Sunday, May 8, 2011

Saturday, May 7, 2011

Voto, por vëri kryq votës në 8 Maj


Më kujtohet kur kam votuar për herë të parë, më dukej si një ndër gjërat më të rëndësishme që duhet ta fusja në baulen e kujtimeve. Prindërit e mi kanë kohë që nuk votojnë. Po kështu edhe një pjesë tjetër e familjes sime. I çuditur prej kohësh nga kjo gjendje që nuk më ka pëlqyer kurrë vendosa që në datën 8 Maj të votoj, duke shkuar me shumë dëshirë për t'i futur një kryq të madh votës sime. E gjitha kjo vjen nga një pakënaqësi e shpifur ndër vite, e cila na e ka sjellë në majë të hundës me këta njerëz të cilët duhet ti votojmë që ata të mbushin thesat e tyre. Madje, isha edhe pak i luhatur, të votoja njërin për të hequr tjetrin?! Jo, të dy janë njësoj.

Duke parë premtimet më boshe që kam dëgjuar ndonjëherë si majtas dhe djathtas, duke parë intelektualët dhe artistët tanë (prej të cilëve jam shumë i zhgënjyer) që mbështesin pa fund politikën, duke parë edhe qytetarët që janë të etur pa fund për trutë e reja të kandidatëve që duhet të zgjidhen për Bashkinë e Tiranës, por edhe për një moslëvizje të egos qytetare, dua të bëj një thirrje: Të shkojmë të votojmë, të mos e lëmë votën bosh, por t'i vëmë një kryq të madh letrës së votimit. Aty ku njerëzit janë të pakënaqur, aty ku njerëzit kanë kohë që nuk votojnë, vlerësimi më i mirë për veten e tyre është që të shkojnë të votojnë por t'i refuzojnë duke i vënë një kryq të madh votës së tyre! Kështu i kemi refuzuar të gjithë, dhe tregojmë se jemi të pakënaqur me ta.

Si qytetarë që nuk kemi ndërgjegje dhe që nuk interesohemi fare për atë që na takon jashtë derës sonë të shtëpisë, ne të gjithë mbajmë ende shpresë tek këta njerëz që edhe në sloganet e tyre shkruajnë marrëzira. Në këtë Tiranën tonë ku gjërat duken më shumë si të pamundura, por që mirësisht janë të mundura, nëse në datën 8 Maj, të gjithë ata që nuk duan të votojnë, që janë të zhgënjyer prej mesazheve të kota, apo aty ku gjatoshët duan të zënë erën e shtrenjtë të parasë, le të vendosin një kryq të madh në votën e tyre, se kështu ata do ta kuptojnë më mirë se çfarë kërkohet prej tyre.

Sa shumë PA kam thënë deri tani! Sepse jam tej mase i zhgënjyer si nga ndërgjegjja qytetare ashtu edhe nga premtimet e kota. Duke i vënë kryq votës tënde, ti shqiptar kudo që mund të jesh nëpër Shqipëri, i thua këtyre njerëzve që flasin lartë e poshtë se pas 8 Majit do të bëhet gjoja më mirë siç duan ata, dhe jo siç duam ti dhe unë.

Më e bukura është se edhe këta intelektualët tanë që janë kaq shumë të zotë, në vend që të ankohen se nuk kanë një Opera apo Teatër Kombëtar për të qenë, ankohen që të prishet Piramida. Jo që në vend të saj të ndërtohet imazhi i një gjëje që ka lidhje me artin dhe kulturën, por duhet të jetë patjetër një Kuvend që ka më shumë formën e një aeroporti të viteve 80-të. Na duhet të mendohemi mirë sesa e shtrenjtë është vota jonë.

Si është e mundur që një fuqi e tillë nuk ka atë që meriton, e bëhet ajo që Niçe e quan: Fuqi pa fitore. Njohja më e fortë (ajo e mungesës se plotë të lirisë së vullnetit njerëzor) është gjithsesi më i varfëri i sukseseve, sepse ka gjithnjë kundërshtarin më të fortë, krenarinë njerëzore. Në këtë unazë, vota shkon për atë lider partie që ka prapa tij një tufë me militantë më periferikë që më shumë është djathtas, dhe me një tufë tjetër që është majtas. Votën duhet ta japësh që ai të mbrojë qytetarinë (!?) Atëherë idealizmi dhe ndershmëria prej naivësh apo budallenjsh, shërbejnë për t'i dhënë partisë më shumë sesa përfitonin në ndershmëri, për t'u kuptuar edhe nga ata vetë se ca politikanë i vlerësojnë dhe i duan si emra, fytyra, fleta votimi, shifra, zëra në mitingje dhe ditë votimesh.

Nuk ka për t'u rregulluar asgjë për sa kohë duhet të dalim në shesh se na dhemb koka ne dhe jo liderit të partisë, se ne të gjithë duhet të lëvizim sepse duhet ta ndjejmë në ndërgjegjen tonë… Do dalim në sheshe vetëm kur të kemi një shoqëri të fortë, që do shqetësohet madje edhe për atë llojin e pemës së mbjellë ndanë rrugës.

Në datën 8 Maj do shkoj të votoj, madje, mezi po e pres atë ditë, do i bëj edhe një foto votës sime, do ta hedh edhe në Facebook me një kryq të madh të zi mbi të.

Mirë më tha një ditë një shoku im shofer: Sot vallaj është turp të merresh me politikë.

Ndërsa ajo që po më shtohet më shumë në mendje, është se pothuajse të gjithë politikanët shqiptarë një mut janë, dhe nuk kam ndërmend të nuhas më erën e tyre.

