Wednesday, May 25, 2016

Arti, protesta, pena dhe pema



Nga Eljan Tanini


Më vjen keq për disa media që deri më sot, unë sipas tyre i kam thyer këmbën një bosi kur protestoja për Parkun e Liqenit. Madje ishin po këto që shfaqën hapur dhe bindshëm atë shpikjen e lopatës në gjoks. Pak të dashura media, mos merrni kot përsipër të më godisni mua për një projekt që ka vite që fle.Tre vite më parë këtë ide për një skulpturë parku, e ka parë edhe Lulzim Basha në zyrën e tij. Por asgjë, fjeti atje. Deri më sot, flinte me mua, pastaj qëndronte në dhomën e pritjes deri sa një ditë hasa në konkursin e Skulpturave të Parkut.
Vepra ime (punë në grup) titullohet Endrra Fëmijërie - një cikël i gjatë idesh, që lindi prej një ekspozite pamore në Ish Ambasadën Jugosllave, me qendër fëmijërinë, e quajtur Njolla të Urta, pastaj me një botim timin që ka dozën e çështjeve të një fëmijërie urbane, e botuar si Pa pik’. Dhe tani, skulptura e parkut, Endrra Fëmijërie. Unë do vazhdoj të merrem gjithmonë me fëmijërinë. Mos u merrni me mua, në 1 Qershor unë do dal për Parkun e Liqenit pa beton.
Unë jam fans i mjedisit dhe dashamirës pozitiv i ngjarjeve kulturore, sidomos nga artet pamore: sepse të tilla janë studimet e mia. E gjitha kjo nuk më pengon të jem protestues ndaj një projekti me dhe pa beton, ku më pas të propozoj ide dhe ndryshime. Nuk jam në gjak me antimjedisin dhe as me idetë e mia, për të kundërshtuar dhe pranuar. Një dorë e shtrënguar, nuk tregon asgjë! Unë nuk jam shoqëri civile që merr para lartë e poshtë, por qytetar i angazhuar.
Nuk ju kërkoj falje se ju kam mërzitur me Nismën time Mbill Pemën Tënde. Përpjekjen time artistike nuk e hedh dot poshtë askush, edhe pa nisur mirë ajo. Çdo qytetar duhet të aplikojë në Bashkinë e tij për ide, lër më pas të protestojë. Po, të protestojë dhe të aplikojë për ide. Kjo fjali nuk ju rrinte mirë deri ca orë më parë? Mua po, unë edhe do protestoj, por edhe do përpiqem të zbatoj idetë e mia personale edhe duke e kundërtshtuar institucionin ku bëhet protesta e rradhës. Të paktën ky projekt pati fatin të bëhej publik. Ndryshe mund të ishte vjedhur, dhe unë të përfundoja nëpër gjyqe. Kaq të vështirë e keni ta kuptoni dikë që proteston, por edhe provokon me veprën e tij të artit? Kaq të vështirë e keni të kuptoni dikë që e do mjedisin, por edhe punon për një projekt arti për këtë Tiranë tiranësh prej betoni? Për Parkun e Liqenit me beton kam qenë dhe do të jem kundër. Kam protesuar gjithmonë si Eljan, pa logo. Do vazhdoj ta bëj. Idetë e mia për qytetin, nuk i vjedh dot askush, as shtrembërimet e mediave gustokëqia me propagandën e thatë.
Nuk e keni pare ende banorin e këtij vendi që e do këtë qytet me protesta pro mjedisit dhe me ide për ta mbrojtur atë? Unë kështu do të jem gjithmonë. Me lejen e askujt, do dal të protestoj kundër, ashtu siç edhe do të krijoj ide si projekti fitues në Bashkinë e Tiranës, i titulluar Endrra Fëmijërie. Askush nuk më bën dot vegël partie dhe të asnjë individi. Duke falenderuar të gjitha mediat për cinizmin deri me përkedhelje, po përfitoj nga rasti nga ky publicitet i pa kërkuar, por që mund të gjenerohej vetëm nga e njejta makineri që na ka groposur për së gjalli kur ishin në mëshirë të fatit mes të fortësh... "Pajtimi" im me kryetarin e Bashkisë është po aq i vërtetë sa lopata te gjoksi i Tan Hardhisë, po aq sa këmba e thyer e atij bosit… Unë nuk jam klient, nuk kënaq dot askënd për joshje mediatike. Njerëzit që kanë besuar tek unë, se kam mbi 3 vjet që mbjell pemë në çdo cep të Shqipërisë, se kam ngrënë shkelma dhe grushta në mes të natës, në mes të Parkut nga kriminelët. Por kjo gjë nuk më ndalon të aplikojë dhe të fitojë atë konkurs. 
Kjo mund të jetë një demokraci e re! Nuk më vjen hiç keq për dyshuesit pragmatiste, që nuk të mbështesin për arsye pragmatiste, dhe po ashtu të shajnë po për arsye pragmatiste... Unë po shkruaj për veten time dhe njerëzit që kanë besuar te veprimet e mia, nuk flas në emër të të gjithë aktivisteve, sepse ata janë njerëz të pastër dhe aktivistë si unë. Ndjesë të gjithë njerëzve të pastër dhe tërë miqve aktivistë, nëse nën efektin e orkestrimit kanë marrë mesazhet e gabuara, detyrimin për një sqarim e kam vetëm ndaj tyre. Nuk kërkoj ndjesë, që në këtë vend gjenden me shumicë dy para: ajo e ekstremistit dhe ajo e militantit. Nuk kërkoj falje që për hir të punëve që vlejnë, të jem bashkëpunues, dhe jo thatësirë.
Gjithë këtë mllef për të më kundërshtuar mua mund ta kishim përdorur për një protestë më të mirë! Në datën 3 Qershor unë do të jem sërish në Gjyq për Këndin prej Betoni në Parkun e Liqenit
Dilni mbillni ca pemë, para se të merreni me mua! Njerëz dilni në rrugë, po na vjedhin Shqipërinë, Vjosën, Valbonën, dilni të mbillni Lurën, pa harruar se nën Digën e Liqenit Artificial, duan të ndërtojnë disa pallate 17 katëshe.
Non Serviam.



