Tuesday, June 11, 2013

DEMOKRASHITËSIT


Rënia e një kështjelle ndodh për dy arsye: ose ajo ka humbur ndërmutacionin e saj mendor, ose është korruptuar e gjitha për shkak të llumit në qëndrime plot bosh. Kur ndërkohë katrahura e zgjedhjeve dhe e kandidatëve në Shqipëri vazhdon me zhurmë të madhe, ka kohë që ka filluar një dëshirë kundër për të mos i pranuar politikanët ashtu siç duan të jepen përballë një perandorie që duhet të bjerë brenda zëvendësimit të rënies me të njëjtin lloj, prej të cilëve unë nuk e di kë të zgjedh, sepse fjalët në fushatë janë njësoj.

Perandoria duhet të rrëzohet, por problemi është se unë nuk mund të votoj njërin për të hequr tjetrin, sepse tjetri në të dukurat prej betoni është sistem pa politikë dhe Tirana është kthim pa identitet, ndërsa 8 vitet e shkuara janë korruptim i strehuar politik. Dihet tashmë se njerëzit para zgjedhjeve janë më të frymëzuar se në ditët e zakonshme të vitit, por më shumë ama janë edhe ata me kokën virtuale, të cilët atje në “Facebook” janë të xhindosur edhe për fëndën e një politikani nga të gjitha anët. Këta janë më të rrezikshëm se militantët që marrin pjesë në shitjen e demokracisë, sepse e përhapin lajmin sipas idealeve virtuale. Nëse më duhet të votoj dikë për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, e kam shumë të vështirë të zgjedh një parti, e kam përsëri të vështirë të zgjedh një njeri, të cilit të paktën të më pëlqejnë fjalët, mendimi, premtimet dhe kushtet që vendos përballë meje, sepse kur e ke shitur demokracinë, e ke të vështirë të marrësh atë që do te njerëzit thellësisht të thjeshtë.

Sigurisht, demokrashitësit e kanë harruar që janë po ai brez prindërish që u pasuruan sa mundën, në njërën dorë mbajnë derën mbyllur që paratë të mos u ikin dhe në tjetrën temianin e pastërtisë së figurës së atij që do ta marrë pushtetin si me dhunë të butë! Këta nuk duhen votuar, këta duhen hequr sa më shpejt, sepse janë brezi i atyre që e shiti, e dogji dhe e thau Shqipërinë. Unë i përkas një brezi që nuk i është lënë asgjë përveç atyre kushteve të cilat nuk prishen dhe nuk mund të shkatërrohen, por që edhe ato i kanë bërë për fund, sepse një brez tjetër i atyre që nuk fituan gjë, brezi i gjyshërve, na i la me shpresën dhe besimin siç u besojmë ne sot këtyre që duan të na hipin sipër për 4 a mos më shumë vite të tjera. Demokrashitësit kanë fytyra të njëjta, të hedhura për të marrë me dhe pa kushte pushtetin kur një herë e në ca kohë janë të privilegjuar nga paratë për të bërë pushtet, duke mos u mjaftuar ajo që kanë, por duan të hapin zyrën e tyre edhe në Parlament. Kujt i duhen njerëz me kaq para për të bërë ligje përveç se një përfytyrim shkarazi i popullit. Njeriu me pushtet i parasë së demokracishitjes e di mjaft mirë se kush e prishi, e dogji dhe e shiti Shqipërinë: brezi im i 25-vjeçarëve të sotëm? Është ajo që them shpeshherë mes një brezi të prindërve të mi, se ata janë përgjegjës për shumë gjëra të ndodhura në Shqipëri, po ata të cilët duhet të më vendosin me detyrë që të votoj! Kë të votoj, një biznesmen që të bëhet deputet që të na hipi sipër për katër vitet e tjera? Apo demokrashitësit që bëjnë moral në ekrane e që bredhin nëpër parti, sikur ato të jenë shtëpi publike ku duhen provuar të gjitha vajzat… Kush i preu pyjet? I prenë njerëzit e këtij vendi, por i lejuan po ata që qeverisin këtë vend! Këta janë demokrashitësit, si të mëdhenj e të vegjël, të gjithë jemi përgjegjës për demokracinë e prerë qoftë edhe të një peme fidan anës rrugës.

Demokrashitja është edhe të shohësh qesen në rrugë e të mos e marrësh, është edhe ta lësh jashtëqitjen e qenit në trotuar, është edhe të mos i rimëkëmbësh gjërat vetë pa ndihmën e shtetit. Kush ma vodhi hapësirën dhe kush e pret pemën time në mes të Tiranës se i pengon bar-kafesë pamjen në shtesën për një tavolinë? Në të shumtat e rasteve janë këta të vegjlit që kanë lidhje me demokrashitësit. Unë nuk votoj askënd në këto zgjedhje, do e prish votën time, me qëllim që ajo të mos shkojë për askënd. Edhe nëse vota ime e prishur rregullohet nga të tjerët rrugës për të bërë votimin e duhur, rëndësi ka që po vazhdon të flitet më shumë për Votën e Bardhë, Kundër apo edhe Grise Votën.

ELJAN TANINI
Gazeta Shqip 10 Qershor 2013
Karikatura e punuar nga Endri Beqo




No comments:

Post a Comment