Gazeta Tirana Observer 7 Maj, 2011

Tuesday, March 8, 2011

Festëprotesta e 8 Marsit, dhe gratë gojëkyçura



Ç’fatkeqësi të jesh grua! E megjithatë, fatkeqësia më e madhe kur je grua, është në thelb të mos e kuptosh me të vërtetë se ç’do të thotë të jesh e tillë. Është një kohë që feminizmi tek ne ende po luhatet, por nuk e vë në dyshim që në këtë shprehje të Kierkegaard çdo grua e di mirë se çfarë ndjen nga lindja e saj e deri në të bërit grua! Ikja është kur gruaja ndjen dhe nuk reagon. Ose nuk e ka kuptuar ende të shfaqurin e forcës së saj. Pavarësisht se ajo e di shumë mirë këtë gjë, pyetja ime është e thjeshtë: Për çfarë protestojnë gratë tek ne? A protestojnë ndonjëherë?!
Në të gjitha komplekset e shoqërisë sonë, nuk duhet ta mohojmë se edhe gratë duhet të mblidhen për ato çka u mohohet. Por, ndoshta edhe gratë kanë një problem më shumë këtu? E kam fjalën që edhe ato nuk dinë mirë se çfarë kërkojnë, dhe xhanën si mund ti kërkojnë ato që duan pa burrat? Çfarë është kjo antropologji feministe që vjen nga lartë poshtë, për tu mbledhur të gjitha bashkë, e për ta shfaqur se ja, jemi edhe ne. Në një festë që ngatërrohet më shumë me ditën e nënës, grupimet e grave duket më shumë se duan të ndryshojnë ditën, apo të ikin nga burrat vetëm për një ditë. Në fakt, ajo që kam vënë re më shumë në ditët tona, është se gruaja dhe vajza, po shfaqin gjithmonë e më shumë një fuqi që po vjen dhe fuqizohet pa praninë e meshkujve. Kjo gjë duket edhe e frikshme!Ndoshta është koha që gruaja të marrë një pavarësi më të tepruar. Këtu nuk ka asgjë të keqe, por ajo po anashkalon më shumë burrin. Dhe për këtë e kemi fajin ne meshkujt. Nga dhuna e grave tona, prej dhunës në stadiume, apo dhunës se politikanëve injorantë që nuk lënë asgjë pa thënë për gratë e botës, ne nuk dimë dhe nuk duam të reagojmë, duke shtuar këtu edhe ato gratë që dalin çdo datë 8 Mars për të drejtat e tyre, dhe që bëjnë po të njëjtat gjëra çdo vit. Është e bukur që në një vend si ky i yni, revolucioni të vij nga gruaja. E që në fakt, ajo është e tillë, por herë shfaqet, herë ikën, e herë gratë burrosen më keq se burrat.
Është e kuptueshme se në këtë datë, gratë kanë edhe ndasitë e tyre. Do shohim të dalin ato gjoja të majtat për të protestuar, do dalin këto që bëjnë po të njëjtat gjëra çdo vit, për të mos harruar këtu edhe ato që përkrahin super të djathtën duke u takuar dhe grupuar; folur, stërfolur, gjykuar, feminizuar më keq dhe duke u bërë kështu më të shëmtuara se meshkujt. Harrojmë se këta burrat injorantë që na drejtojnë, nuk lënë gjë pa thënë për gratë e botës, jo vetëm për to, por edhe për gratë e familjeve të njëri-tjetrit. E pra, këtu qëndron problemi, sepse edhe në një ditë që dalin, hedhin po ato fjalë që kanë thënë dhe thonë gjithmonë. Duke mos reaguar edhe në kohën kur fyerjet politike janë më të freskëta në terren. Gjithkush i ditka shumë mirë problemet e seksit të secilit prej tyre. Si mund ta lejojnë gratë e këtij vendi, kur njeriu i plakur me pushtetin, fillon e flet për gratë e botës, që nga lavirja, e deri tek ato të tjerat për tu thënë çdo gjë që mendon në moment, ashtu si për të shpëtuar kohës që flet! Strategji e shëmtuar! Dhe gratë tona, këto gjoja të shoqërisë civile, nuk reagojnë! Pastaj, nuk mund të harrohet për 8 Marsin, dhuna që na jep politika çdo ditë, dhe gratë e këtij vendi, jo vetëm që nuk thonë asgjë për këtë, por merren me të përsëriturat.
Kur Berlusconi kërkonte ndonjë vajzë të bukur para Beros tjetër, u hodhën të gjitha për fyerje të madhe. Ndërsa kur këtu, Beroja me shokë, të majtë e të djathtë injorantë, flasin për gratë e botës, askush nga këto gra dhe vajza nuk reaguan para zyrës së tij. U bënë dy arsye: BER-BER. Dhe?!
Prandaj seksualiteti tek ne, shihet si dhunë me një propagandë të keqe. Ne nuk e kuptojmë, ose më mirë bëjmë sikur duam të kuptojmë se problemet seksuale nga e pushtetshmja janë edhe të vërteta kur shiten si të ndërgjegjshme, apo sa mirë bëri që e tha. Lidhur me këtë, Foucault (faqe 97) shkruan: … seksit i kërkojmë të na shpreh të vërtetën (por, përderisa ai është sekreti që pa reshtur i shket vetvetes, na takon neve t’ia shpalosim vërtetësinë e kulluar, vërtetësinë e deshifruar më në fund të së vërtetës së tij të turbullt); i kërkojmë atij të na shpalosë të vërtetën tonë, ose më saktë, i kërkojmë të na shpalosë vërtetësinë e fshehtë, vërtetësinë e thellë të së vërtetës sonë sipërfaqësore, që na duket se e zotërojmë në format e ndërgjegjësimit intim (conscience immediate). Ama, të gjitha lëvizjet e grave reagojnë gjithmonë kur dhuna e fjalës se shprehur është e barabartë me dhunën e seksit. Po tek ne? Këtu, moria e madhe që e karakterizon pushtetin e dhunës, vjen nga sipër e më pas hapet poshtë në familjet tona. E nëse vjen nga sipër, e nëse dhuna që na jep pushteti i fjalës është kaq i mirëmenduar, kjo do të thotë se këtu ka diçka më shumë që nuk funksionon. Protestat e 8 Marsit tek ne duhet të jenë edhe për ato gra dhe vajza që janë vrarë jo vetëm ndër vite, por edhe ditët e fundit. Që nga njëra me 60 thika në trup dhe deri tek ajo e të tërhequrit zvarrë. E në fakt, lista është shumë më shumë se kaq. Këtu përgjegjësia është edhe e medias, por edhe e reagimeve të grave, të cilat reagojnë një herë në vit.
Prandaj ajo që thotë Sartri vlen ende për ne: Gjysmë viktimë, gjysmë bashkëfajtore si të gjithë. Por gratë, nuk po dinë të marrin ende edhe atë që duhet. Sepse duke qenë një qendër kaq e madhe, ato mund të fitojnë atë që duan, shumë më mirë se sa burrat. Tek Seksi i dytë, në pjesën Gjendja dhe karakteri i gruas (faqe 322) Simone de Beauvoir shkruan: Nganjëherë i kundërvëmë universit mashkullor “botën femërore”, por duhet nënvizuar edhe një herë se gratë nuk kanë përbërë kurrë një shoqëri të pavarur dhe të mbyllur; ato janë përfshirë në shoqërinë e qeverisur nga meshkujt, ku kanë zënë një vend vartës; ato janë bashkuar, si të ngjashme që janë, me një solidaritet mekanik: mes tyre nuk kemi atë solidaritet organik mbi të cilën ngrihet çdo bashkësi e njëjtësuar; ato janë përpjekur gjithmonë – që në kohën e mistereve të Eleuisit ashtu edhe tani në klube, sallone, oda – që të bashkohen për të afirmuar një “kundër univers” por përsëri edhe këtë gjë ato e vendosin në gjirin e universit mashkullor. Gruaja tek ne, ka shansin të bëjë një lëvizje të madhe, për çdo anë të jetës. Më thoni, çfarë bëjnë gratë e shoqërisë së televizionit, artit, fesë, drejtësisë, politikës, biznesit, katedrave akademike e shumë të tjera, përveçse punës së tyre; ku thonë se brenda kësaj pune përkrahin dhe edukojnë të gjithë por edhe gjininë e tyre, dhe nuk bëjnë asgjë për tu mbledhur bashkë e për të reaguar si një lëvizje qytetare?!
Si në çdo kohë festash, në shoqërinë e klientelizmit, përveç mbledhjes së grave bashkë dhe shijeve të moshës, gratë apo vajzat për 8 Mars kanë edhe një mundësi tjetër: T’ia u shpifin burrave, duke shkuar në një feste striptizë ku kërcejnë meshkuj, ose të përgatisin një dhurate të tillë vetëm për dëshirat e tyre.
Hëna është e gruas, dielli i burrit, por gruaja nuk mund të bëjë histori çdo ditë pa burrin. Ashtu siç edhe ky i fundit, nuk ka ku te shkoje pa gruan!
-----
1. Michel Foucault: Historia e Seksualitetit – 1 Vullneti per Dije, Shtëpia botuese “Dukagjini” Peje-Dukagjin 2008.
2. Simone de Beauvoir: Seksi i dyte(Përvoja e jetuar), Shtëpia botuese “Çabej”, Tirane 2002.

Foto: Nga Armand Sallabanda.

Për Gazetën TIRANA OBSERVER 8 Mars, 2010.