si mendohet të duket skulptura e parkut Endrra Fëmijërie 



kur projektin e pa Luzim Basha 


kur në protestë dola edhe për protestat që kemi bërë kundër ndertimeve nën digën e Liqenit Artificial 





Friday, May 13, 2016

DISA PYETJE ME BETON PËR ERION VELIAJN


Erion, isha bashkë me shokët e mi sipër kokës tënde kur po protestoje dje në Gjykatën Administrative të Apelit. Besoj se e solli rastësia që të jetë një ish-ministri Mjedisi. Të them të drejtën, më pëlqen që po del në rrugë për këtë qytet me parqe betoni. Unë besoj se ti e di që po ata djem dhe vajza, arkitektë, inxhinierë, gazetarë, prindër, ekspertë digash, shkencëtarë, akademikë, profesorë, artistë, banorë të Tiranës dhe shumë të tjerë, kanë protestuar rreth 5 muaj për ndërtimet nën Digën e Liqenit Artificial. Mos harro se, janë po ata që dolën për të mbrojtur betonizimin e Parkut të Liqenit që i thuhet Kënd Lojërash! Të paktën kështu e quani ju! Në fakt, është një Park Tematik pa materiale ekologjike. Ti e di, por hapësira publike nuk është e Bashkisë së Tiranës, as e jotja!
Ishte i frikshëm fakti dhe nakatosja e punonjësve të administratës së Bashkisë së Tiranës! Si i bie, të kenë lënë punën, atë punën që paguhen me taksat tona? Nuk duhet të jesh patjetër militant i bindur, që të njoftohesh një ditë më parë në telefon nga drejtori për t’u veshur civil për të nesërmen e protestës. Shumicën e tyre nuk i kam parë kurrë në protestat e pastra për 8 muaj me radhë, si te zyra e ish-kryetarit të Bashkisë, ashtu edhe nën zyrën e Kryeministrit. Sa pak, ne që kemi protestuar për këto pallate! Disa djem u rrahën se nuk duan betonizim në Parkun e Liqenit. Policia e Shtetit, në vend që të afrohej për të neutralizuar situatën e për të larguar provokatorët që grisën pankartat, arrestuan tre qytetarët që i mbanin ato. Kjo skenë ndodhi para syve të tu që në mënyrë cinike dhe armiqësore, i ke cilësuar qytetarët simpatizantë të PD-së, që për ty nënkuptojnë armiq: megjithëse me pankarta kundër betonizimit të Parkut. Për ta përforcuar idenë e armiqësisë, në fjalim Veliaj deklaroi se, të protestosh kundër këndit të tij të lojërave është kriminale.
Pashë në protestë edhe njerëz si hapës portash të Digës së Liqenit, nuk e di çfarë mëkatesh po u fal. Për ata që i nxjerr nga puna e taksave tona, ke ndërmend të protestosh? Një këshillë miqësore: Hiqi të fortët që vijnë në protestat e tua. Janë po ata që vinin rrotull ndërtimit me beton në Parkun e Fëmijëve. Mua më kanë ardhur aty pranë, kur protestoja me shokët e mi. Ti e di që na rrahën! Por edhe që disa të tjerë ishin gati! Më vjen mirë që ti i ke dëgjuar fjalët tona; kjo kauzë të duhet! Vazhdoj dhe e them: