Friday, March 5, 2010

Shtëpiake të dëshpëruara apo të dëshiruara?!


.

Nëse dikur gjyshet tona, martoheshin që 14 vjeç, apo edhe sot atje këtu, ndryshe nga ato të parat, këto të fundit duan ta krijojnë familjen më shpejt, të mbarojnë punë që në rini se të ikën koha, ta kem burrin se më mbron, se kështu do burri apo edhe unë kështu dua, se familja thotë mos humb kohë: kështu kemi bërë edhe ne. Si mund të bëhesh nënë, kur ke ende nevojë për këshillat e nënës tënde! Në një kohë që pjekuria seksuale është arritur, fillon kërkimi për partnerin, se që në vit të parë të fakultetit do bëhesh me burrë. Ndoshta këtu është shfaqja sepse disa vijnë në fakultet të fejuara që në vitin e tretë të gjimnazit, disa ngelen shtatzënë, të tjera vijnë vetëm për tu martuar, disa për të gjuajtur dhe për ti gjuajtur, dhe sigurisht edhe leksionet nuk harrohen... Ndër të rinjtë që janë ende në një lidhje të re, shpesh herë është një mendësi që kur flitet për të dashurin apo të dashurën, ndryshe thuhet se më erdhi burri, kjo është e burrit tim, kjo është gruaja ime etj...Ndryshe e argumentuar, ky është imazhi për ta rritur ndër fjalë dashurinë si burrë dhe grua të martuar, ose ndryshe, edhe për ta përforcuar atë. Të bëhesh mama kur ke ende nevojë për këshillat e nënës tënde. E çfarë na qenka kjo, një shtypje e hapur e familjes, ndoshta edhe një dëshirë më shumë për të qenë më të lira! Pavarësinë, të cilën ne njerëzit e kuptojmë mbrapsht. Shpesh nga dëshira e tyre për të qenë më të pavarura nuk është as vendimi i tyre për ta bërë këtë, edhe familja e vajzës e ka një dëshirë të tillë. Madje të theksuar. Zgjedhja për të bërë familje në këtë moshë, ka të bëjë dhe me mjedisin se ku je rritur.
Madje brenda gjithë vështirësive, në të cilën varet kultura e familjes, prejardhja e saj, mendimi i gruas apo i nënës, gjyshes apo motrave të shtëpisë, dhe dëshira e prindërve për ta mbështetur këtë gjë. Pasi çdo gjë nga familja lind. Këtu nuk përjashtohen dhe rastet kur ai e rrëmben atë. Por përsëri të bëhesh MAMA, por edhe njëkohësisht studente është një lodhje e tepruar. Ose do ta lësh fakultetin, ose do të vish për ta vazhduar atë, dhe të tjerë brenda tij do të imponojnë më shumë respekt për tu bërë më tolerantë me ty, se je bërë nënë. Është e sigurt që respekti nuk mund ti mungojë, brenda arsyes se ajo e ka djalë apo vajzë, se si është barku i saj, së si është tani me shëndet, se sa qenka shëndoshur, e më pas fjalë për t'ia lënë vajzave apo grave në gjërat e tyre intime. Ky është një kompleks për të krijuar familje sa me shpejt të jetë e mundur. Por për çudi nuk vjen nga fakti se ajo kishte një të dashur, dhe padashje ngeli shtatzënë me të, ashtu siç ndodh gati padashje në botën e të rinjve, por vjen nga një dëshirë e mbarsur për tu bërë MAMA, të shtyra nga familjet e tyre, nga dëshira për të qenë më të pavarura, nga burri, nga familja e burrit; siç duket për të mbaruar punë sa më shpejt në moshë më të re. Dhe e gjitha kjo a ka të bëjë me një mendim të theksuar periferik?! Sepse një familje e shkolluar mirë, me vajzën ende në universitet nuk do ta dëshironte kurrë një gjë të tillë, për ta në plan të parë janë studimet dhe jeta e mirë e vajzës së tyre. Edhe do të mund ta pranonin të bërit MAMA, vetëm në qoftë se ajo do të ishte padashje shtatzënë... Po baballarë ka në fakultetet tona? Edhe në pastë, këtu ngrihet një pyetje, se a duhet të marrin ata leje lindjeje? Po sigurisht qe po. Nuk di por, di që burrat e tyre janë disi më të mëdhenj se ato vetë, dhe nuk kanë fare lidhje me fakultetin. Kjo është zgjidhje, askush nuk mund të ndërhyjë në dëshira. Problem është se këto vajza nuk shquhen për ndonjë mendim të tyrin influencues, apo edhe më të lirë.