Sunday, March 6, 2011

7 Mars-Çfarë dhurate t’i çojmë zyshës?

.
Çfarë dhurate do t’i çojmë zyshës për 7 Marsin? Gati të gjithë e dimë që shkolla e parë shqipe është hapur në Korçë, më 7 Mars 1887. Në kujtim të kësaj ngjarjeje, 7 Marsi është shpallur Dita Kombëtare e Mësuesit. Nga gjithë kjo histori e gjatë e arsimit, çështja që shtrohet e të bën të mendosh, është se a ishin edhe mësuesit e parë kaq të babëzitur sa këta të sotmit? Apo nxënësit e tyre, nga që donin ta kishin mirë me mësuesit, u bënin edhe dhurata… Ndoshta e kemi traditë që, brenda sistemit të meritokracisë, asgjë nuk mund të meritohet. Por, edhe nga babëzia, këto mamatë e ditëve tona bëjnë çmos që fëmijët e tyre të kenë dhuratën më të bukur për këtë festë të kthyer në shëmti. Në fakt, po nuk i bëre dhuratë zyshës, ajo do të të marrë inat (jo se do të ta thotë), pasi e ndjen mungesën e dhuratës, e shkreta. “Po pra, o ma, do shtijmë lek me klasën, dhe do blejmë një dhuratë për zyshën.”
Çudi, si është krijuar një kult preference i theksuar, se zyshës atë ditë i duhet bërë patjetër një dhuratë! Rrjedhimisht, i bie që shtëpitë e zyshave të jenë të mbushura me dhurata, më saktë, “shtëpi zyshe-suvenire”. “E mi zyshe, po lule do? Apo nuk të pëlqejnë më ato? Po sikur klasa të të bënte një buqetë të madhe me trëndafila të kuq dhe të ishin aq trëndafila sa ka edhe nxënës, a do të të pëlqente?” Çfarë kompleksi, t’i bësh zyshës dhuratë për 7 Marsin! “O zyshe, po ku i çon ti gjithë ato dhurata, apo i shpërndan andej-këndej, kur ke për të shkuar në ndonjë ditëlindje?” Po të jetë zysha e re, emmm, duhet ndonjë dhuratë e bukur, ndonjë varëse, ndoshta. Po të jetë zysha më në moshë, ndonjë gjë më e thjeshtë. Po të jetë profesor, pra mësues, ku e di unë se çfarë dhurate mund t’i bësh një mësuesi? Celular? Jo, kravatë ndoshta. Lum si këta që marrin dhurata çdo vit, por se mos u intereson shumë se kush i ka sjellë! Në fakt, pse duhet të interesohet se kush e solli dhuratën, rëndësi ka që e solli apo e sollën. Dhe, si bëjnë, sikur nuk duan! Kjo është thjesht dhe vetëm një festë biznesi; këto ditë dyqanet e dhuratave i shikon plot me fëmijë. Zakonisht, është një, pra njëra ajo që i mbledh lekët për gjithë klasën, ndërsa disa të tjerë shkojnë e blejnë dhuratën. Atë ditë zysha bën festë në klasën kujdestare. Te dhurata e sjellë është edhe një letër, ku shkruhet se kush i ka dhënë lekët, më saktë, emrat. Kalamaja, mos harroni zyshën tuaj! Zysha ka dy festa, edhe 7 Marsin, edhe 8 Marsin.
Po mirë mi zyshe, puna jote. E kam fjalën që 8 Marsi, sikur është zbehur pak, as zyshat nuk duan më mimoza tani. O zyshe, po dërrasën e zezë a ta vizatuan për këtë festë? Dhe ti, ça bëre, u çudite kur hyre në klasë? Sa mirë, çdo 7 Mars çuditeni ju, ndërsa prindërit, edhe po, edhe jo. Mund të ndodhë ndonjëherë që ndonjëri nuk shtin fare lekë. Shprehja që dëgjon këtë herë është: A do shtini lek për zushën, apo jo? Eh, mi zyshe…! Stres i madh në shtëpi, duhet blerë dhurata për zyshën. Sa e ngarkuar do jetë atë ditë ajo! Në fakt, në këtë ditë, po të shohësh gra të veshura mirë dhe të ngarkuara rëndë, e kuptohen menjëherë që janë zysha. Më kujtohet dikur, nga 8-vjeçarja, se gjithmonë e kam pasur jo me ndonjë dëshirë të madhe t’i bëja dhuratë zyshës, apo të shtija lekë për të. Ndonjë zyshe, që nuk e kisha mirë muhabetin, do t’i bëja edhe ndonjë dhuratë. Gjithmonë thosha: po Çimi, profesori i punës me dru, a merr dhurata ai! Në këtë ditë, këta mësonjësit apo arsimtarët shkojnë në një festë të përbashkët, po mirë bëjnë. Nga dhuratat më të çuditshme, për të cilat grindesha gjithmonë me time më, mbaj mend më të habitshmen festë. Zyshës i kishim bërë gati që të gjithë dhurata: geta, parfum, sapun dhe një lule artificiale. Sa të shëmtuara ishin ato lulet artificiale!
Sa popull arsimdashës jemi ne shqiptarët; duam si e si t’i shkollojmë fëmijët tanë, por, se si, pak rëndësi ka! E, në fakt, problemi i të bërit dhuratë sa për të thënë, i luksit të tyre, apo edhe i dhuratës më të veçantë, sigurisht që do ta lumturojë zyshën. Por brenda këtij kompleksi të të bërit dhuratë qëndron edhe meritokracia. Sa keq, po nuk i bëre zyshës dhuratë në këtë festë, seç ndjen shqiptari! Ose fëmija i tij do të ndihet i ndarë nga shokët, ose duhet të bashkohet me turmën. E vetmja zgjidhje, e cila e bën njeriun të reflektojë para këtij kompleksi, nuk do të jetë koha kur të gjithë do të kenë lekë në xhepat e tyre, por kur prindërit të dinë mirë të mendojnë se, të frysh një mësues me dhurata, nuk është gjë tjetër, veçse një servilizëm sa për të thënë. Një çast komod për një dhuratë kineze, apo e blerë te linja… Jo, jo, këto të fundit nuk bëjnë, se i njeh zysha mirë, janë të lira.

“Të keqen mami, çfarë dhurate do t’i çojmë zyshës për 7 Marsin?”
Pasi dilema në shtëpi u zgjidh, Qerosi vendosi t’i bënte zyshës një dhuratë të bukur për këtë festë. Ai i shihte të tjerët përreth dhe mendohej. Një djalë, që i punonte babai në një dyqan lulesh, i kishte sjellë një tufë me lule mësueses. Një vajzë, mamaja e së cilës punonte në një bonboneri, i kishte sjellë një pako me çokollata. Qerosit, që i punonte i ati në një dyqan pijesh, i kishte sjellë mësueses një kuti të rëndë. Mësuesja e ngriti lart dhe pa se diçka po pikonte. E provoi me gisht dhe tha: “Është verë?”. “Jo”, ia kthen Qerosi. Provoi edhe një pikë tjetër. “Shampanjë?’ “Jo”, i përgjigjet përsëri ai. “Nuk e di, dorëzohem! - i thotë mësuesja. - Ç’farë është?” Qerosi i përgjigjet: “Është një qenush”.

