Wednesday, May 25, 2016

Arti, protesta, pena dhe pema



Nga Eljan Tanini


Më vjen keq për disa media që deri më sot, unë sipas tyre i kam thyer këmbën një bosi kur protestoja për Parkun e Liqenit. Madje ishin po këto që shfaqën hapur dhe bindshëm atë shpikjen e lopatës në gjoks. Pak të dashura media, mos merrni kot përsipër të më godisni mua për një projekt që ka vite që fle.Tre vite më parë këtë ide për një skulpturë parku, e ka parë edhe Lulzim Basha në zyrën e tij. Por asgjë, fjeti atje. Deri më sot, flinte me mua, pastaj qëndronte në dhomën e pritjes deri sa një ditë hasa në konkursin e Skulpturave të Parkut.
Vepra ime (punë në grup) titullohet Endrra Fëmijërie - një cikël i gjatë idesh, që lindi prej një ekspozite pamore në Ish Ambasadën Jugosllave, me qendër fëmijërinë, e quajtur Njolla të Urta, pastaj me një botim timin që ka dozën e çështjeve të një fëmijërie urbane, e botuar si Pa pik’. Dhe tani, skulptura e parkut, Endrra Fëmijërie. Unë do vazhdoj të merrem gjithmonë me fëmijërinë. Mos u merrni me mua, në 1 Qershor unë do dal për Parkun e Liqenit pa beton.
Unë jam fans i mjedisit dhe dashamirës pozitiv i ngjarjeve kulturore, sidomos nga artet pamore: sepse të tilla janë studimet e mia. E gjitha kjo nuk më pengon të jem protestues ndaj një projekti me dhe pa beton, ku më pas të propozoj ide dhe ndryshime. Nuk jam në gjak me antimjedisin dhe as me idetë e mia, për të kundërshtuar dhe pranuar. Një dorë e shtrënguar, nuk tregon asgjë! Unë nuk jam shoqëri civile që merr para lartë e poshtë, por qytetar i angazhuar.
Nuk ju kërkoj falje se ju kam mërzitur me Nismën time Mbill Pemën Tënde. Përpjekjen time artistike nuk e hedh dot poshtë askush, edhe pa nisur mirë ajo. Çdo qytetar duhet të aplikojë në Bashkinë e tij për ide, lër më pas të protestojë. Po, të protestojë dhe të aplikojë për ide. Kjo fjali nuk ju rrinte mirë deri ca orë më parë? Mua po, unë edhe do protestoj, por edhe do përpiqem të zbatoj idetë e mia personale edhe duke e kundërtshtuar institucionin ku bëhet protesta e rradhës. Të paktën ky projekt pati fatin të bëhej publik. Ndryshe mund të ishte vjedhur, dhe unë të përfundoja nëpër gjyqe. Kaq të vështirë e keni ta kuptoni dikë që proteston, por edhe provokon me veprën e tij të artit? Kaq të vështirë e keni të kuptoni dikë që e do mjedisin, por edhe punon për një projekt arti për këtë Tiranë tiranësh prej betoni? Për Parkun e Liqenit me beton kam qenë dhe do të jem kundër. Kam protesuar gjithmonë si Eljan, pa logo. Do vazhdoj ta bëj. Idetë e mia për qytetin, nuk i vjedh dot askush, as shtrembërimet e mediave gustokëqia me propagandën e thatë.
Nuk e keni pare ende banorin e këtij vendi që e do këtë qytet me protesta pro mjedisit dhe me ide për ta mbrojtur atë? Unë kështu do të jem gjithmonë. Me lejen e askujt, do dal të protestoj kundër, ashtu siç edhe do të krijoj ide si projekti fitues në Bashkinë e Tiranës, i titulluar Endrra Fëmijërie. Askush nuk më bën dot vegël partie dhe të asnjë individi. Duke falenderuar të gjitha mediat për cinizmin deri me përkedhelje, po përfitoj nga rasti nga ky publicitet i pa kërkuar, por që mund të gjenerohej vetëm nga e njejta makineri që na ka groposur për së gjalli kur ishin në mëshirë të fatit mes të fortësh... "Pajtimi" im me kryetarin e Bashkisë është po aq i vërtetë sa lopata te gjoksi i Tan Hardhisë, po aq sa këmba e thyer e atij bosit… Unë nuk jam klient, nuk kënaq dot askënd për joshje mediatike. Njerëzit që kanë besuar tek unë, se kam mbi 3 vjet që mbjell pemë në çdo cep të Shqipërisë, se kam ngrënë shkelma dhe grushta në mes të natës, në mes të Parkut nga kriminelët. Por kjo gjë nuk më ndalon të aplikojë dhe të fitojë atë konkurs. 
Kjo mund të jetë një demokraci e re! Nuk më vjen hiç keq për dyshuesit pragmatiste, që nuk të mbështesin për arsye pragmatiste, dhe po ashtu të shajnë po për arsye pragmatiste... Unë po shkruaj për veten time dhe njerëzit që kanë besuar te veprimet e mia, nuk flas në emër të të gjithë aktivisteve, sepse ata janë njerëz të pastër dhe aktivistë si unë. Ndjesë të gjithë njerëzve të pastër dhe tërë miqve aktivistë, nëse nën efektin e orkestrimit kanë marrë mesazhet e gabuara, detyrimin për një sqarim e kam vetëm ndaj tyre. Nuk kërkoj ndjesë, që në këtë vend gjenden me shumicë dy para: ajo e ekstremistit dhe ajo e militantit. Nuk kërkoj falje që për hir të punëve që vlejnë, të jem bashkëpunues, dhe jo thatësirë.
Gjithë këtë mllef për të më kundërshtuar mua mund ta kishim përdorur për një protestë më të mirë! Në datën 3 Qershor unë do të jem sërish në Gjyq për Këndin prej Betoni në Parkun e Liqenit
Dilni mbillni ca pemë, para se të merreni me mua! Njerëz dilni në rrugë, po na vjedhin Shqipërinë, Vjosën, Valbonën, dilni të mbillni Lurën, pa harruar se nën Digën e Liqenit Artificial, duan të ndërtojnë disa pallate 17 katëshe.
Non Serviam.



si mendohet të duket skulptura e parkut Endrra Fëmijërie 



kur projektin e pa Luzim Basha 


kur në protestë dola edhe për protestat që kemi bërë kundër ndertimeve nën digën e Liqenit Artificial 





No comments:

Post a Comment