Çka do të thotë se ende do të mbeten të varura diku. Por tani fillon trashja dhe fryerja, gjë që i bën ato më ta dallueshme estetikisht, pra më gra. Fakti i të qenurit grua, ato duhet ti nderojë. Nuk duhet të harrojmë që është vendimmarrje e rëndësishme, ku kemi vajza që mbajnë trupin në linjë me ç’të mundin, dhe nga ana tjetër këto vajza që harrojnë linjat për tu bërë disi më MAMA. Sigurisht janë më të lumtura, se kanë krijuar një familje. Zgjedhja u bë, nga familja e vajzërisë, për të shkuar në familjen e burrit, nga një vajzë me hire vajzërie, tashmë me një barrë më të rëndë për tu bërë më grua. Në qoftë se çdo fëmijë lind për të mposhtur prindin e tij, atëherë kjo është një mënyrë e të bërit MAMA, shumë më e hapur dhe e shpejtë në mposhtje të imazhit të parë prindëror; pra vajza këtu mposht shumë më shpejt prindërit e saj. Sepse ka edhe nga ato që nga viti i parë i fakultetit, vijnë sa për të marrë një copë diplomë, por mbi të gjitha për të gjetur burrë. Të tilla vajza janë të paafta dhe varen gjithmonë tek burri. Por ndoshta zgjedhin të mos kundërshtojnë, ose të pranojnë me dëshirë për tu bërë MAMA!!! E gjitha kjo ka të bëjë me injorancën apo zgjuarsinë e tyre, me atë mendim periferik, me shkesën, por pak me pëlqimin ende tradicional tek ne. Mund të pretendosh pak, që këto vajza të bëjnë karrierë! Nga njëra anë duhet ti respektosh më shumë, të tjera kanë lindur, dikush me barkun e bukur të rrumbullakët pret ende të lindë; duket sikur duhet ti respektosh më shumë. Vajza shqiptare ende është e dhunuar disi më me klas, shumë pak prej tyre e bëjnë vetë këtë zgjedhje. Në çdo mënyrë qoftë, këtu ka vend për një mangësi të theksuar intelektuale, për tu varur në kremastarin e shtëpisë së burrit dhe ne mendimin e tij, në paratë e tij, e si të thuash penisi i mashkullit dhe mitra e nënës së re janë vegla të thjeshta sa për një familje. Në një kurs mund të gjesh edhe raportin 50 vajza me 6-të djem. Por sigurisht ka midis tyre edhe ndonjë vajzë që mbahet për një inteligjencë të mirë intelektuale, por përsëri shumë pak. E gjitha kjo do të thotë se ato vijnë në fakultet për të marrë një copë diplomë, por në plan të parë kanë idenë për të krijuar familje sa më shpejt, se ndoshta ikën koha, por nuk ma do mendja se duan të bëjnë karrierë, sepse të rrisësh një fëmijë të duhet shumë. Kjo është një zgjedhje e rëndë, por nuk është zgjidhje. Ndërsa në të mbaruarin punë, të tjera e shohin sikur ta kenë jetën përpara, dhe sigurisht që pas lindjes së parë duan bëjnë karrierë se tashmë e hoqën barrën. Përsëri jemi në atë traditën e shëmtuar të të kthyerit në mitike idiote të gjyshërve tanë, për tu martuar shumë herët.
Si për ta theksuar përsëri, ato nuk mund ti bëjnë dot të gjitha. Ashtu të kthyera në gra, por që ende kanë disa hire vajzërie, të shtyra për të lindur sa më shpejt, si një shoqëri ende e paemancipuar mirë, që e kemi dhunuar gruan me shekuj me radhë, që i kemi vënë në shpinë MAMASË shqiptare një mit të shëmtuar Rozafe, duke sakrifikuar një nënë të re, se gjoja kjo e fundit u sakrifikua me dëshirën e saj. Me imazhin e saj luftarak të përhershëm me mburojë apo me shpatë, me shpikëse realiste-socialiste e traktoriste, e me pas drejt lirisë së depiluar, dhe me në fund në timon: por tani të zgjedhur nga ajo vetë. Kaq luftarake ka qenë gruaja shqiptare, kaq partizane me yll në ballë duke fjetur çadër më çadër tek ato të partizanëve! Ah po, harrova kjo është partizania, që u kënaq se e nxori partia në punë. Pse vallë ne nuk paskemi asnjë grua fisnike? Gurëzuan gruan, apo sot më mirë të themi e betonuan atë, por përse nuk betonuan burrin xhanën, ç'është ky mit kaq i shëmtuar? Sot për ndërtimin e themeleve sakrifikojmë kafshët, ndërsa gratë i përdorim për ti sakrifikuar më avash në punëra të tjera. Atëherë, formula është "G R U A = G U R". Që nga ato pak gra që janë në kuvend, që nga Kryetarja e Parlamentit që mban një pasqyrë në dhomën e saj të pritjes apo të gjumit, të kënaqësisë apo të joshjes, me një pikturë të “Motrës Tonë” në njërën anë, do të mund të kuptosh një imponim të theksuar feminizmi, për çdo mashkull që hyn në atë ambient të verdhë. Që nga çdo lloji ftese që të vjen kundër dhunës ndaj gruas, se gratë mund ti bëjnë të gjitha vetë me ndihmën e grave, pa burrat? Të shohim se sa deputete të mira do të jenë në kuvend. "Ne shqiptarët ende sot themi, më fal për shprehjen ajo është me barrë".

