Çfarë misioni ka arti në Shqipëri? Po debati mbi
çështjet e tij, po provokimi, ndjesia, hija që të lë shijimi i veprës së artit,
ku kanë humbur? A është arti në Shqipëri i pushtetshëm? Nëse arti te ne do ta
shihte veten në pasqyrë, do të kuptonte se gjysma e artistëve tanë flasin me
vete dhe gjysma për veten. Jemi ende konservatorë, ku shija artistike ushqehet
me konserva!
Emri i konkursit, ekspozitës apo i çmimit “Onufri” të
Galerisë Kombëtare është një domosdoshmëri për artin pamor në Shqipëri, për një
thellim të mëtejshëm mbi një paraqitje ndërkombëtare. Në gjendjen që është sot,
ka pak përgjigje për artistët tanë, sepse aty janë përmbledhur ajo që nuk bëjnë
artistët dhe ajo që nuk ndryshohet nga sipër. Kjo ka gjasa të ndodhë … Askujt
nuk mund t’i mohohet e drejta për të marrë pjesë në të çdo vit, madje këtu
duhen parë edhe arsyet: ku nuk kanë pse të marrin pjesë vetëm ata që janë
artistë, që kanë mbaruar artet, por edhe që janë të njohur në ditët tona. Po aq
sa është e vështirë të thërrasësh njerëz që marrin pjesë në një organizim të
tillë, e për më shumë të paguajnë për të. Por kjo mbetet e diskutueshme.
Galeria Kombëtare e Arteve e ka tejet të nevojshme vetadministrimin e ngjarjeve
me përmasa të tilla. Duke u kapur në njërën dorë nga Ministria e Kulturës, kjo
galeri në dorën tjetër duhet të ketë rrotull saj edhe bizneset. Galeria e
Arteve e ka shansin të punojë për këtë gjë, sepse është zemra e Tiranës.
Periudha e dimrit është koha më e mirë ku shqiptarët mund të shkojnë të shohin
disa vepra arti. Por një joshje turistike gjatë pranverës dhe verës, na thërret
se duhet hapur patjetër një ekspozitë mbi artin pamor bashkëkohor shqiptar, ku
mbase mund të ketë edhe punë nga Onufri i viteve të fundit etj. Prandaj ju
lutem, mos i bëni Galerisë Kombëtare një shtesë për këtë arsye, duke u kthyer
edhe ajo si shoqet e saja: ndërtime që i vlejnë shtetit me shtesa mbi arsyen e
mangët se nuk ka vend. Është i vështirë fakti i kritereve, sepse në Onufër
duhet të konkurrojnë të gjithë, gjë që e tejçon seleksionimi i saktë. Çmimi më
i përshtatshëm mund të jetë një rezidencë në Tiranë, stampuar mbi një katalog
të thjeshtë, dhe shoqëruar me një ekspozitë në GKA. Fituesit mund të
përzgjidhen nga populli online, ashtu siç edhe artistët mund të vlerësojnë
njëri–tjetrin, por edhe nga ata që e shohin ekspozitën nga afër. Këta të fundit
mund të votojnë edhe online brenda GKA-së. Çmimet e kanë të nevojshme të kenë
një ndarje shqiptare në trojet tona, për të rinjtë, por edhe ndërkombëtare.
Gjithmonë nëse pjesëmarrja nuk është sa për të thënë. Dhe nëse bëhen ndryshime
të tilla, të paktën ato që nuk mund t’i jepen Onufrit për nga mundësitë ose të
ndahen mes Marubit të harruar. E mbani mend Marubin, pse nuk bëhet? Ose Marubi
të jetë thellësisht shqiptar, për të rinj e të njohur ose Onufri të bëhet një
çmim, ku kanë të drejtë të marrin pjesë gjysma shqiptarë dhe gjysma të huaj.
Sepse ky çmim e ka tejet të nevojshëm shansin për të qenë më i njohur
ndërkombëtarisht.