Friday, November 5, 2010

Brezi i djegur dhe piramida teatrale


Këtaaa, këta janë brez i shthurur!
Gjithmonë këto fjalë dëgjoj për brezin tim, por ja që në të vërtetë nuk jemi ashtu siç na thonë. Dhe pse qenkemi ne të tillë, se nuk dinë se çfarë të bëjnë me ne? Pse qenkemi ne brez i shthurur, kur baballarët tanë, nuk lanë gjë pa prishur, hekur pa shitur, art pa fyer dhe veprime shëmtie në pa dashuri të pa menduar. Dhe kur e fyejnë artin nuk është se dinë ata ta bëjnë më mirë… Pse qenkemi ne brez i shthurur? Se ju ngjajmë juve që nuk dilni rrugëve të protestoni? Se dilni vetëm sa herë që e kërkon politika e njërës anë? Apo se edhe ne jemi si ju, pasi as ne të rinjve nuk është se na shkon ndërmend të protestojmë ndonjëherë!
Sa ngjajmë! Çfarë kërkoni? Ata na lanë kështu, ata dhe brezi i djegur i baballarëve të tyre. Edhe brezi im e ka një lidhje mendore me komunizmin sepse mamatë dhe baballarët tanë atë lloj ere kanë thithur. A duan të bëjnë një dhuratë për shqiptaret për 100 vjetorin e Pavarësisë? Shumë mirë, le të bëjnë stadiumin e ri, dhe si dhuratë për shqiptarët të restaurojnë atë ndërtesë dhe të merren më shumë me trashëgiminë kulturore. Pse të mos hapin një muze të ri? Pse të mos u shkojë në mendje xhanëm për të ndërtuar vetëm një teatër të ri?! Meqë Tirana e ka humbur fatin të ketë një Kuvend të ri rrethuar me një park të madh, sot për sot është idea për të ndërtuar një ndërtesë të re që të ketë një funksion për të gjithë qytetarët. Ka ende plot vende ku mund të ndërtojnë një Kuvend të ri, dhe nëse duan të zënë parqet ashtu siç i kanë zënë nuk është ndonjë problem i madh. Kam shumë kujtime buzë Piramidës. Aty më çonin prindërit e mi kur isha i vogël veshur me paliçeta, aty haja në verë bukë me gjalpë, aty kam mësuar edhe biçikletën, kam rrëshqitur buzë saj dhe sa e sa herë kam ndrydhur këmbën, aty bëja edhe patina, aty shkoja edhe kur isha në Lice për të lënë orët e mësimit. Herët e fundit pasditeve, mbushja edhe ujë për zonjën Pa, aty kam pirë edhe disa herë...
Nëse prishja e “varrit të Piramidës”, është lëvizje e radhës në këtë REPUBLIKË GJITHËSHKATËRRIMESH, (nga ku të gjithë e dimë lukun dhe përpjekjet e reja të kësaj qeverrie, për t'i bërë gjërat më mirë), nuk është se ndjell ndonjë pakënaqësi, por veç një fytyrë të re që nga dita në ditë, gati të gjithë po fillojmë ta pëlqejmë. Një shije qeverrie e munguar, një përpjekje që më shumë shëmton! Çfarë duhet të tregohet me prishjen e Piramidës? As që nuk e kuptoj, por edhe nuk arrij të mendoj, se me shembjen e saj, pushteti do të thotë se po bën një vepër tjetër.
Aq ide e mire është, që do të ndërtohet një Kuvend i ri për këtë vend, një figurë e re qytetarie, sa të duket çudi e bukur! Por puna është pse duhet prishur ajo vepër? Si mund të ketë kaq pak ndjeshmëri mendore dhe estetike për prishjen e një ndjesie të tillë?! Madje po më çudisin shumë edhe grushtakët, që nuk po reagojnë, sepse ndoshta u heq vëmendjen nga Sheshi Skënderbej, që një zot e di se çfarë po bëhet me të!
Dy vendime për të njëjtën çështje? Pse e lanë Piramidën në atë farë mënyre, duke i zhgërryer të gjitha pllakat, që të shtronin edhe pllaka çimentosh më pas?! Çfarë është gjithë ky kompleks për betonin, mos është një frustrim seksual?
Ajo që të çudit me hapat e radhës, është se pse duhet të prishet një ndërtesë e tillë? Është fiks një veprim si ato të kohës së Enverit, është njësoj sikur ta hedhin në erë atë ndërtesë, është njësoj si të prishin një vepër që ka lidhje me jetën e gjatë publike! Përveç të tjerash, është më shumë se një veprim si ato të kohës së diktaturës, për të shkatërruar çdo gjë të kohës së Zogut dhe të Italisë. Gjej vend të prishim, dhe të ndërtojmë gjërat tona, sepse ajo nuk është një gërmadhë, apo një banjo publike, apo qerpiç me kallama! Megjithëse edhe këta të fundit nuk janë më në Tiranë!
Një problem tjetër është fakti se nuk kemi një Teatër Kombëtar, pse mos bëhej aty? Është më i bukur veprimi, që kur një ndërtesë që ka një funksion alla varri monumental të kthehet në shumë veprime për artin. Është pothuaj njësoj me Kombinatin Tekstil në Tiranë, vend i shkëlqyer që mund të bëhej shumë mirë si një qytet arti, për çdo gjë që mund të duan të rinjtë…
Mos vallë pas prishjes së Piramidës, duhet të merremi edhe me Muzeun Historik Kombëtar, me Pallatin e madh të Kulturës, apo me pallatin jo edhe aq të bukur të Kongreseve? Janë ndërtesa jo edhe aq të bukura, që nuk më pëlqejnë, por që nuk duhen prishur! Po Presidencën, a duhet ta prishim? Edhe ajo u restaurua shumë shëmtuar, dhe madje nuk është edhe aq e bukur, madje i bënë një restaurim me një suva që ditën ngjan shumë e pisët! Duket dëshira për të bërë lukun e ri të këtyre vendimeve!
Një anë tjetër më thotë, se nuk ka për të ndodhur asgjë me Piramidën sepse është një nga lojërat e radhës së qeverisë dhe babait të madh, për të hequr vëmendjen. Por ndoshta nuk është një sharlatanizëm, sepse ai vetë do të tregojë që njerëzit kujtojnë se është heqja nga vemendja e rradhës, dhe për këtë këmbëngulje do të çojë fjalën e tij siç do ai vetë. Por nga se? Duket sikur gjërat po shkojnë mirë?! Një sharlatanizëm si ky që do ndërtohet, i munguar për teatrin e vërtetë që të bën të mendosh më shumë.
Më shumë po e shkruaj këtë shkrim, si një i ri i këtij vendi, si me dëshirën ndaj atyre pak gjërave të bukura të mbetura në këtë qytet.
Si metoda të vjetra të këtyre vendimeve, apo si një heqje larg mendimeve të përditshme politike, njerëzit duhet ta marrin seriozisht trashëgiminë e qytetit të tyre. Pse duhet shkatërruar dhe ndërtuar një objekt tjetër? Mos duhet të vijë ajo ditë që të shohim pamjet e një ndërtese qe hidhet ne ere me dinamit, dhe te fillojmë të kujtojmë po ato xhirime kur hodhën në erë ish ndërtesën e Bashkisë.
Herë-herë ngjan edhe si një lëvizje e menduar mirë që të harxhojmë apo të vjedhim disa para më shumë, dhe në fund ta lëmë për një kohë të gjatë atë ndërtesë ashtu gërmadhë nga jashtë, ta zhveshim nga mermeri. Pra qëllimit ia arritën, objektin e shkatërruan! Po sikur t'i çojnë këta qeveritarët tanë andej nga periferia se shumë zhurmë bëjnë?
Si ka mundësi që e kemi me kaq shumë dëshirë këtë idenë se çfarë kanë bërë të tjerët para nesh, edhe ne duhet ta prishim? Ta heqim qafe, ta zhdukim, të mos ketë më asgjë. Në vend që Tiranës t’i shtohen vepra të rëndësishme, më shumë i pakësohen.
Si ndërtimi që është më prodhues në kohën e Enverit, dhe më cilësori, nuk është aspak bindëse që të kërkohet prishja e saj, sepse po të qe kështu, do të na duhet të prishim disa dhe të lëmë disa të tjera. Puna është se të ndërtosh një Kuvend të ri në ditët tona, është më shumë mbetëse historike, dhe jo aq ndërtuese. Nëse ajo ndërtesë ka baza për kohën e shkollës së arkitekturës në Shqipëri, atëherë le të lihet ashtu, dhe të tregohet se çfarë dinim të bënim mirë apo keq. Më kujtohet shumë mirë koha kur filluan të zhvishnin nga pllakat e mermerit në atë vepër, dhe mendoja se çfarë po bëjnë me këto blloqe të mëdha pllakash? Pse duan t’i heqin në këtë mënyrë dhe ku do t’i çojnë xhanën? Mos vallë edhe Hotel Dajti do ketë një fund të tillë si Piramida?
Nipi, nuk mund ta prishë varrin e gjyshit dhe të babait, sepse ndryshe nuk mund ta dije nga ka ardhur dhe si ka qënë…
Për Gazetën TIRANA OBSERVER 5 Nëntor 2010.

Friday, October 22, 2010

A jemi në terezi me Nënë Terezën?!


Nisa ta shkruaj këtë shkrim pak vonë, sepse doja te shikoja më parë se çfarë do të thuhej për Nënë Terezën pasi të kalonte përvjetori i famshëm politik për të. Qe, dhe vazhdon të jetë 100 vjetori i saj, e u duk sikur çdo gjë u bë. Sipas atyre që bënë të pabërat, çdo lëvizje për Terezinën shkoi ashtu siç duan ata që po e drejtojnë këtë vend. Të jetë 100 vjetori i një personi kaq të dëgjuar në botë si Nënë Tereza dhe ne këtu të bëjmë budallallëqe me afisha, që të duket më shumë sikur janë zgjedhjet e ndonjë kandidati partie!

Nuk mund të përjetohet një ditë kaq shumë e shënuar si një ditë zgjedhjesh qoftë edhe të kota! Nuk mund të merren kaq lehtë ngjyrat e lehta blu të politikës për ngjyrat blu të mantelit të saj! Nuk mund të merret kaq shumë si thjeshtë e bardha e mantelit të saj me të bardhën jo dhe aq pikante të disa ngjyrave thjesht dekorative të politikës… Duket shume qartë se i gjithi qe vetëm një aktivitet sa për të thënë, sa për të treguar me letra dhe afisha se ata bënë diçka… Nuk është se edhe vetë Terezina do të donte që gjërat të bëheshin më madhështore… Nuk më intereson për të tjerët, por të paktën gjërat duhen rregulluar që të mbetet diçka për Nënën Terezë! Çfarë do të mbajmë mend nga ky 100 - vjetor i saj?! Asgjë. Nuk mbahet mend asgjë veç disa parave të kota të hedhura për afisha me emrin e babait të madh të kombit! E dimë se kush e mbështet shumë mirë këtë aktivitet.

Një shkëlqesi i nderuar pa të cilin nuk do të mund të bëhej asgjë. Edhe nëse është viti i Nënë Terezës, kujt po i intereson që po e mbështet një emër që mund të rrijë gjithë vitin me afishën mbi fasadën e Muzeut Historik Kombëtar! Lëre pastaj, që ka hierarki emrash dhe mënyre vendosjeje, pra nuk është emër më i madh ai që është tani se sa Tereza. Po stili? Harrohet që stili ka mënyrë vendosjeje tejet të ndryshme?! Po të shikoni afishen e madhe mbi fasadën hyrëse të Muzeut Historik Kombëtar, aty çdo gjë u thuhet me gërma kapitale dhe jo normale. E gjithë kjo megalomani tregon se asgjë nuk është bërë për këtë grua më të dëgjuar se vetë Shqipëria dhe shqiptarët bashkë… Ku përfundoi projekti i famshëm për të bërë një skulpturë më të madhe se sa ajo që është sot në cep të cepave të Korpusit? Ku përfundoi ideja e madhe për të bërë një memorial ideal për të ku të gjithë liderët botërorë të vinin dhe të vendosnin kurora në emër të saj? Përse të mos bëjmë për Nënë Terezën një qendër pelegrinazhi si për politikën ashtu edhe për njerëzit që do të vinin nga të gjitha vendet…

E gjitha kjo tregon se sa pak e duam Nënë Terezën, sa për sy e faqe dhe në të mos bërit asgjë për të… Nuk ka asnjë vend tjetër që do tregonte kaq shumë manifestim për të se sa ne…Ne fakt, nuk mund të ketë asnjë vend tjetër që do t'i shkonte kaq shumë të bërit të gjërave admiruese për Nënë Terezën… Le të bëhen me xhelozë myslimanët se një figurë e tillë ka një rendiment më të madh se figura të tjera të tyret. Absolutisht që PO, edhe figurat e tyre duhen nderuar po aq sa ato të krishterëve, u duhet bërë po e njëjta gjë si nderimet për të… LE T'I POROSISIN EDHE ATA FIGURAT E TYRE… Për një Nënë të tillë (jo vetëm të shqiptarëve), çështja është se çfarë duhet të bëjmë që ne të tregojmë se ajo çka nuk dhamë të merret më ndryshe: qe do të thotë se kush më pak e kush më shumë duam ta përdorim emrin e saj lartë e poshtë sa herë lypet nevoja. Puna është se gjërat për Nënë Terezën duhen bërë sa më natyrale dhe jo të shtirura… E çfarë u duhet thënë turistëve apo delegacioneve qeveritare, se qe vetëm një grua me origjinë shqiptare? Vetëm kaq?! Sa herë mendojmë se çdo gjë që do të përdoret për emrin e Terezës do të jepet pa u vënë re, sepse çdo gjë do të bëhet vetëm për të përfituar nga emri i saj.