Nga Eljan Tanini për Gazetën TIRANA OBSERVER 5 Mars 2010.

Sunday, February 28, 2010

Kur Martin Haideger përkthehet në shqip.

Mbi përkthimin në shqip të veprës “Letër mbi Humanizmin”

Në një intervistë, filozofi francez, Emanuel Levinas, u pyet se cilat ishin pesë veprat më të rëndësishme të historisë së filozofisë. Ai u përgjigj: “Fedri” i Platonit, “Kritika e Arsyes së Kulluar” e Kantit, “Fenomenologjia e Shpirtit” e Hegelit, “Ese mbi të Dhënat e Menjëhershme të Ndërgjegjes” e Bergsonit, dhe “Qenia dhe Koha” e Haidegerit. Që janë vepra të rëndësishme, kjo dihet. Por fakti domethënës është se asnjë nga këto vepra nuk ekziston në gjuhën shqipe. Për të mos i hyrë debatit se sa studiohet filozofia në universitetet shqiptare, ne, të rinjtë e sotshëm, duhet të mjaftohemi me ato pak përkthime në shqip dhe me ndonjë vështrim të shpejtë nëpër faqet e internetit, për të lexuar ndonjë gjë, pavarësisht vështirësive gjuhësore. E megjithatë gjërat kanë filluar të lëvizin. Botimi i njërës prej veprave më të rëndësishme të Martin Haidegerit në shqip, filozofi më i rëndësishëm i kohës sonë, e tregon këtë. Nuk është përkthimi i ndonjë profesori apo ndonjë përkthyesi me nam e nishan që ka marrë sa e sa çmime – jo, është përkthimi i një studenti të filozofisë, i një të riu nga ata të shumtët, për të cilët janë ankuar se janë të fjetur, që kalojnë kohën kafeneve, e ju mungon dëshira për të bërë diçka. E që të mos thonë më se nuk ka të rinj Shqipëria, se të rinjtë tanë nuk dinë të bëjnë asgjë; se edhe ndonjë “analist-opinionist” me apo pa këllqe, shkrimtare apo edhe shkrimtarë të tjerë, të fillojnë të mendojnë se të rinjtë e këtij vendi e kanë një pikë dëshire për ta parë shumë më mirë botën e librave në vendin tonë. Gjithmonë është thënë se përkthimi tek ne nuk bëhet në mënyrën më të mirë. Por mua më ka çuditur fakti se këta, gjoja kritikuesit tanë të mëdhenj, gjithmonë flasin e stër flasin se nuk ka përkthime të mira. Le të jetë ky përkthim i këtij botimi në shqip, si një manifest i rinisë shqiptare, dhe mbi të gjitha, për tu treguar atyre që qahen për përkthimet në shqip, që Shqipëria jo vetëm që ka të rinj, por edhe të rinj nga ata që dinë dhe duan të përkthejnë Haidegerin. Por ky nuk është vetëm një fakt që të rinjtë kanë anën e tyre të letrave. Tani, nuk mund të mos i themi disa fjalë për “Letër mbi humanizmin”. Vepra është shkruar fill pas Luftës së Dytë Botërore, në një kohë kur Haidegeri ndodhej në një situatë të vështirë personale. Për shkak të implikimeve të tij me regjimin nazist, filozofit i ishte ndaluar mësimdhënia nëpër universitetet gjermane. Ai nuk mbajti më leksione deri në fund të jetës së tij, me përjashtim të disa rasteve kur ishte ftuar, fshehtazi, nga studenti i tij, tanimë edhe ky profesor, Gadameri. “Letër mbi humanizmin” është një hyrje e shkëlqyer për në mendimin e Haidegerit. Aty do të gjejmë