asgjë për arsye të shumta. Që kjo vlerë të rishfaqet te publiku, është tejet e domosdoshme të bëhet njohja përmes gjendjes kohore në artin shqiptar. Onufri i Galerisë Kombëtare duhet të rishihet për nga forma e organizimit. Me këtë dua të them që edhe një i burgosur i talentuar, duhet të ketë të drejtën për të marrë pjesë tek Onufri. E kam fjalën për cilësinë e veprave të artit që shfaqen në të. Vitet e fundit na është treguar art sa për të marrë pjesë, ku ndjesitë nuk të lënë asnjë shenjë. Nëse artistët shqiptarë kanë punë jo të mira në pjesëmarrjen e tyre, ashtu siç mbase mund të ndodhë, kjo gjë kërkon një pjesëmarrje ndërkombëtare. Por edhe nëse këtë herë pjesëmarrja e punëve mbi këtë ndjesi të artit pamor është e vakët, kjo do të thotë se ata që e organizojnë shkëmbimin e sjelljes së punëve më të mira të artistëve kanë harruar të kërkojnë temën që josh, që nxit, që provokon, që të bën artist, intrigën, të rinjtë, e aq më pak të bukurën. Kjo është frika e Onufrit, nëse edhe këtë herë me këtë organizim të debatuar, i cili sigurisht që do të bëhet, do të na sjellë vepra arti thellësisht nga ato që të lënë pa fjalë apo copa nga studiot e atyre që na tregojnë vetëm atë ku shohim dhe kuptojmë, por pa nevojën e artit në Shqipëri?! Por këtu ka një arsye të indiferencës! Si duhet ta shohim këtë traditë, si një vazhdimësi ku artistët e rinj e kërkojnë patjetër ndryshimin, sepse nuk kanë ku të marrin pjesë, pra tek asnjë ngjarje pamore apo si shenjë ku të vjetrit nuk është se interesohen, sepse pas tyre nuk u bë më as Onufri, as Marubi, dhe aty-këtu as Bienalja e Tiranës! Ku këtë të fundit po ta thellosh, do të ishte më mirë të mos e cakitnim me ndërhyrjet e politikës. Sepse po t’i japësh vetëm veshë Bienales së Tiranës, ajo bëhet banjë publike. Arsye për diçka tjetër? Kush e tha këtë? Nuk ka arsye që të jetë një ngjarje tjetër, jemi të lodhur me ndodhi të reja të cilat mezi i japin jetë asaj që te ne quhet trashëgimi. Ne kërkojmë ditë dhe ngjarje që kanë nevojë të trashëgohen, të mos jenë vetëm një hap fillimi. Onufri është i trashëgueshëm. Por që të na jepet diçka tjetër, duhet të ketë krizë në artin pamor shqiptar. Por a ka krizë? Këtë do ta vërtetojë shumë mirë riorganizimi i kësaj radhe. Onufri i Galerisë Kombëtare mund të kthehet shumë mirë në një çmim ndërkombëtar, ku në të kanë vend edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë, ne që jemi këtu, por edhe të huaj. Po me studentët e Universitetit të Arteve çfarë do të ndodhë? Përveç shkollës së tyre brenda një sistemi pak dembel që mezi po ndryshon, a e kanë ata shansin të ekspozojnë në këtë konkurs? Sigurisht, pas trevjeçarit ose masterit po. Onufri nuk mund të degradohet në një ngjarje ku fituesi është vendosur më parë dhe të tjerët marrin pjesë në të sa për të thënë, ashtu siç ndodh me një pjesë të mirë të konkurseve tona në përgjithësi, për çdo pjesëz të jetës dhe veprave ku ka hiç, sepse nuk ke çfarë thua për nga asgjëja. Onufri kërkon një dorë të fortë, ku brenda Galerisë Kombëtare dhe Ministrisë së Kulturës ka disa njerëz që mund ta bëjnë ashtu siç e ka emrin.
Temat. Ato kanë nevojë të jenë më të prekshme, më njerëzore dhe jo qepje personale të dikujt që kur pëlqen një autor nga letërsia dhe filozofia ta kaurdisë me një ndotje habie mbi muret e Galerisë Kombëtare apo të varen punë me kuptime kuratorësh të huaj apo shqiptarë, të cilëve u serviren më parë se kush janë artistët e rinj apo të vjetër dhe mbi ta ndërtohet apo hidhet tema. Dyshoj se mbi këtë çmim, konkurs apo ekspozitë ka disa biçim artistësh që duan ta shohin të mbyllur, duke krijuar mbi të një të re pak si politike. Madje ata janë artistë politikanë, e kam fjalën për disa që flasin pas një veshi. E rëndësishme është që Onufri të na shfaqet me një kosto të lirë, ku shpërblimi i fitores të mbetet prestigjioz dhe i thjeshtë. Por Onufri duhet të bëhet me patjetër, edhe për gojët e liga, që këtë festë të artit pamor në Shqipëri duan ta shohin të zhvatur, se para tyre na paska qenë gjoja më mirë! Onufri kërkon të jetë një aktivitet thellësisht i organizuar nga Galeria Kombëtare me një buxhet të përcaktuar nga Ministria e Kulturës dhe nga sisteme të tjera private rreth GKA-së. Kush mendon se mosorganizimi i këtij Onufri ishte turp, skandaloz etj., gabohet rëndë, sepse ato që mendonit për të tjerët janë të tuat. Tradita e Onufrit për këto vite organizimi ka treguar se jo të gjitha punët fituese në të kanë qenë të mira, madje jo aq të mira se mund të fitonin edhe këtë çmim me emër të madh. Riorganizimi ka vend edhe për nënndarje, ku më vete mund të ketë edhe një çmim për të rinjtë. Nëse harrohet Onufri i Galerisë Kombëtare, bie rëndë pesha e vlerësimit të rrymës së evidentimit, duket sikur në këtë vend askush nuk ka nevojë të konkurrojë apo të shfaqet, me të gjitha anët pamore, gurgulenë, hovin e dijes së re politike që na ka ardhur në vend, mbi dhe nën kujdesin se nëse është konkurs, në të mund të mos marrin pjesë të gjithë. Por nuk mjafton, sepse edhe më të mirët janë të rëndësishëm duke e parë pjesëmarrjen jo si konkurs. Pas fjalëve mbi organizimin e këtij Onufri, kërkohet provokim dhe nxitje. Kërkohet ajo që nuk harrohet, ajo që duhet të mbahet mend gjatë.


Eljan Tanini
Për Gazetën Shqip, 7 Shkurt 2014 
karikatura nga Endri Beqo