Këtu na shfaqen dy veprime: I pari është që ne nuk e duam Nënë Terezën, dhe i dyti, nga mosdashja për të, duam të përfitojmë për arsye të ndryshme pasi Nënë Terezën e lidh diçka me shqiptarët. Por edhe, që një hapësirë ndërmjet Muzeut Arkeologjik dhe Rektoratit të Tiranës apo vendi ku para viteve 90-të bëhej patinazh; pra sot vendi ku ka shërbime ushqimi të shpejtë, ose më saktë aty ku janë kollonat e bardha, do të ngrihet “memoriali-muzeum” i Nënës Terezë. Të heqësh shërbimin e ushqimit të shpejtë, pra aty ku janë sot Kolonat, për idetë politike të kundërshtarit dhe ta zëvendësosh me Nënë Terezën nuk ka ndonjë problem. Por ta bësh këtë veprim vetëm për arsye politike, dhe më pas ta lësh bosh, është tjetër gjë. Mua si qytetar i këtij vendi më intereson se çfarë do të bëhet me Nënë Terezën dhe me imazhin e saj. Dhe kësaj vepre duhet ti jepet shumë rëndësi.

Sepse bëhet fjalë për një 100 vjetor. Ku është komuniteti katolik, pse nuk po reagon? Mos janë edhe ata pro me këtë hiçgjë të shëmtuar? Apo, mjaftohen me kaq?! Përfitime ose jo, dëshmi të rreme ose të paqta, sajesa të bukura ose të larta, fetare blu ose "politikëterezinë" blu, ose hapje pafund mendimesh të paqena… E kush tha më pas që ajo që është shkruar edhe duhet thënë për Nënë Terezën?

Dhe ne fund, normalisht që ne themi me injorancë se çfarë bëri ajo për ne…

Tirana Observer: 22 Tetor 2010

Saturday, July 3, 2010

Për botërorin dhe jo për të drejtat qytetare!

.
Një publik i pa zhvilluar është i aftë të organizohet vetëm kur pasojat jo të drejtpërdrejta perceptohen dhe kur është e mundur të projektohen agjenci që rregullojnë rrjedhën e këtyre pasojave. Në kohën e sotme shumë pasoja, ndjehen më shumë se sa perceptohen; ato mbahen mbi shpinë por nuk mund të thuhet se njihen sepse ata që i vuajnë nuk ua dinë origjinën…. Prandaj, publiku është amorf i pavetëdijshëm*. (Dewey, John: Publiku dhe problemet e tij, faqe 130). Jo më kot e nisa me diçka të tillë sepse, Dewey shkruan edhe për një masë popullsie që në të vërtetë nuk është se ndryshon. Dhe tek ne, kështu është shumica, prej së cilës vazhdojmë të presim dhe të bërtasim ulurazi. Prandaj, po nis të bëj një krahasim kompleksi të të ulurit.Sikur të kisha gjysmën e njerëzve që shohin botërorin nëpër kafet e Tiranës, “do e kishim hedhur poshtë qeverinë”. Këtë qeveri, apo edhe ndonjë tjetër e majtë apo e djathtë qoftë, pak rëndësi ka për mua. Ne koherencë do që ai veprim për mbledhjen në pjesët e turmave. Për çështje futbolli ulemi në kafe, ndërsa për çështje të së drejtave qytetare nuk bëhemi bashkë asnjëherë.Nuk është se nuk dua ta pranoj botërorin, dhe as që nuk duhet ta bëj këtë, por më bën më shumë përshtypje mënyra e ulur “bythazi” për të parë disa ndeshje. Nuk po them që është një gjë e keqe dhe jo e pranuar, por dua të theksoj këtë dëshirë për tu bërë bashkë KUR KA NDESHJE NDËRKOMBËTARE DHE JO KUR KA HALLE QYTETARE!

Si ka mundësi që kjo dëshira për tu mbledhur në kafe, është me kaq shumë masë jo për të zgjidhur hallet bashkë?Nëse do kishim një ulje të tillë, pra nëse do kishim të paktën gjysmën e njerëzve që kanë këtë dëshirë për të parë ndeshjet, do qe fare më lehtë për të bërë plane më shumë për të drejtat qytetare. Dhe imagjinoni se ne as edhe këtë gjë nuk e kemi ende.Më bëjnë kaq shumë përshtypje disa njerëz që kanë një dëshirë të ethshme për të menduar se disa halle duhet ti zgjidhin të tjerët. Nuk e shoh dhe nuk kam asnjë dëshirë të keqe të mendoj se ky botëror nuk duhet parë, dhe këtë nuk mund ta përcaktoj unë.Nëse ne të rinjtë do të duhet të dalim jashtë mendimeve dhe komplekseve të prindërve tanë, atëherë duhet ti bëjmë gjërat më ndryshe. Për të thelluar më shumë mendimin, më duhet të them se kjo ulje për të parë disa ndeshje, është një qasje kolektive, dhe jo e rastësishme!Njerëzit arrijnë të kapen mirë mendërisht, dhe kjo nuk ndodh fare rastësisht sepse këtu ka një mendim të imponuar nga kolektivi dhe nga vetë vetët: se duhet të ulemi për të parë diçka më shumë. Këtu, justifikohen edhe hallet! Përsëri në përsëri, nuk dua të them se jam kundër të parit të ndeshjeve, por më shumë kundër kësaj dëshire të përbashkët dhe të shtënit masivisht për tu bashkuar.Është koha më e mirë për ti parë njerëzit e këtij vendi bashkë, jo për ata vetë, jo për gjëra që u interesojnë atyre, por për stërollepsje kolektive. Në një vend ku shumë gjëra bëhen shume më mirë bashkë dhe merren përsëri në bashkësi, nuk mund të mendohet kurrsesi se ky vend ka kaq shumë halle.E nëse kemi halle, atëherë duhen zgjidhur ato më parë, e më pas futbolli. Nuk jam kundër uljes masive të qytetarëve dhe mos qytetarëve.

Si mund të ndodhë që ne bëjmë kaq shumë tifozllëk kur fiton Interi, dhe nuk mblidhemi për të qarë hallet tona? Nuk do të më shkonte kurrë ndërmend që do të bërtisnim pa masë për një skuadër që është larg nesh e për të mos u mbledhur për ato gjëra që na takojnë më shumë. Si mund të bërtasim kaq shumë bareve kur fiton një skuadër? Pra, si mund të bërtasim kaq masivisht bareve, sa kur je në shtëpi dhe shikon punën tënde, njerëz që janë të ulur marrin një bërtitje gëzimi se një filan skuadër bëri gol! Por, si nuk mund të bërtasim për të drejtat tona, të paktën jo njëzëri por as pjesë-pjesë!Nuk mund të harrohen kaq lehtë disa gjëra që njeriu duhet ti bëjë patjetër në jetë, ashtu siç edhe qytetarët nuk duhet të harrojnë se ka disa gjëra të tjera tepër më të rëndësishme. Dhe kur them se do kisha hedhur poshtë “QEVE-RRINË” me njerëzit e mbledhur në baret e Tiranës, nuk e di se nëse janë apo jo po ata qytetarë që do kishim ngritur “komplotin”…

Pyetja tjetër është se, a janë apo jo ata që duhet ta bëjnë këtë gjë? Po, edhe mund të jenë! Mua më shqetëson mangësia. Përsëri e them se, të hedhësh poshtë qeverinë e kam me idenë e përhumbur tek ne; thjesht dhe vetëm për më shumë, për një revoltë qytetare. Për uljen e turmës, dhe jo për mbledhjen e saj.Nuk mund të quhesh kurrë qytetar, që mund të bësh çdo gjë për vendin tënd, po nuk protestove bindshëm për të drejtat e tua. Prandaj ne vuajmë çdo ditë, në kompleksin e kundërt të mbledhjes së turmës. Dikush e pyeti Diogjenin nëse kishte shumë njerëz në Lojërat Olimpike. - Kishte shumë shikues dhe pak njerëz - u përgjigj filozofi.
*Dewey, John: Publiku dhe problemet e tij, Shtëpia botuese “Dita 2000”, Tiranë 2009.

