Erion, isha bashkë me shokët e mi sipër kokës tënde kur po protestoje dje në Gjykatën Administrative të Apelit. Besoj se e solli rastësia që të jetë një ish-ministri Mjedisi. Të them të drejtën, më pëlqen që po del në rrugë për këtë qytet me parqe betoni. Unë besoj se ti e di që po ata djem dhe vajza, arkitektë, inxhinierë, gazetarë, prindër, ekspertë digash, shkencëtarë, akademikë, profesorë, artistë, banorë të Tiranës dhe shumë të tjerë, kanë protestuar rreth 5 muaj për ndërtimet nën Digën e Liqenit Artificial. Mos harro se, janë po ata që dolën për të mbrojtur betonizimin e Parkut të Liqenit që i thuhet Kënd Lojërash! Të paktën kështu e quani ju! Në fakt, është një Park Tematik pa materiale ekologjike. Ti e di, por hapësira publike nuk është e Bashkisë së Tiranës, as e jotja!
Ishte i frikshëm fakti dhe nakatosja e punonjësve të administratës së Bashkisë së Tiranës! Si i bie, të kenë lënë punën, atë punën që paguhen me taksat tona? Nuk duhet të jesh patjetër militant i bindur, që të njoftohesh një ditë më parë në telefon nga drejtori për t’u veshur civil për të nesërmen e protestës. Shumicën e tyre nuk i kam parë kurrë në protestat e pastra për 8 muaj me radhë, si te zyra e ish-kryetarit të Bashkisë, ashtu edhe nën zyrën e Kryeministrit. Sa pak, ne që kemi protestuar për këto pallate! Disa djem u rrahën se nuk duan betonizim në Parkun e Liqenit. Policia e Shtetit, në vend që të afrohej për të neutralizuar situatën e për të larguar provokatorët që grisën pankartat, arrestuan tre qytetarët që i mbanin ato. Kjo skenë ndodhi para syve të tu që në mënyrë cinike dhe armiqësore, i ke cilësuar qytetarët simpatizantë të PD-së, që për ty nënkuptojnë armiq: megjithëse me pankarta kundër betonizimit të Parkut. Për ta përforcuar idenë e armiqësisë, në fjalim Veliaj deklaroi se, të protestosh kundër këndit të tij të lojërave është kriminale.
Pashë në protestë edhe njerëz si hapës portash të Digës së Liqenit, nuk e di çfarë mëkatesh po u fal. Për ata që i nxjerr nga puna e taksave tona, ke ndërmend të protestosh? Një këshillë miqësore: Hiqi të fortët që vijnë në protestat e tua. Janë po ata që vinin rrotull ndërtimit me beton në Parkun e Fëmijëve. Mua më kanë ardhur aty pranë, kur protestoja me shokët e mi. Ti e di që na rrahën! Por edhe që disa të tjerë ishin gati! Më vjen mirë që ti i ke dëgjuar fjalët tona; kjo kauzë të duhet! Vazhdoj dhe e them: Për një kryetar bashkie që po mbjell pemë, mbrojtja e Digës së Liqenit, është një kthim i pastër në pozitivitet ekologjist, dhe detyrë mbi detyrë. Nëse fshihet diçka pas këtyre protestave, ti duhet të fillosh të dalësh edhe për të tjera mëkate urbane nga të dyja partitë. Bëje! Sigurisht, ne do të mbështesim ashtu siç kemi bërë edhe për hallet tona. Nëse ju duhet ndihmë nga shoqëria civile për protesta interesante, na thuaj. Sa për këtë punën e protestës para Gjykatave, ti e di vetë sa duhet ose jo, dhe në cilin vit të Mesjetës me ose pa sfurqe po jetojmë.
Kam disa pyetje të thjeshta për ty Erion, pa e harruar atë që na ndodhi ne individëve të Shoqërisë Civile, ose më saktë qytetarëve të angazhuar kundër betonit ku do të luajnë fëmijët. Pyetjet e mia janë këto, Erion. Po pres pa gërshërë një përgjigje.
- A do të protestosh për pallatin 13-katësh që po fillon të ngrihet pak nga pak tek Ekonomiku dhe që është pranë Parkut të Liqenit? Ne kemi dalë kundër disa herë.
- Po për kullën me 25 kate që do të ndërtohet te “7 xhuxhët”, do vish me ne të protestojmë?
- Po për zonën e poshtme pranë Pallatit të Brigadave ku janë restorantet që do të ngrihen disa kulla, ke ndërmend të protestosh me ne?
- Po për hapësirat e mbetura pranë “Sheratonit”?
- Po për prishjen e stadiumit “Qemal Stafa”, dhe sidomos hedhjen e pistës së vrapit pranë Parkut të Liqenit?
- Për ndërtimet e mëdha private që duhet të prishen në valën tënde pozitive, si shkollë me emër lideri amerikan, pallat me gjuhën e kuqe të varur, dhe për ndonjë restorant tjetër, a ke ndërmend të protestosh dhe të shemben për të drejtat e gjelbërimit?
- Po për hapësirën mes Korpusit dhe Gardës së Republikës, të cilën qeveria shqiptare e quajti “Hyrja e Parkut të Liqenit”, do dalësh me ne të protestosh ashtu siç bëri Shoqëria Civile?
- Po për betonizimin masiv të qendrës së Tiranës, ku ende nuk e keni thënë mirë, a do të ketë ose jo kulla, do dalësh të protestosh me Shoqërinë Civile kundër ndërtimit të tyre?
- Po për parkingun nëntokësor te parku “Rinia”, do protestosh? Nuk jemi kundër, por jo një park si shërbim i privatit.
- Po për muret e Kalasë së Tiranës që sipër mbajnë dy kate beton restoranti, do vish me ne të protestojmë dhe ta mbrojmë atë kala që duket si mur?
- Thuhet që do të shembet Teatri Kombëtar. Do vish me ne të protestojmë kundër kullës që do të hedhin atje? Madje, është mbyllur edhe muhabeti për kullën që do të shfaqet tek Urgjenca e Tiranës. Çfarë do bëjmë, si mendon?
- Më 20 maj do të bëhet një protestë kundër hidrocentraleve në Vjosë. Do vish me ne të protestosh? Mos harro Valbonën…!
Gazeta Shqip
12 Maj 2016
No comments:
Post a Comment