një paraqitje të thukët të të gjithë filozofisë së tij, që nga temat kryesore të kryeveprës së tij “Qenia dhe Koha”, e deri tek çështjet e filozofisë së tij të vonët, si arti e teknologjia. Vepra cilësohet si fillesa e antihumanizmit, një lëvizje krahas së cilës u rreshtuan disa nga emrat më në zë të filozofisë perëndimore. Në fakt, jo shumë kohë më parë, Sartri kishte botuar esenë “Ekzistencializmi është Humanizëm”, ku ai deklaronte se “ne ndodhemi mbi një plan ku ka vetëm njerëz”. Haidegeri e kundërshton këtë pikvështrim dhe këtë plan ai e mbush me “Qenie”. Duhet thënë se në këtë vepër të thukët nuk analizohet vetëm marrëdhënia e filozofisë së “Qenies” së Haidegerit me ekzistencializmin e Sartrit. Këtu Haidegeri shprehet edhe për Karl Jaspersin dhe shkruan se grupimi “Jaspers dhe Haideger” nuk është i saktë, pasi mendimi i tyre ndahet nga një humnerë. Kjo, shkruan ai, rrjedh nga fakti se çështja kryesore që i jep jetë mendimit tim, nuk është rrokur akoma. Por tek “Letër mbi humanizmin” Haidegeri flet edhe për filozofinë marksiste, diçka e rrallë kjo, dhe e paraqet koncepcionin marksist të historisë si më të lartin. Por, çfarë është ndër të tjera ky libër i Haidegerit? “Letër mbi humanizmin”, iu dërgua në vjeshtën e vitit 1946 Zhan Bofresë (Jean Beaufreut), nga Hajdegeri, si përgjigje për një varg çështjesh që Bofre ia shtronte Haidegerit në një letër të mëparshme. Në këtë letër dallohet në mënyrë absolute qenia, nga të qenurit, ose e shprehur në mënyrë më të thjeshtë ajo që ekziston ... Haidegeri mendon se pyetja që shtrohet për qenien, është pjesa më e mirë që mund të kapet si pjesë e një analize fenomenologjike të njeriut. Nga ku, ky i fundit është i vetmi “të qenur”, i cili mban të gjithë dhënien që i është besuar si mbajtësi i qenies. Ndaj Haidegerit nuk mund të ngrihet asnjë arsye për nihilizëm. Nga ku gjithmonë e më shumë shfaqet ekzistenca e fundme, dhe se ankthi nuk është mënyra më e mirë e prezencës së qenies. Në “Letër mbi humanizmin”, ai tregon se ka mënyra të tjera të mundshme strukturash më pak “negative”. “Letër mbi humanizmin” është një pjesë që merret rreth vështrimit sintetik. Ne fakt duhet parë edhe ndryshe arsyeja pse Haidegeri është anësuar gjithmonë kundër interpretimeve psikologjike ose antropologjike të mendimit të tij, nga ku shikohet një mos ekzistencializëm. Pra, e gjitha kjo merr shtysë jo si në anët ekzistenciale të Sartrit apo të Jaspersit, por duke e parë si një qartësi e kulluar e ekzistencës. “Letër mbi humanizmin” shpreh syrin haidegerian, shqetësimin që vjen si shqetësim nga qenia. Kjo vepër nuk vjen thjesht e përkthyer në shqip, por edhe me shpjegimin e disa termave të cilat janë tepër të rëndësishme, ashtu siç bën në çdo fundfaqe përkthyesi dhe njëherësh përshtatësi në shqip, Enkelejd Musabelliu dhe me një parathënie për botimin në shqip nga prof. Gjergj Sinani.