Sot. Artistët shqiptarë janë një specie pak e vendosur
për gjërat e tyre, ku keqkuptojnë faktin se botë ka vetëm në studiot e tyre.
Nuk po i them të gjitha se çfarë race gjendet në shijet e tyre njerëzore dhe
artistike, por të paktën duhet të kishin bërë një reagim më të madh se përse
është i nevojshëm riorganizimi i Onufrit në Muzeun Galerisë Kombëtare. Por jo!
Fare. Sepse një pjesë e mirë prej tyre janë njerëz thellësisht politikë, ku
ndryshimet ndodhin vetëm gjoja pas nesh, por edhe sepse jetojnë aty ku tradita
u ha shijet. Onufri i Galerisë Kombëtare është konkursi, ekspozita dhe çmimi më
i rëndësishëm në vend për atë që ndodh rreth arteve pamore në Shqipëri, duke
qenë pikënisja mes asaj që ishte dikur dhe rendit të horizontit artistik sot. A
e dini ju se çfarë bëhet me artistët e rinj? Hidhen në treg pa mbajtur asgjë
për arsye të shumta. Që kjo vlerë të rishfaqet te publiku, është tejet e
domosdoshme të bëhet njohja përmes gjendjes kohore në artin shqiptar. Onufri i
Galerisë Kombëtare duhet të rishihet për nga forma e organizimit. Me këtë dua
të them që edhe një i burgosur i talentuar, duhet të ketë të drejtën për të
marrë pjesë tek Onufri. E kam fjalën për cilësinë e veprave të artit që shfaqen
në të. Vitet e fundit na është treguar art sa për të marrë pjesë, ku ndjesitë
nuk të lënë asnjë shenjë. Nëse artistët shqiptarë kanë punë jo të mira në
pjesëmarrjen e tyre, ashtu siç mbase mund të ndodhë, kjo gjë kërkon një
pjesëmarrje ndërkombëtare. Por edhe nëse këtë herë pjesëmarrja e punëve mbi
këtë ndjesi të artit pamor është e vakët, kjo do të thotë se ata që e
organizojnë shkëmbimin e sjelljes së punëve më të mira të artistëve kanë
harruar të kërkojnë temën që josh, që nxit, që provokon, që të bën artist,
intrigën, të rinjtë, e aq më pak të bukurën. Kjo është frika e Onufrit, nëse
edhe këtë herë me këtë organizim të debatuar, i cili sigurisht që do të bëhet,
do të na sjellë vepra arti thellësisht nga ato që të lënë pa fjalë apo copa nga
studiot e atyre që na tregojnë vetëm atë ku shohim dhe kuptojmë, por pa nevojën
e artit në Shqipëri?! Por këtu ka një arsye të indiferencës! Si duhet ta shohim
këtë traditë, si një vazhdimësi ku artistët e rinj e kërkojnë patjetër
ndryshimin, sepse nuk kanë ku të marrin pjesë, pra tek asnjë ngjarje pamore apo
si shenjë ku të vjetrit nuk është se interesohen, sepse pas tyre nuk u bë më as
Onufri, as Marubi, dhe aty-këtu as Bienalja e Tiranës! Ku këtë të fundit po ta
thellosh, do të ishte më mirë të mos e cakitnim me ndërhyrjet e politikës.
Sepse po t’i japësh vetëm veshë Bienales së Tiranës, ajo bëhet banjë publike.