Nga Eljan Tanini për Gazetën TIRANA OBSERVER 2 Korrik 2010.

Friday, March 5, 2010

Shtëpiake të dëshpëruara apo të dëshiruara?!


.

Nëse dikur gjyshet tona, martoheshin që 14 vjeç, apo edhe sot atje këtu, ndryshe nga ato të parat, këto të fundit duan ta krijojnë familjen më shpejt, të mbarojnë punë që në rini se të ikën koha, ta kem burrin se më mbron, se kështu do burri apo edhe unë kështu dua, se familja thotë mos humb kohë: kështu kemi bërë edhe ne. Si mund të bëhesh nënë, kur ke ende nevojë për këshillat e nënës tënde! Në një kohë që pjekuria seksuale është arritur, fillon kërkimi për partnerin, se që në vit të parë të fakultetit do bëhesh me burrë. Ndoshta këtu është shfaqja sepse disa vijnë në fakultet të fejuara që në vitin e tretë të gjimnazit, disa ngelen shtatzënë, të tjera vijnë vetëm për tu martuar, disa për të gjuajtur dhe për ti gjuajtur, dhe sigurisht edhe leksionet nuk harrohen... Ndër të rinjtë që janë ende në një lidhje të re, shpesh herë është një mendësi që kur flitet për të dashurin apo të dashurën, ndryshe thuhet se më erdhi burri, kjo është e burrit tim, kjo është gruaja ime etj...Ndryshe e argumentuar, ky është imazhi për ta rritur ndër fjalë dashurinë si burrë dhe grua të martuar, ose ndryshe, edhe për ta përforcuar atë. Të bëhesh mama kur ke ende nevojë për këshillat e nënës tënde. E çfarë na qenka kjo, një shtypje e hapur e familjes, ndoshta edhe një dëshirë më shumë për të qenë më të lira! Pavarësinë, të cilën ne njerëzit e kuptojmë mbrapsht. Shpesh nga dëshira e tyre për të qenë më të pavarura nuk është as vendimi i tyre për ta bërë këtë, edhe familja e vajzës e ka një dëshirë të tillë. Madje të theksuar. Zgjedhja për të bërë familje në këtë moshë, ka të bëjë dhe me mjedisin se ku je rritur.
Madje brenda gjithë vështirësive, në të cilën varet kultura e familjes, prejardhja e saj, mendimi i gruas apo i nënës, gjyshes apo motrave të shtëpisë, dhe dëshira e prindërve për ta mbështetur këtë gjë. Pasi çdo gjë nga familja lind. Këtu nuk përjashtohen dhe rastet kur ai e rrëmben atë. Por përsëri të bëhesh MAMA, por edhe njëkohësisht studente është një lodhje e tepruar. Ose do ta lësh fakultetin, ose do të vish për ta vazhduar atë, dhe të tjerë brenda tij do të imponojnë më shumë respekt për tu bërë më tolerantë me ty, se je bërë nënë. Është e sigurt që respekti nuk mund ti mungojë, brenda arsyes se ajo e ka djalë apo vajzë, se si është barku i saj, së si është tani me shëndet, se sa qenka shëndoshur, e më pas fjalë për t'ia lënë vajzave apo grave në gjërat e tyre intime. Ky është një kompleks për të krijuar familje sa me shpejt të jetë e mundur. Por për çudi nuk vjen nga fakti se ajo kishte një të dashur, dhe padashje ngeli shtatzënë me të, ashtu siç ndodh gati padashje në botën e të rinjve, por vjen nga një dëshirë e mbarsur për tu bërë MAMA, të shtyra nga familjet e tyre, nga dëshira për të qenë më të pavarura, nga burri, nga familja e burrit; siç duket për të mbaruar punë sa më shpejt në moshë më të re. Dhe e gjitha kjo a ka të bëjë me një mendim të theksuar periferik?! Sepse një familje e shkolluar mirë, me vajzën ende në universitet nuk do ta dëshironte kurrë një gjë të tillë, për ta në plan të parë janë studimet dhe jeta e mirë e vajzës së tyre. Edhe do të mund ta pranonin të bërit MAMA, vetëm në qoftë se ajo do të ishte padashje shtatzënë... Po baballarë ka në fakultetet tona? Edhe në pastë, këtu ngrihet një pyetje, se a duhet të marrin ata leje lindjeje? Po sigurisht qe po. Nuk di por, di që burrat e tyre janë disi më të mëdhenj se ato vetë, dhe nuk kanë fare lidhje me fakultetin. Kjo është zgjidhje, askush nuk mund të ndërhyjë në dëshira. Problem është se këto vajza nuk shquhen për ndonjë mendim të tyrin influencues, apo edhe më të lirë.
Çka do të thotë se ende do të mbeten të varura diku. Por tani fillon trashja dhe fryerja, gjë që i bën ato më ta dallueshme estetikisht, pra më gra. Fakti i të qenurit grua, ato duhet ti nderojë. Nuk duhet të harrojmë që është vendimmarrje e rëndësishme, ku kemi vajza që mbajnë trupin në linjë me ç’të mundin, dhe nga ana tjetër këto vajza që harrojnë linjat për tu bërë disi më MAMA. Sigurisht janë më të lumtura, se kanë krijuar një familje. Zgjedhja u bë, nga familja e vajzërisë, për të shkuar në familjen e burrit, nga një vajzë me hire vajzërie, tashmë me një barrë më të rëndë për tu bërë më grua. Në qoftë se çdo fëmijë lind për të mposhtur prindin e tij, atëherë kjo është një mënyrë e të bërit MAMA, shumë më e hapur dhe e shpejtë në mposhtje të imazhit të parë prindëror; pra vajza këtu mposht shumë më shpejt prindërit e saj. Sepse ka edhe nga ato që nga viti i parë i fakultetit, vijnë sa për të marrë një copë diplomë, por mbi të gjitha për të gjetur burrë. Të tilla vajza janë të paafta dhe varen gjithmonë tek burri. Por ndoshta zgjedhin të mos kundërshtojnë, ose të pranojnë me dëshirë për tu bërë MAMA!!! E gjitha kjo ka të bëjë me injorancën apo zgjuarsinë e tyre, me atë mendim periferik, me shkesën, por pak me pëlqimin ende tradicional tek ne. Mund të pretendosh pak, që këto vajza të bëjnë karrierë! Nga njëra anë duhet ti respektosh më shumë, të tjera kanë lindur, dikush me barkun e bukur të rrumbullakët pret ende të lindë; duket sikur duhet ti respektosh më shumë. Vajza shqiptare ende është e dhunuar disi më me klas, shumë pak prej tyre e bëjnë vetë këtë zgjedhje. Në çdo mënyrë qoftë, këtu ka vend për një mangësi të theksuar intelektuale, për tu varur në kremastarin e shtëpisë së burrit dhe ne mendimin e tij, në paratë e tij, e si të thuash penisi i mashkullit dhe mitra e nënës së re janë vegla të thjeshta sa për një familje. Në një kurs mund të gjesh edhe raportin 50 vajza me 6-të djem. Por sigurisht ka midis tyre edhe ndonjë vajzë që mbahet për një inteligjencë të mirë intelektuale, por përsëri shumë pak. E gjitha kjo do të thotë se ato vijnë në fakultet për të marrë një copë diplomë, por në plan të parë kanë idenë për të krijuar familje sa më shpejt, se ndoshta ikën koha, por nuk ma do mendja se duan të bëjnë karrierë, sepse të rrisësh një fëmijë të duhet shumë. Kjo është një zgjedhje e rëndë, por nuk është zgjidhje. Ndërsa në të mbaruarin punë, të tjera e shohin sikur ta kenë jetën përpara, dhe sigurisht që pas lindjes së parë duan bëjnë karrierë se tashmë e hoqën barrën. Përsëri jemi në atë traditën e shëmtuar të të kthyerit në mitike idiote të gjyshërve tanë, për tu martuar shumë herët.
Si për ta theksuar përsëri, ato nuk mund ti bëjnë dot të gjitha. Ashtu të kthyera në gra, por që ende kanë disa hire vajzërie, të shtyra për të lindur sa më shpejt, si një shoqëri ende e paemancipuar mirë, që e kemi dhunuar gruan me shekuj me radhë, që i kemi vënë në shpinë MAMASË shqiptare një mit të shëmtuar Rozafe, duke sakrifikuar një nënë të re, se gjoja kjo e fundit u sakrifikua me dëshirën e saj. Me imazhin e saj luftarak të përhershëm me mburojë apo me shpatë, me shpikëse realiste-socialiste e traktoriste, e me pas drejt lirisë së depiluar, dhe me në fund në timon: por tani të zgjedhur nga ajo vetë. Kaq luftarake ka qenë gruaja shqiptare, kaq partizane me yll në ballë duke fjetur çadër më çadër tek ato të partizanëve! Ah po, harrova kjo është partizania, që u kënaq se e nxori partia në punë. Pse vallë ne nuk paskemi asnjë grua fisnike? Gurëzuan gruan, apo sot më mirë të themi e betonuan atë, por përse nuk betonuan burrin xhanën, ç'është ky mit kaq i shëmtuar? Sot për ndërtimin e themeleve sakrifikojmë kafshët, ndërsa gratë i përdorim për ti sakrifikuar më avash në punëra të tjera. Atëherë, formula është "G R U A = G U R". Që nga ato pak gra që janë në kuvend, që nga Kryetarja e Parlamentit që mban një pasqyrë në dhomën e saj të pritjes apo të gjumit, të kënaqësisë apo të joshjes, me një pikturë të “Motrës Tonë” në njërën anë, do të mund të kuptosh një imponim të theksuar feminizmi, për çdo mashkull që hyn në atë ambient të verdhë. Që nga çdo lloji ftese që të vjen kundër dhunës ndaj gruas, se gratë mund ti bëjnë të gjitha vetë me ndihmën e grave, pa burrat? Të shohim se sa deputete të mira do të jenë në kuvend. "Ne shqiptarët ende sot themi, më fal për shprehjen ajo është me barrë".