Nga Eljan Tanini për Gazetën TIRANA OBSERVER 26 Shkurt 2010.

Tuesday, February 16, 2010

“Memorial-Muze” Për Nënë Terezën?!

.
Ka kaq shumë halle ky vend, sa dikush mund të mendojë, ç’na duhet Nënë Tereza tani! Po, nuk e ka keq. Por, ama duhet bërë një gjë e saktë në këtë vend, ashtu siç duhet të jetë kjo vepër arti. Dhe të gjithë e dimë, se këta njerëz që na drejtojnë, nuk është se e duan shumë artin. Prandaj ky shkrim le të jetë, në emër të atyre gjërave të kulturës që të paktën duhet të bëhen mirë, jo vetëm për sot por edhe për mot. Dihet për nga vlera, se imazhi i Nënës Terezë edhe në sytë e botës është tepër i rëndësishëm. Si mund të bëhet një muze, që të shfaq të gjitha dhuntitë e Nënës Terezë? Kjo është e pakuptueshme, sepse nuk mund të sajohen objekte apo imazhe për të bërë një qendër të tillë. Sepse, nuk është se ka një shtëpi tjetër të po kësaj figure ku objektet të jenë në atë vend, dhe ti marrësh e ti ekspozosh në këtë vend. Apo fakti se edhe ajo shtëpi muze që është në Shkodër, është tepër e sajuar. Po kështu, nuk dinë mirë se çfarë do bëjnë me shtëpinë në Tiranë. Që edhe muzeu apo edhe memoriali të kishin të njëjtin kuptim, këtë nuk e ka dëgjuar askush. Por edhe, që një hapësirë ndërmjet Muzeut Arkeologjik dhe Rektoratit të Tiranës apo vendi ku para viteve 90-të bëhej patinazh; pra sot vendi ku ka shërbime ushqimi të shpejtë, ose më saktë aty ku janë kollonat e bardha, do të ngrihet “memoriali-muzeum” i Nënës Terezë. Të heqësh shërbimin e ushqimit të shpejtë, pra aty ku janë sot Kolonat, për idetë politike të kundërshtarit dhe ta zëvendësosh me Nënë Terezën nuk ka ndonjë problem. Por ta bësh këtë veprim vetëm për arsye politike, dhe më pas ta lësh bosh, është tjetër gjë.

Mua si qytetar i këtij vendi më intereson se çfarë do të bëhet me Nënë Terezën dhe me imazhin e saj. Dhe kësaj vepre duhet ti jepet shumë rëndësi. Sepse bëhet fjalë për një 100 vjetor. Ku është komuniteti katolik, pse nuk po reagon? Mos janë edhe ata pro me këtë hiçgjë të shëmtuar? Apo, mjaftohen me kaq?! Pra, memorial sipas atyre zëvendëseva që drejtojnë Ministrinë e Kulturës quhet një muze i krijuar. Po mirë! Dhe jo një statujë prej bronzi. Anëtarët e komisionit që do merren me këtë punë, bëjnë sikur nuk e dinë mirë që ajo zonë aty, është monument kulture dhe mbrohet nga shteti. Dhe të ndërhysh në një vend të tillë, që ka një hapësirë, që është bërë pikërisht për këtë gjë, pra për të qenë hapësirë që nuk shkon e zënë nga gjëra të tjera, sikur e mbuluar edhe me xham; këta specialistet tanë, duan ta bëjnë një“memorial-muze”. Duket më shumë, se këta i gëzohen projektit të bërë falas, përballë një shtatoreje tepër e rëndësishme edhe në imazhin e vendit tonë. Por disa ditë më parë, foli edhe Berisha; që më në fund e paska kuptuar mirë që atë “Terezën e shëmtuar në cepin e majtë të Universitetit Politeknik” duhet ta heqim se nuk është fortë e bukur. Dhe të paktën qeveritarët tanë, paskan pak shije estetike. Do të duhej të linde ky projekt, që ta hiqnin atë Terezën e cepave, e më në fund të kujtoheshin. Se të qe për ta, atje në cep do ta linin. Duket fare mirë, që estetika, është një mungesë për ata që na drejtojnë sot.