Për një kryetar bashkie që po mbjell pemë, mbrojtja e Digës së Liqenit, është një kthim i pastër në pozitivitet ekologjist, dhe detyrë mbi detyrë. Nëse fshihet diçka pas këtyre protestave, ti duhet të fillosh të dalësh edhe për të tjera mëkate urbane nga të dyja partitë. Bëje! Sigurisht, ne do të mbështesim ashtu siç kemi bërë edhe për hallet tona. Nëse ju duhet ndihmë nga shoqëria civile për protesta interesante, na thuaj. Sa për këtë punën e protestës para Gjykatave, ti e di vetë sa duhet ose jo, dhe në cilin vit të Mesjetës me ose pa sfurqe po jetojmë.
Kam disa pyetje të thjeshta për ty Erion, pa e harruar atë që na ndodhi ne individëve të Shoqërisë Civile, ose më saktë qytetarëve të angazhuar kundër betonit ku do të luajnë fëmijët. Pyetjet e mia janë këto, Erion. Po pres pa gërshërë një përgjigje.
  1. A do të protestosh për pallatin 13-katësh që po fillon të ngrihet pak nga pak tek Ekonomiku dhe që është pranë Parkut të Liqenit? Ne kemi dalë kundër disa herë.
  2. Po për kullën me 25 kate që do të ndërtohet te “7 xhuxhët”, do vish me ne të protestojmë?
  3. Po për zonën e poshtme pranë Pallatit të Brigadave ku janë restorantet që do të ngrihen disa kulla, ke ndërmend të protestosh me ne?
  4. Po për hapësirat e mbetura pranë “Sheratonit”?
  5. Po për prishjen e stadiumit “Qemal Stafa”, dhe sidomos hedhjen e pistës së vrapit pranë Parkut të Liqenit?
  6. Për ndërtimet e mëdha private që duhet të prishen në valën tënde pozitive, si shkollë me emër lideri amerikan, pallat me gjuhën e kuqe të varur, dhe për ndonjë restorant tjetër, a ke ndërmend të protestosh dhe të shemben për të drejtat e gjelbërimit?
  7. Po për hapësirën mes Korpusit dhe Gardës së Republikës, të cilën qeveria shqiptare e quajti “Hyrja e Parkut të Liqenit”, do dalësh me ne të protestosh ashtu siç bëri Shoqëria Civile?
  8. Po për betonizimin masiv të qendrës së Tiranës, ku ende nuk e keni thënë mirë, a do të ketë ose jo kulla, do dalësh të protestosh me Shoqërinë Civile kundër ndërtimit të tyre?
  9. Po për parkingun nëntokësor te parku “Rinia”, do protestosh? Nuk jemi kundër, por jo një park si shërbim i privatit.
  10. Po për muret e Kalasë së Tiranës që sipër mbajnë dy kate beton restoranti, do vish me ne të protestojmë dhe ta mbrojmë atë kala që duket si mur?
  11. Thuhet që do të shembet Teatri Kombëtar. Do vish me ne të protestojmë kundër kullës që do të hedhin atje? Madje, është mbyllur edhe muhabeti për kullën që do të shfaqet tek Urgjenca e Tiranës. Çfarë do bëjmë, si mendon?
  12. Më 20 maj do të bëhet një protestë kundër hidrocentraleve në Vjosë. Do vish me ne të protestosh? Mos harro Valbonën…!
Gazeta Shqip
12 Maj 2016