Nga Eljan Tanini për Gazetën TIRANA OBSERVER 5 Mars 2010.

Sunday, February 28, 2010

Kur Martin Haideger përkthehet në shqip.

Mbi përkthimin në shqip të veprës “Letër mbi Humanizmin”

Në një intervistë, filozofi francez, Emanuel Levinas, u pyet se cilat ishin pesë veprat më të rëndësishme të historisë së filozofisë. Ai u përgjigj: “Fedri” i Platonit, “Kritika e Arsyes së Kulluar” e Kantit, “Fenomenologjia e Shpirtit” e Hegelit, “Ese mbi të Dhënat e Menjëhershme të Ndërgjegjes” e Bergsonit, dhe “Qenia dhe Koha” e Haidegerit. Që janë vepra të rëndësishme, kjo dihet. Por fakti domethënës është se asnjë nga këto vepra nuk ekziston në gjuhën shqipe. Për të mos i hyrë debatit se sa studiohet filozofia në universitetet shqiptare, ne, të rinjtë e sotshëm, duhet të mjaftohemi me ato pak përkthime në shqip dhe me ndonjë vështrim të shpejtë nëpër faqet e internetit, për të lexuar ndonjë gjë, pavarësisht vështirësive gjuhësore. E megjithatë gjërat kanë filluar të lëvizin. Botimi i njërës prej veprave më të rëndësishme të Martin Haidegerit në shqip, filozofi më i rëndësishëm i kohës sonë, e tregon këtë. Nuk është përkthimi i ndonjë profesori apo ndonjë përkthyesi me nam e nishan që ka marrë sa e sa çmime – jo, është përkthimi i një studenti të filozofisë, i një të riu nga ata të shumtët, për të cilët janë ankuar se janë të fjetur, që kalojnë kohën kafeneve, e ju mungon dëshira për të bërë diçka. E që të mos thonë më se nuk ka të rinj Shqipëria, se të rinjtë tanë nuk dinë të bëjnë asgjë; se edhe ndonjë “analist-opinionist” me apo pa këllqe, shkrimtare apo edhe shkrimtarë të tjerë, të fillojnë të mendojnë se të rinjtë e këtij vendi e kanë një pikë dëshire për ta parë shumë më mirë botën e librave në vendin tonë. Gjithmonë është thënë se përkthimi tek ne nuk bëhet në mënyrën më të mirë. Por mua më ka çuditur fakti se këta, gjoja kritikuesit tanë të mëdhenj, gjithmonë flasin e stër flasin se nuk ka përkthime të mira. Le të jetë ky përkthim i këtij botimi në shqip, si një manifest i rinisë shqiptare, dhe mbi të gjitha, për tu treguar atyre që qahen për përkthimet në shqip, që Shqipëria jo vetëm që ka të rinj, por edhe të rinj nga ata që dinë dhe duan të përkthejnë Haidegerin. Por ky nuk është vetëm një fakt që të rinjtë kanë anën e tyre të letrave. Tani, nuk mund të mos i themi disa fjalë për “Letër mbi humanizmin”. Vepra është shkruar fill pas Luftës së Dytë Botërore, në një kohë kur Haidegeri ndodhej në një situatë të vështirë personale. Për shkak të implikimeve të tij me regjimin nazist, filozofit i ishte ndaluar mësimdhënia nëpër universitetet gjermane. Ai nuk mbajti më leksione deri në fund të jetës së tij, me përjashtim të disa rasteve kur ishte ftuar, fshehtazi, nga studenti i tij, tanimë edhe ky profesor, Gadameri. “Letër mbi humanizmin” është një hyrje e shkëlqyer për në mendimin e Haidegerit. Aty do të gjejmë një paraqitje të thukët të të gjithë filozofisë së tij, që nga temat kryesore të kryeveprës së tij “Qenia dhe Koha”, e deri tek çështjet e filozofisë së tij të vonët, si arti e teknologjia. Vepra cilësohet si fillesa e antihumanizmit, një lëvizje krahas së cilës u rreshtuan disa nga emrat më në zë të filozofisë perëndimore. Në fakt, jo shumë kohë më parë, Sartri kishte botuar esenë “Ekzistencializmi është Humanizëm”, ku ai deklaronte se “ne ndodhemi mbi një plan ku ka vetëm njerëz”. Haidegeri e kundërshton këtë pikvështrim dhe këtë plan ai e mbush me “Qenie”. Duhet thënë se në këtë vepër të thukët nuk analizohet vetëm marrëdhënia e filozofisë së “Qenies” së Haidegerit me ekzistencializmin e Sartrit. Këtu Haidegeri shprehet edhe për Karl Jaspersin dhe shkruan se grupimi “Jaspers dhe Haideger” nuk është i saktë, pasi mendimi i tyre ndahet nga një humnerë. Kjo, shkruan ai, rrjedh nga fakti se çështja kryesore që i jep jetë mendimit tim, nuk është rrokur akoma. Por tek “Letër mbi humanizmin” Haidegeri flet edhe për filozofinë marksiste, diçka e rrallë kjo, dhe e paraqet koncepcionin marksist të historisë si më të lartin. Por, çfarë është ndër të tjera ky libër i Haidegerit? “Letër mbi humanizmin”, iu dërgua në vjeshtën e vitit 1946 Zhan Bofresë (Jean Beaufreut), nga Hajdegeri, si përgjigje për një varg çështjesh që Bofre ia shtronte Haidegerit në një letër të mëparshme. Në këtë letër dallohet në mënyrë absolute qenia, nga të qenurit, ose e shprehur në mënyrë më të thjeshtë ajo që ekziston ... Haidegeri mendon se pyetja që shtrohet për qenien, është pjesa më e mirë që mund të kapet si pjesë e një analize fenomenologjike të njeriut. Nga ku, ky i fundit është i vetmi “të qenur”, i cili mban të gjithë dhënien që i është besuar si mbajtësi i qenies. Ndaj Haidegerit nuk mund të ngrihet asnjë arsye për nihilizëm. Nga ku gjithmonë e më shumë shfaqet ekzistenca e fundme, dhe se ankthi nuk është mënyra më e mirë e prezencës së qenies. Në “Letër mbi humanizmin”, ai tregon se ka mënyra të tjera të mundshme strukturash më pak “negative”. “Letër mbi humanizmin” është një pjesë që merret rreth vështrimit sintetik. Ne fakt duhet parë edhe ndryshe arsyeja pse Haidegeri është anësuar gjithmonë kundër interpretimeve psikologjike ose antropologjike të mendimit të tij, nga ku shikohet një mos ekzistencializëm. Pra, e gjitha kjo merr shtysë jo si në anët ekzistenciale të Sartrit apo të Jaspersit, por duke e parë si një qartësi e kulluar e ekzistencës. “Letër mbi humanizmin” shpreh syrin haidegerian, shqetësimin që vjen si shqetësim nga qenia. Kjo vepër nuk vjen thjesht e përkthyer në shqip, por edhe me shpjegimin e disa termave të cilat janë tepër të rëndësishme, ashtu siç bën në çdo fundfaqe përkthyesi dhe njëherësh përshtatësi në shqip, Enkelejd Musabelliu dhe me një parathënie për botimin në shqip nga prof. Gjergj Sinani.