Unë uroj që, shëmtia mos të vazhdojë më shumë. Sepse ka mundësi që, pikërisht atë Terezën e pabukur që është tani në atë cep, ta marrin dhe ta vënë ose në hyrje të këtij “memoriali-muze” ose në pjesën ku është sot shatërvani i tharë, përballë me Universitetin Politeknik të Tiranës. Por edhe kjo është thyerje e rregullave që e mbrojnë atë shesh si monument kulture, por jo aq e shëmtuar sa pjesën ku janë sot kollonat e bardha; qe ti mbyllin dhe ta bëjnë “memorial-muze”. Kush e shpiku këtë?! Si një i ri i këtij vendi, apo si një qytetar që ka votuar, e bëra këtë shkrim, për këta njerëz të cilët e drejtojnë këtë vend, që të përpiqen të bëjnë diçka më të bukur për këtë grua. Të gjithë e dimë se çfarë ka bërë ajo, nuk është nevoja ti përmendim këtu. Sepse jo vetëm fakti, që një shtatore e lartë për Nënë Terezën duhet të bëhet e saktë, por të paktën mos të bëhet dyfish ai gabim i parë; që atë të pabukurën e cepave ta vënë mes sheshit ose në hyrje të kollonave të bardha.. Nuk mund të pranohet një skulpturë e tillë, me dorën më të madhe se sa fytyra, apo edhe me këmbë më të mëdha. Skulpturë, që herë të duket si nënat e forta të realizmit socialist e herë më shumë si me gabime anatomike. Në këtë grup pune, nuk ka asnjë përfaqësues nga artet pamore. E si mund të bëhet një vepër e tillë me mungesën e përfaqësuesve nga artet pamore?! Gjë që mua më shqetëson se përsëri shëmtia do të zgjasë. Madje, që një “memorial-muze”, ta bësh qendër kulture, kinema, kafe, apo edhe librari sikur nuk shkon më duket! Po mirë, ja e bënë edhe këtë, po ku do ti gjejnë sendet personale të Nënës Terezë? Nga ku dihet se në Shqipëri nuk ka pothuaj fare sende personale nga kjo grua. Idea e “memorialit-muze” është shumë interesante, sepse është tepër joshëse për të huajt. Por këtu lind pyetja: -Çfarë do bëj një turist i huaj për ta parë këtë qendër aspak joshëse? Të kaferohet në qendrën e memorialit? Por e mbushur me të tilla gjëra, nuk është se të bën të mendosh shumë për të. Prandaj më mirë ta lënë këtë qendër muze, sepse më shumë duket si një qendër fetare, sesa një “memorial-muze”. Kështu i bie ti themi, se edhe memorial edhe muze, edhe qendër kulturore po ti bashkosh bashkë del një gjë e bërë sa për të thënë që nuk ka fare kuptim. Ah po, nëse stimulohet që të bëhet një shtatore e bukur në shesh tek shatërvani, atëherë këtu kemi një projekt tepër të mirë. Po përse të mos mendojnë që, aty në shatërvanin e tharë, të vënë një shtatore të lartë moderne, jo klasike, por, që të japë figurën e Terezës; dhe të jetë në përmasat domethënëse të artit modern. Gjë, që shkon shumë në atë vend, me harmoninë e pasme të bardhë të ndërtesave.