Arsye për diçka tjetër? Kush e tha këtë? Nuk ka arsye që të jetë një ngjarje
tjetër, jemi të lodhur me ndodhi të reja të cilat mezi i japin jetë asaj që te
ne quhet trashëgimi. Ne kërkojmë ditë dhe ngjarje që kanë nevojë të trashëgohen,
të mos jenë vetëm një hap fillimi. Onufri është i trashëgueshëm. Por që të na
jepet diçka tjetër, duhet të ketë krizë në artin pamor shqiptar. Por a ka
krizë? Këtë do ta vërtetojë shumë mirë riorganizimi i kësaj radhe. Onufri i
Galerisë Kombëtare mund të kthehet shumë mirë në një çmim ndërkombëtar, ku në
të kanë vend edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë, ne që jemi këtu, por edhe të
huaj. Po me studentët e Universitetit të Arteve çfarë do të ndodhë? Përveç
shkollës së tyre brenda një sistemi pak dembel që mezi po ndryshon, a e kanë
ata shansin të ekspozojnë në këtë konkurs? Sigurisht, pas trevjeçarit ose
masterit po. Onufri nuk mund të degradohet në një ngjarje ku fituesi është
vendosur më parë dhe të tjerët marrin pjesë në të sa për të thënë, ashtu siç
ndodh me një pjesë të mirë të konkurseve tona në përgjithësi, për çdo pjesëz të
jetës dhe veprave ku ka hiç, sepse nuk ke çfarë thua për nga asgjëja. Onufri
kërkon një dorë të fortë, ku brenda Galerisë Kombëtare dhe Ministrisë së
Kulturës ka disa njerëz që mund ta bëjnë ashtu siç e ka emrin.
Temat. Ato kanë nevojë të jenë më të prekshme, më
njerëzore dhe jo qepje personale të dikujt që kur pëlqen një autor nga letërsia
dhe filozofia ta kaurdisë me një ndotje habie mbi muret e Galerisë Kombëtare
apo të varen punë me kuptime kuratorësh të huaj apo shqiptarë, të cilëve u
serviren më parë se kush janë artistët e rinj apo të vjetër dhe mbi ta
ndërtohet apo hidhet tema. Dyshoj se mbi këtë çmim, konkurs apo ekspozitë ka
disa biçim artistësh që duan ta shohin të mbyllur, duke krijuar mbi të një të
re pak si politike. Madje ata janë artistë politikanë, e kam fjalën për disa që
flasin pas një veshi. E rëndësishme është që Onufri të na shfaqet me një kosto
të lirë, ku shpërblimi i fitores të mbetet prestigjioz dhe i thjeshtë. Por
Onufri duhet të bëhet me patjetër, edhe për gojët e liga, që këtë festë të
artit pamor në Shqipëri duan ta shohin të zhvatur, se para tyre na paska qenë
gjoja më mirë! Onufri kërkon të jetë një aktivitet thellësisht i organizuar nga
Galeria Kombëtare me një buxhet të përcaktuar nga Ministria e Kulturës dhe nga
sisteme të tjera private rreth GKA-së. Kush mendon se mosorganizimi i këtij
Onufri ishte turp, skandaloz etj., gabohet rëndë, sepse ato që mendonit për të
tjerët janë të tuat. Tradita e Onufrit për këto vite organizimi ka treguar se
jo të gjitha punët fituese në të kanë qenë të mira, madje jo aq të mira se mund
të fitonin edhe këtë çmim me emër të madh. Riorganizimi ka vend edhe për
nënndarje, ku më vete mund të ketë edhe një çmim për të rinjtë. Nëse harrohet
Onufri i Galerisë Kombëtare, bie rëndë pesha e vlerësimit të rrymës së
evidentimit, duket sikur në këtë vend askush nuk ka nevojë të konkurrojë apo të
shfaqet, me të gjitha anët pamore, gurgulenë, hovin e dijes së re politike që na
ka ardhur në vend, mbi dhe nën kujdesin se nëse është konkurs, në të mund të
mos marrin pjesë të gjithë. Por nuk mjafton, sepse edhe më të mirët janë të
rëndësishëm duke e parë pjesëmarrjen jo si konkurs. Pas fjalëve mbi organizimin
e këtij Onufri, kërkohet provokim dhe nxitje. Kërkohet ajo që nuk harrohet, ajo
që duhet të mbahet mend gjatë.
Eljan Tanini
Për Gazetën
Shqip, 7 Shkurt 2014
karikatura nga Endri Beqo
No comments:
Post a Comment