Nga Eljan Tanini për Gazetën TIRANA OBSERVER 26 Shkurt 2010.

Tuesday, February 16, 2010

“Memorial-Muze” Për Nënë Terezën?!

.
Ka kaq shumë halle ky vend, sa dikush mund të mendojë, ç’na duhet Nënë Tereza tani! Po, nuk e ka keq. Por, ama duhet bërë një gjë e saktë në këtë vend, ashtu siç duhet të jetë kjo vepër arti. Dhe të gjithë e dimë, se këta njerëz që na drejtojnë, nuk është se e duan shumë artin. Prandaj ky shkrim le të jetë, në emër të atyre gjërave të kulturës që të paktën duhet të bëhen mirë, jo vetëm për sot por edhe për mot. Dihet për nga vlera, se imazhi i Nënës Terezë edhe në sytë e botës është tepër i rëndësishëm. Si mund të bëhet një muze, që të shfaq të gjitha dhuntitë e Nënës Terezë? Kjo është e pakuptueshme, sepse nuk mund të sajohen objekte apo imazhe për të bërë një qendër të tillë. Sepse, nuk është se ka një shtëpi tjetër të po kësaj figure ku objektet të jenë në atë vend, dhe ti marrësh e ti ekspozosh në këtë vend. Apo fakti se edhe ajo shtëpi muze që është në Shkodër, është tepër e sajuar. Po kështu, nuk dinë mirë se çfarë do bëjnë me shtëpinë në Tiranë. Që edhe muzeu apo edhe memoriali të kishin të njëjtin kuptim, këtë nuk e ka dëgjuar askush. Por edhe, që një hapësirë ndërmjet Muzeut Arkeologjik dhe Rektoratit të Tiranës apo vendi ku para viteve 90-të bëhej patinazh; pra sot vendi ku ka shërbime ushqimi të shpejtë, ose më saktë aty ku janë kollonat e bardha, do të ngrihet “memoriali-muzeum” i Nënës Terezë. Të heqësh shërbimin e ushqimit të shpejtë, pra aty ku janë sot Kolonat, për idetë politike të kundërshtarit dhe ta zëvendësosh me Nënë Terezën nuk ka ndonjë problem. Por ta bësh këtë veprim vetëm për arsye politike, dhe më pas ta lësh bosh, është tjetër gjë.

Mua si qytetar i këtij vendi më intereson se çfarë do të bëhet me Nënë Terezën dhe me imazhin e saj. Dhe kësaj vepre duhet ti jepet shumë rëndësi. Sepse bëhet fjalë për një 100 vjetor. Ku është komuniteti katolik, pse nuk po reagon? Mos janë edhe ata pro me këtë hiçgjë të shëmtuar? Apo, mjaftohen me kaq?! Pra, memorial sipas atyre zëvendëseva që drejtojnë Ministrinë e Kulturës quhet një muze i krijuar. Po mirë! Dhe jo një statujë prej bronzi. Anëtarët e komisionit që do merren me këtë punë, bëjnë sikur nuk e dinë mirë që ajo zonë aty, është monument kulture dhe mbrohet nga shteti. Dhe të ndërhysh në një vend të tillë, që ka një hapësirë, që është bërë pikërisht për këtë gjë, pra për të qenë hapësirë që nuk shkon e zënë nga gjëra të tjera, sikur e mbuluar edhe me xham; këta specialistet tanë, duan ta bëjnë një“memorial-muze”. Duket më shumë, se këta i gëzohen projektit të bërë falas, përballë një shtatoreje tepër e rëndësishme edhe në imazhin e vendit tonë. Por disa ditë më parë, foli edhe Berisha; që më në fund e paska kuptuar mirë që atë “Terezën e shëmtuar në cepin e majtë të Universitetit Politeknik” duhet ta heqim se nuk është fortë e bukur. Dhe të paktën qeveritarët tanë, paskan pak shije estetike. Do të duhej të linde ky projekt, që ta hiqnin atë Terezën e cepave, e më në fund të kujtoheshin. Se të qe për ta, atje në cep do ta linin. Duket fare mirë, që estetika, është një mungesë për ata që na drejtojnë sot.

Unë uroj që, shëmtia mos të vazhdojë më shumë. Sepse ka mundësi që, pikërisht atë Terezën e pabukur që është tani në atë cep, ta marrin dhe ta vënë ose në hyrje të këtij “memoriali-muze” ose në pjesën ku është sot shatërvani i tharë, përballë me Universitetin Politeknik të Tiranës. Por edhe kjo është thyerje e rregullave që e mbrojnë atë shesh si monument kulture, por jo aq e shëmtuar sa pjesën ku janë sot kollonat e bardha; qe ti mbyllin dhe ta bëjnë “memorial-muze”. Kush e shpiku këtë?! Si një i ri i këtij vendi, apo si një qytetar që ka votuar, e bëra këtë shkrim, për këta njerëz të cilët e drejtojnë këtë vend, që të përpiqen të bëjnë diçka më të bukur për këtë grua. Të gjithë e dimë se çfarë ka bërë ajo, nuk është nevoja ti përmendim këtu. Sepse jo vetëm fakti, që një shtatore e lartë për Nënë Terezën duhet të bëhet e saktë, por të paktën mos të bëhet dyfish ai gabim i parë; që atë të pabukurën e cepave ta vënë mes sheshit ose në hyrje të kollonave të bardha.. Nuk mund të pranohet një skulpturë e tillë, me dorën më të madhe se sa fytyra, apo edhe me këmbë më të mëdha. Skulpturë, që herë të duket si nënat e forta të realizmit socialist e herë më shumë si me gabime anatomike. Në këtë grup pune, nuk ka asnjë përfaqësues nga artet pamore. E si mund të bëhet një vepër e tillë me mungesën e përfaqësuesve nga artet pamore?! Gjë që mua më shqetëson se përsëri shëmtia do të zgjasë. Madje, që një “memorial-muze”, ta bësh qendër kulture, kinema, kafe, apo edhe librari sikur nuk shkon më duket! Po mirë, ja e bënë edhe këtë, po ku do ti gjejnë sendet personale të Nënës Terezë? Nga ku dihet se në Shqipëri nuk ka pothuaj fare sende personale nga kjo grua. Idea e “memorialit-muze” është shumë interesante, sepse është tepër joshëse për të huajt. Por këtu lind pyetja: -Çfarë do bëj një turist i huaj për ta parë këtë qendër aspak joshëse? Të kaferohet në qendrën e memorialit? Por e mbushur me të tilla gjëra, nuk është se të bën të mendosh shumë për të. Prandaj më mirë ta lënë këtë qendër muze, sepse më shumë duket si një qendër fetare, sesa një “memorial-muze”. Kështu i bie ti themi, se edhe memorial edhe muze, edhe qendër kulturore po ti bashkosh bashkë del një gjë e bërë sa për të thënë që nuk ka fare kuptim. Ah po, nëse stimulohet që të bëhet një shtatore e bukur në shesh tek shatërvani, atëherë këtu kemi një projekt tepër të mirë. Po përse të mos mendojnë që, aty në shatërvanin e tharë, të vënë një shtatore të lartë moderne, jo klasike, por, që të japë figurën e Terezës; dhe të jetë në përmasat domethënëse të artit modern. Gjë, që shkon shumë në atë vend, me harmoninë e pasme të bardhë të ndërtesave.

Ky “memorial-muze”, është një gjë që do të mbetet, prandaj pse nuk ja lënë një herë në dorë edhe qytetarëve! Pse nuk nxjerrin disa makete para 26 Gushtit të këtij viti, dhe ti lënë qytetarët që të vendosin e që të votojnë publikisht për të! A e kuptojnë këta njerëz, që ngritja e një “memoriali” të tillë nuk mund të jetë vetëm sot për sot… Përse nuk pyeten, të paktën artistët e figurativit, nëse duan që ky projekt të kalojë në disa filtra komunikim. Ose të paktën, të zbulojnë projektin për shtatoren e kësaj figure, dhe ta heqin mendërisht idenë për të bërë një “memorial-muze”. Sepse nuk është iderisht e menduar mirë. Këta njerëz që mendojnë dhe hartojnë gjëra të tilla janë si ky veprim: Lëpij një ditë dhe lëpij një ditë tjetër, më shijonte shumë, ngaqë isha shumë injorant, nuk e kisha menduar se banania duhej kafshuar. Ose do të qëndronte më mirë, sikur shtatorja e Nënë Terezës të vihet pikërisht në pjesën midis Rektoratit, pamjes së mesit të kollonave të bardha, dhe Qendrës Albanologjike; pra, në mes të kësaj ndërtese. E imagjinoni dot se sa bukur, qëndron kjo shtatore e ndriçuar natën në po këtë vend?

Nga Eljan Tanini për Gazetën TIRANA OBSERVER 16 Shkurt 2010.