Ky “memorial-muze”, është një gjë që do të mbetet, prandaj pse nuk ja lënë një herë në dorë edhe qytetarëve! Pse nuk nxjerrin disa makete para 26 Gushtit të këtij viti, dhe ti lënë qytetarët që të vendosin e që të votojnë publikisht për të! A e kuptojnë këta njerëz, që ngritja e një “memoriali” të tillë nuk mund të jetë vetëm sot për sot… Përse nuk pyeten, të paktën artistët e figurativit, nëse duan që ky projekt të kalojë në disa filtra komunikim. Ose të paktën, të zbulojnë projektin për shtatoren e kësaj figure, dhe ta heqin mendërisht idenë për të bërë një “memorial-muze”. Sepse nuk është iderisht e menduar mirë. Këta njerëz që mendojnë dhe hartojnë gjëra të tilla janë si ky veprim: Lëpij një ditë dhe lëpij një ditë tjetër, më shijonte shumë, ngaqë isha shumë injorant, nuk e kisha menduar se banania duhej kafshuar. Ose do të qëndronte më mirë, sikur shtatorja e Nënë Terezës të vihet pikërisht në pjesën midis Rektoratit, pamjes së mesit të kollonave të bardha, dhe Qendrës Albanologjike; pra, në mes të kësaj ndërtese. E imagjinoni dot se sa bukur, qëndron kjo shtatore e ndriçuar natën në po këtë vend?

Nga Eljan Tanini për Gazetën TIRANA OBSERVER 16 Shkurt 2010.

Monday, February 15, 2010

A e duan të rinjtë Shqipërinë Natyrale?!

.
E para një herë, të rinjtë jo vetëm këtej nga Tirana, nuk e dinë mirë se çfarë është Shqipëria Natyrale. Po t’u thuash Shqipëria e Madhe, më pas e kuptojnë. Kam vënë re se edhe të rinjtë e trojeve shqiptare nuk e dinë mirë këtë term: pra, Shqipëria Natyrale. Duket si një gjë e kotë në ditët tona, por faktikisht është mënyra më e mirë për të menduar se jo vetëm ka apo jo të rinj Shqipëria, por edhe faktin dhe çudinë se sa e duan të rinjtë e këtij vendi bashkimin e trojeve shqiptare?! Kjo është pyetja që duhet bërë sot nga ata që mendojnë dhe shkruajnë për Shqipërinë e Madhe.

Dihet tashmë se të rinjtë që janë në trojet shqiptare, e kanë një ëndërr për Shqipërinë e Madhe. Dhe në fakt kjo i mban gjallë. Por deri më sot nuk është se kemi parë ndonjë përpjekje të tyren për të shtyrë këta që janë në Nënën Shqipëri, e për të bërë disa bashkime disi më shumë. Se, bashkim nuk quhen ekskursionet, apo vajzat dhe djemtë e bukur të njërit apo të tjetrit vend. Sepse fundja, çdo gjë që shkruhet sot për të bashkuar shqiptarët, bëhet që të mendojnë më shumë të rinjtë e këtij vendi.
Ajo që më ka shqetësuar gjithmonë, është fakti se, të rinjtë e Shqipërisë së poshtme, pra të asaj ku unë po shkruaj tani, ndahen në dy anë mendimesh. Në ata që nuk duan t’ia dinë fare për të, dhe në ata të një anë periferie që kanë një ndjenjë shumë të lartë krenarie për Shqipërinë Natyrale. Unë nuk po luhatem të bëj ndonjë përkufizim të prerë, por po them atë çka kam mundur të nuhas.

Ana e parë, janë ata të rinj të cilët, çështjen e Shqipërisë Natyrale nuk e shohin të ditëve tona por diçka shumë të vjetër; apo edhe të tjerë që e shohin si utopi. Këtu duhet ndarë po ajo mendësi rinore, që Shqipërinë Natyrale e shohin më mirë në punët e kësaj Shqipërie që është kështu siç është tani. Por ka edhe një mendim tjetër, që nuk e duan Shqipërinë aktuale të mbushur me kosovarë, apo edhe me “shqiptaro maqedonas”. Janë të kënaqur me kaq, dhe nuk duan bashkim. Por kemi edhe anën tjetër të të rinjve, prej të cilëve ka një lloji periferie, në mos qoftë mendore, apo vendore, është më tepër kohore për të menduar për një Shqipëri të Bashkuar.

Brenda gjithë komplekseve të shoqërisë sonë, një gjë që më bën më shumë përshtypje; fakti se këtu tek ne, nuk ka të rinj që janë të një lloji nacionalizmi bizantin. Nuk ka një organizim rinor që të merret me çështjet kombëtare dhe të zgjojë ndjenjën kombëtare tek qytetarët e tjerë; gjëra të cilat dalin sa herë që u thërret nevoja. Si për të thënë ja, jemi edhe ne! Në pamje të parë, ata të rinj që duan të merren apo që shfaqin më shumë ndjenjën e Bashkimit Kombëtar, duken sikur janë të vjetruar, apo që thurin lavde për një kohë tashmë tepër të kotë për disa të tjerë. Por, indiferenca vjen sepse kanë gjëra të tjera për të bërë, se nuk e njohin ndjenjën kombëtare, se janë të rinj pa interesa për vendin e tyre, apo ndjenja për një Shqipëri Natyrale kalon nga dera e pub-it! Apo, pëlqehet një afrim për më shumë ndjenjë kombëtare kur shkohet në pub-in, e ish-trojeve shqiptare!

Sëkëndejmi, meqë e ardhmja jonë shihet sipas z.Koço Danaj në gjithë bashkimin e trojeve tona, atëherë çfarë presim ne të rinjtë, pse nuk merremi për të zgjuar më shumë ndjenjën dhe krenarinë kombëtare duke filluar më parë nga vetë ne? Nuk duam apo nuk dimë? Sigurisht që nuk duam, e më pas edhe nuk dimë. Se fundja, për çfarë shkruan Koço Danaj, dhe kujt duhet t’i lërë tërë ato amanete fjalësh? Të rinjtë nuk e duan edhe aq Shqipërinë Natyrale, sepse e gjitha kjo për ta duket jo përtypëse, dhe për më shumë nuk kanë mendime pse duhet një bashkim kombëtar. Sepse nuk janë gjendur në probleme si shqiptarët e Shqipërisë së sipërme (kosovarët) apo edhe si vëllezërit tanë shqiptarë që jetojnë në Maqedoni. Madje, një pjesë të rinjsh, duket sikur ruan me fanatizëm atë që ata shqiptarët andej, të mos jenë fare këtu, sepse u duket shumë e çuditshme krijimi i një qeverie të madhe.

A e dini pse nuk kanë dhe aq interes të rinjtë shqiptarë? Në fjalët e para kur flet për gjëra të tilla ndjesish kombëtare, ata e kanë ndjenjën për Shqipërinë sa herë që preket diçka më shumë, siç mund të jenë gjërat e kufirit. Ata të gjithë e shfaqin nacionalizmin e flamurit kombëtar, kudo ku shkojnë, por nuk është se mendojnë dhe kanë shpresa në brezin e tyre për të bërë një Shqipëri Natyrale. A duhet të themi se këta janë të rinjtë shqiptarë nacionalistë? Jo, sepse nuk janë vetëm aty.

Po mirë, po të rinjtë e bllokut, a mendojnë ndopak për nacionalizmin?! Apo mos ndoshta, të mendosh për një lloj nacionalizmi quhesh më shumë se i vjetruar? Çështja është, se këta gjoja të qendrës, mos janë më të emancipuar sa nuk interesohen për çështjet e ndjenjës kombëtare? Nuk është se këta të rinj nuk e duan vendin e tyre, por thjesht qasen me faktin se a pe këtë, a e pe atë?! Atëherë, ç’do të bëhet me çështje të rëndësishme për t’i bashkuar trojet shqiptare? Do merren të rinjtë e forumeve partiake, të cilët nuk është se i pëlqejnë shumë këto gjëra, nga ku do bëjnë shumë pak nga ato që mundin për hatër të votave!

Duket ndonjëherë sikur ëndrra për tu bashkuar me Evropën, e zbeh më shumë dëshirën e bashkimit kombëtar. Sakaq, është llumi politik i cili nuk të bën të mendosh ndryshe. Por të rinjtë, të zënë keq nga globalizmi dhe teknologjia, nuk është se mendojnë shumë për çështjet e një Shqipërie Natyrale. Dhe më shumë kjo gjë duket tek të rinjtë e trojeve shqiptare, të cilët mbeten ende me sytë nga Shqipëria dhe Tirana e të marrë të gjithë së bashku, nuk të lejnë as ndonjë guxim për të vepruar, por, as edhe guxim për të shpresuar.

Prandaj ka shume mundësi që Koço Danaj, të jetë ose rilindësi i fundit, ose idealisti i parë dhe jo i vetëm. Por, e duan të rinjtë Shqipërinë Natyrale?!

Nga Eljan Tanini për Gazetën TIRANA OBSERVER 10 Shkurt 2010.